Detajet/ Investimi i dhëndrit të Donald Trump në Serbi, hotel luksoz në godinat Shtabit të Ushtrisë që u bombarduan nga NATO, projekti 1 mld dollarë

16 Mars, 21:29| Përditesimi: 16 Mars, 21:40

  • Share

Dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, synon të investojë në bregdetin shqiptar, si edhe në Beograd. Mediat e huaja, por edhe vetë Kushner ka publikuar foto të projekteve.

Projekti ambicioz në Serbi përfshin rivitalizimin e tre blloqeve të ndërtesave të braktisura në zemër të Beogradit. Këto blloqe, të mbetura bosh që nga bombardimet e NATO-s në prill 1999, janë planifikuar të shndërrohen në një hotel luksoz, hapësirë ​​tregtare dhe mbi 1500 rezidenca. Richard Grenell ka dhënë më shumë detaje për projektin për mediat serbe.

“Kjo lëvizje nënkupton një investim strategjik në rigjallërimin e zonave historike dhe kontributin në zhvillimin urban të kryeqytetit të Serbisë”.

Grenell ka thënë se në kryeqytetin serb do të rivitalizohet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i cili u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999. Ish i dërguari special i SHBA-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në administratën e Presidentit Donald Trump ka deklaruar “se ky simbol i konfliktit do të mund të shndërrohet në një urë miqësie ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.”

Grenell i tha gazetës “Blic” se projekti është një investim prej një miliard dollarësh.

“Do të jetë një projekt i jashtëzakonshëm luksoz me pesë yje, do të jetë i klasit botëror,” tha Grenell.

I pyetur se çfarë përfitimesh do të kishte Serbia nga kjo, ai thekson se “po flasim për hapësira për zyra, apartamente dhe një hotel me pesë yje”. Po ashtu sipas tij investimi do të ketë simbolikën e miqësisë me Perëndimin.

“Kjo do të jetë një mënyrë për të parë drejt të ardhmes dhe për të ndërtuar një urë miqësie dhe ripërtëritjes”, tha Grenell.

Ende nuk ka një datë se kur mund të nisë investimi në Serbi, ndërsa sa i takon Shqipërisë projekti është ende në letër. Ministria shqiptare e Turizmit konfirmoi se ka një aplikim, por detaje të tjera nuk janë bërë me dije.

“Kjo varet nga aprovimet përfundimtare, pastaj shpresojmë qe në dy vitet e ardhshme. Pra, hapësirat e biznesit dhe ato publike, apartamentet, hotelet dhe qendra përkujtimore” thekson Grenell.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?