Sport

Dështimi i Francës, nga maja e botës në zhgënjimin në Euro 2020, ja arsyet, rrezikon trajneri Deschamps dhe gati bëhet Zidane

29 Qershor 2021, 10:37| Përditesimi: 29 Qershor 2021, 12:39

  • Share

“U rrëzuam nga kaq lart”. Ky ka qënë një prej titujve në mediat franceze për eliminimin e pabesueshëm të Francës që në fazën e 1/8 të Euro 2020. Kampionët e Botës u eliminuan nga Zvicra pas penalltive në fund të një ndeshje të çmendur e të pabesueshme. Vetëm Franca mund ta humbte Europianin dhe kështu ndodhi shkruajnë mediat. Për herë të parë në 11 vite ku në Botërorin afrikan të 2010-tës Franca u eliminua që në grup ,transalpinët nuk arrijnë të kalojnë mes tetë më të mirave të turneut. Diçka e pabesueshme po të mendosh në vigjilje të Euro 2020 skuadra e drejtuar nga Deschamps ishte favoritja kryesore për të fituar trofeun, me sulmin më të fortë dhe mesfushën cilësore. Franca nuk tregoi vazhdimësi dhe shfaqi dobësi që në ndeshjen e parë ndaj Gjermanisë. “Gjelat” pësuan të parët ndaj Hungarisë, Portugalisë e Zvicrës pra në tre nga katër ndeshje. Ndoshta ka qënë shumë e ekzagjeruar vetëdija që ishte skuadra më e fortë në letër dhe në emra të përveçëm ajo që i hoqi ekipit “ligësinë” që duhet në kompeticione të tilla.Nga maja e botës në dështimin më të madh, situatë që sheh të rrezikojë postin edhe trajneri Deschamps i cili thotë:

“Unë jam i qetë pasi futbolli është i tillë. Kur fiton e kanë meritën lojtarët dhe kur humb është faji i trajnerit. Unë marr përgjegjësitë e mia për humbjen që dhemb shumë por do ketë edhe momente të tjera më të mira”thotë trajneri.Pavarësisht se kontrata e tij skadon në fund të Botërorit të Katarit në vitin 2022 emri i Zinedine Zidane ka filluar të qarkullojë. Ndërkaq Mbappe ylli i skuadrës që dështoi më shumë se të tjerët dhe humbi penalltinë ndaj helvetëve thotë se ka dështuar dhe se është i shkatërruar për penalltinë e humbur. Në Euro 2020 Franca dështoi./Pergatiti Andi Kapxhiu

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?