Dështon sërish mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, mungon PS! Opozita: Duan të bllokojnë punën, Nikolla të përjashtojë Ndrecën dhe Ekonomin

12 Prill, 11:54| Përditesimi: 12 Prill, 15:18

  • Share

TIRANË- Mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, sterilizimin dhe check up, ka dështuar sërish. Për herë të katërt, anëtarët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur në mbledhje.

Mazhoranca dhe opozita nuk po gjejnë dakordësinë sa i takon caktimit të datave për zhvillimin e mbledhjeve të Komisionit Hetimor. Anëtarët e PS pretendojnë se Kryetarja Albana Vokshi cakton mbledhjet në mënyrë të njëanshme, ndërsa nga ana tjetër opozita thotë se kjo është kompetencë e kryetarit.

Mungesën në komision e paralajmëroi një ditë më parë anëtari socialist, Petro Koçi, i cili tha se opozita kërkon që ta kthejë në një shfaqje teatrale politike.

‘Kryetarja vazhdon të mendojë se është komandante. Duan të bëjnë shfaqjeje teatrale politike. Asnjë nuk është në konflikt interesi. Deklarata e konfliktit të interesit nuk nënshkruhet sepse kërkon një palë apo një palë tjetër politike por nëse duhet të nënshkruhet gjithmonë nëse e kërkon ligji.’- tha Koçi një ditë më parë.

Opozita thotë se qëllimi i vetëm i mazhorancës është që të bojkotojë punimet e këtij komisoni, ndërsa Vokshi kërkoi që kryeparlamentarja Lindita Nikolla të marrë masa. Sipas saj, duhet të përjashtohen zv.kryetari Plarent Ndreca, deputetja Milva Ekonomi dhe sekretari Klevis Xhoxhi.

“I ka dërguar Bardhi një shkresë Nikollës dhe kreut të grupit të PS, dhe ka informuar ambasadat me të gjitha shkeljet. I ka kërkuar Nikollës të marrë masat urgjente për funksionimin. Masat që duhen marrë, zëvendësimin e zv.kryetarit dhe sektarit që kanë munguar 4 herë duke shkelur ligjin dhe të përjashtojë nga anëtarësia dy deputetët që janë në konflikt interesi, Ndrecën dhe Milva Ekonomin dhe të japë paralajmërim për 6 deputetët e tjerë që kanë munguar”, tha Vokshi.

Në mungesë të mbledhjes, opozita mbajti një konferencë për shtyp ku listuan shkeljet ligjore të mazhorancës, sipas tyre. Deputetja Ina Zhupa akuzon Ndrecën dhe Ekonomin për konflikt interesi, ndërsa PS ka refuzuar të firmosë deklaratën e konfliktit të interesit.

“Ndreca ka shërbyer si avokat i tyre (Arben Gjatws). Ai duhej të deklaronte që nuk kishte konflikt interesi. Kishim rastin e Milva Ekonomit, ka shërbyer si zv.ministre e shëndetësisë gjatë kohës së miratimit të koncesionit se check up dhe gjatë kohës se diskutimit të sterilizimit. Ekonomi ka pasur të bëjë dhe me proceset e koncesioneve dhe është thirrur në Prokurori për të dëshmuar. Ka qenë kryetar e komisionit të pranimit të ofertave për një prej koncesioneve, dhe ka firmosur. Kjo është shkelje flagrante ligjit dhe një vullnet për të mos hetuar atë që ata janë në konflikt interesi”, tha Zhupa.

Në bllok opozita tha se PS po bën çdo përpjekje për të bllokuar punën.

“Përmes detaje teknike përpiqen të zvarrisin procesin”, tha Edmond Spaho.

“Kërkojnë të zvarrisin mbledhjen e komisionit, punën dhe për të mos dhënë kohën e mjaftueshme për të pasur produkt real”, tha Ilda Dhori.

“Kemi një shumicë në komision që ushtron vetëgjyqësi politik, nuk respekton ligjin që e kanë bërë si ka dashur vetë dhe kanë vetëm një mision, të mos shkelin në komision se është e qartë që çdo gjetje, dëshmi, dokument, rëndon i gjithi mbi ta”, tha Petrit Vasili.

“Kolegët e PS shkelin ligjin e hartuar dhe votuar vetë me të dyja këmbët”, tha Zheni Gjergji.

“Në mbledhjet datave 3 dhe 5, mazhoranca ka bojkotuar. Mazhoranca që e ka me qef t’i vendosë vetë ditët e mbledhjeve, kanë qenë të zënë se si do gjenin mbrojtje për kolegen e tyre, se kishin një seancë për të mbrojtur të pambrojturën, për të hedhur poshtë Gjykatën Kushtetuese”, tha Saimir Korreshi.

Rruga e ngërçit në këtë komision mori rrugë që në nisje, kur nënkryetari Pslarent Ndreca i kërkoi Albana Vokshit të mos marrë vendime të pa konsultuara, të mos dërgonte kërkesat për informacion pa i dakordësuar me ekspertët e të dyja palëve dhe të mos detyronte anëtarët të firmosnin formularin për konfliktin e interesit, pa u mësuar më parë se cili ishte plani i hetimit të komisionit.

Në listën për tu thirrur dëshmitarë në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi është dhe kryeministri Edi Rama, dy ish-ministrat e Shëndetësisë, ilir Beqaj dhe Manastirliu, zyrtarët e përfshirë në procedurat e tenderëve dhe ortakët e dy koncesioneve.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?