Dhoma Amerikane, promovim
Shqipërisë te investitorët e huaj

25 Shtator 2014, 22:08| Përditesimi:

  • Share
TIRANË- Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford dhe Drejtorja Ekzekutive, Floreta Luli-Faber angazhohen për të promovuar Shqipërinë, si një destinacion atraktiv për investitorët dhe koorporatat e huaja. Ky qëndrim i bashkohet përpjekjeve të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati të cilët ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki-mun, për të marrë pjesë në Sesionin e 69-të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Në vazhdën e punës për promovimin e një klime pozitive investimesh, AmCham-i fokusohet jo vetëm në paraqitjen e shqetësimeve në mënyrë konstruktive për mënyrën se si mund të përmirësohet ambienti i të bërit biznes, por gjithashtu do të vlerësojë dhe do të vërë në dukje progresin e arritur deri më sot. Këtë vit, AmCham-i dëshiron të drejtojë vëmendjen në ndryshimet e nivelit të taksimit mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, në mënyrë që të theksojë ndryshimet, të cilat mund të nxisin evazionin fiskal, dukuri të cilën dëshirojmë ta shmangim”, bënë të ditur burimet zyrtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Në të shkuarën, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka theksuar problemet lidhur me gjobat e vendosura në mënyrë arbitrare, shqetësim, i cili i ka shtyrë kompanitë të lëvizin brenda rajonit. “Këtë vit, dëshirojmë të theksojmë se, anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë vënë re një përmirësim të madh në këtë aspekt, në sajë të përpjekjeve të qeverisë Rama, e cila e ka trajtuar me prioritet këtë çështje”, vijuan burimet.  Vënia e gjobave, sipas burimeve zyrtare, "mbetet një çështje që Dhoma Amerikane e Tregtisë do të vazhdojë të monitorojë, por ndërsa kemi marrë komentet për Paketën Fiskale 2015, kjo çështje nuk është ngritur më si një nga shqetësimet e kompanive tona anëtare".

Marrë nga "ATSH"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?