Dhjetëra aplikime në Dyrrah City Football Academy! Trajnerët e Man. Cityt stërvisin talentet shqiptarë, administratori: Do ketë bursa

10 Qershor, 17:14| Përditesimi: 12 Qershor, 16:38

  • Share

Trajnerë të huaj, talente nga e gjithë diaspora dhe një projekt ambicioz i Ministrisë së Arsimit e Sportit, po ravijëzon edhe më shumë nismën e qeverisë dhe klubit të Manchester City.

Fillimi i aplikimeve në Dyrrah City Football Academy ka zgjeruar hartën e atyre që duan të jenë pjesë e agjencisë së inspiruar nga Citizens në Britaninë e Madhe. Me një mundësi të jashtëzakonshme për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, të apasionuar për futbollin, procesi i seleksionimit për regjistrimin e futbollistëve të rinj po ecën me ritme optimal.

Administratori Gjergj Ndoci në takimin e fundit me drejtuesit e Manchester City në “Etihad Stadium”, avancoi planet e DCFC, projekti unik i qeverisë shqiptare për të nxjerrë talentet tona në vitrinën kontinentale.

Në një muaj të nxehtë që do kulmojë me kombëtaren në finalet e Euro 2024 në përballje epike ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës, po shtohet portofoli edhe te Dyrrah City, me trajnerë nga Spanja, Italia e Suedia, për të qenë pjesë e Akademisë që starton në Shtator. Si për ironi të fatit, shumica e aplikantëve për në stol, janë të huaj.

“Seleksionimi i futbollistëve të talentuar që do të përfitojnë bursa do të kryehet nën mbikqyrjen e trajnerëve të Manchester City-t. Kushdo që regjistrohet në DCFA do të bëhet pjesë e programit të Shkollës së Futbollit të Manchester City” thotë administratori Ndoci.

“Në këtë program, të gjithë pjesëmarrësit do të veshin uniformat e Shkollës së Futbollit dhe do të trajnohen nga stafi i trajnerëve të Manchester City, me metodologjinë e suksesshme të klubit. Stërvitja nga trajnerët e Citizens do të zhvillohet dy herë në javë, ndërsa pjesa tjetër e programit stërvitor do të zhvillohet nga stafi vendas i përzgjedhur dhe trajnuar me standardet e City Football”, shtoi administratori Ndoci.

Regjistrimet janë të hapura për fëmijët e moshës nga 7 deri në 16 vjeç. Akademia është e bazuar në Durrës dhe është pjesë e shoqatës rajonale të Durrësit.

Stërvitja përgjatë vitit të parë do të zhvillohet në një fushë të përkohshme, ndërsa pritet që shumë shpejt me mbylljen e fazës së parë të punimeve, stërvitja të zhvendoset në kompleksin që do të ndërtohet në Durrës.

S.DH//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?