Dezhgiu: Fjala Zot i shton 
forcën emotive Himnit

13 Tetor 2012, 12:04| Përditesimi:

  • Share
TIRANË- Ndryshimet në Himnin Kombëtar janë miratuar me ligj që në vitin 2002. Por, kjo se ka penguar kryeministrin Berisha ta ripropozojë ndryshimin e bërë 10 vjet më parë. Kjo gafë ka ngjallur mjaft reagime këto dy ditët e fundit. Të jetë një harresë apo një vendim i kryeministrit pa asnjë konsulencë zyrtare.

Sido që të ketë qenë rasti, kjo është një gafë e madhe e z.Sali Berisha, i cili në propozimin e tij, jo vetëm këmbënguli për ndryshimin, por theksoi se duhet "të bisedohet edhe me Akademinë, me Institutin, me kompozitorët dhe himni duhet të kthehej në variantin e tij të plotë ashtu siç e shkruaji Aleksandër Drenova". 

Pasi morëm disa opinione dje nga studiues e letrarë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, të cilët njohin kontributin patriotik dhe veprën e Asdrenit, mësuam se ekzistonte në Kushtetutë Ligji me numër 9826, që daton në vitin 2002, në të cilin është sqaruar se prej kohësh ka ndodhur ky ndryshim, i cili është propozuar që në vitin 1998. 

Në ligj shkruhet: "Betim mbi flamur" është teksti i Himnit Kombëtar. Kjo do të thotë se në variantin e vendosur me ligjin e vitit 2002 që është në fuqi, vepra origjinale e Asdrenit është vendosur të jetë përfundimisht Himni Kombëtar. 

Ndërkohë vërtetohet se ndryshimi është bërë edhe në shkolla dhe institucionet shtetërore dhe zbatohet prej dhjetë të kënduarit e Himnit Kombëtar në variantin e poezisë origjinale të Aleks Stavër Drenovës (Asdrenit). Mësojmë se gjatë hartimit të Kushtetutës së vitit 1998 janë diskutuar ligjet për Himnin dhe Simbolet kombëtare. 

Kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha nuk e di akoma se një grup pune i Akademisë së Shkencave me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave është konsultuar për 2 vjet me radhë dhe është debatuar gjatë kësaj kohe derisa në vitin 2002 Kuvendi ka miratuar me shumicë votash ndryshimin. 
Pra siç shkruhet në kushtetutën e re Himni Kombëtar është pikërisht teksti origjinal i poezisë së Asdrenit me titullin "Betimi mbi flamur", ku sigurisht nuk mungon as vargu "Se Zoti vet e tha me gojë.... Por çfarë dinë e çfarë reagimesh kanë punonjësit e Institutit të Gjuhës dhe Historisë për këtë ndryshim e mësojmë në dy reagimet e mëposhtme të dr. Muharrem Dezhgiut dhe dr. Klara Kodrës.

* * *
Drejtuesi i departamentit të Enciklopedisë Muharrem Dezhgiu argumenton se asgjë të keqe s'ka në këtë propozim. Pse të mos i rikthehemi origjinalit e të respektojmë autorin", thotë ai për Shqiptarja.com. 

Si mendoni ju, a duhet të ndryshojnë fjalët e Himnit të Flamurit, siç propozoi kryeministri Sali Berisha?
-Kur e ka propozuar, se nuk e di, nga ty po e mësoj
Dje. E kishte fjalën që të vendosej edhe vargu "Se Zoti vetë e tha me gojë...", dhe propozoi që të merret mendimi i akademikëve dhe historianëve. Meqë ju drejtoni departamentin e enciklopedisë, si është kjo punë?
-Unë nuk jap intervistë, por po ju them se nëse ka thënë kështu, nuk mendoj se nuk ka ndonjë gjë të keqe.

Pra mund të merren vendime për ndryshimin e Himnit, mendoni ju?
-Me sa kuptoj unë, nëse bëhet fjalë që t'i kthehemi origjinalit të poezisë së autorit nuk ka asnjë gjë të keqe. Është një fjalë që për mendimin tim do t'ia përmirësonte forcën emotive Himnit, do ta bënte më të ndjeshëm për popullin.

Disa studiues kanë mendimin se ky varg do ta bënte pak si të ekzagjeruar këngën?
-Jo, jo nuk asgjë të keqe. Le të futet fjala Zot. Nuk mendoj se ekzagjerohet. Shumica e himneve të vendeve të ndryshme të botës, di se e kanë fjalën Zot. Nuk më kujtohet në këtë moment se cili vend e ka, por di që disa e kanë.

Anglia, p.sh, e di që e ka...?
-Po. Por nuk e di pse këmbëngulni për këtë.

Ka pasur debate për Himnin gjatë kësaj kohe. Reaguan akademikët kur shprehu Avokati i Popullit mendimin për ndryshimin e frazës "Kush është burrë nuk frikësohet…" me "burrë a grua..." 

-Unë mendoj se nëse rasti që t'i kthehemi autorit në origjinal nuk ka asgjë të keqe. Për ta ndryshuar pastaj tekstin e këtij autori është një problem tjetër. Këtë le ta diskutojnë akademikët. 


KLARA KODRA: S'ËSHTË ME VEND NDRYSHIMI, DUKEMI SHUMË NACIONALISTË 


Studiuesja dhe shkrimtarja klara Kodra e sheh të pavend ndryshimin në himnin kombëtar. Kjo për shkak se në ato stofa ku përmendet zoti, vihet re një nacionalizëm i tepruar.

Si shkrimtare, si mendon nëse Himnit të Flamurit i rikthehet vargu që propozoi dje kryeministri "Dhe Zoti vetë e tha me gojë..."?
-Mendoj se nuk do të qëndronte aq mirë në këngë. Nëse e theksojmë që Zoti ka folur veçanërisht për Shqipërinë, kjo është një ndjenjë e tepruar nacionalizmi. Së paku kështu më duket mua. Zoti është i të gjithëve dhe mban të njëjtin qëndrim për të gjitha vendet e botës, nëse ne theksojmë se jemi të zgjedhurit e Zotit, kjo për mendimin tim duket sikur nuk shkon, si ndjenjë e tepruar nacionalizimi. 
Pastaj nuk është e thënë që të gjitha vargjet e poezisë të mundte të kompozohen në muzikë. Unë mendoj se nuk do të ishte mirë të vendosej se Himni i Flamurit u përket të gjithë shqiptarëve. C'mund të themi, për shembull, për ata që janë ateistë. Duket e tepruar të vendoset në një këngë që përfaqëson zyrtarisht të gjithë shqiptarët.

Po propozimi i Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani a është i drejtë?
-Z.Totozani e ka gabim, sepse fjala "kush është burrë" është një shprehje figurative popullore dhe kuptimisht është larg nga kuptimi i fjalëve burrë e grua. Një shprehje e tillë është e do të mbetet edhe për gratë kur tregojnë forcë e trimëri të pazakontë, e u thuhet burrnesha. "Kush është burrë nuk frikësohet" nuk thekson aspak mendimin joemancipues të Asdrenit për gratë, përkundrazi Asdreni ka qenë shumë i ndjeshëm ndaj respektit dhe dashurisë për figurën e gruas.


(Shkrimi u publikua sot në gazetën shqiptarja.com/13.10.2012/ foto nga Himni i Flamurit)
(s.f/shqiptarja.com) 



  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?