Tirana

Dëshmorët e Shqipërisë dhe rrugët e Tiranës së Lirisë !

16 Nëntor 2023, 14:25| Përditesimi: 16 Nëntor 2023, 14:30

  • Share

Gjer më sot, nuk kam dëgjuar ndonjë Bulevard me emrin më të bukur në botë: Dëshmorët e Kombit ! Cili shqiptar nuk përjeton dridhshëm emocione të reja, sa herë ecën, mediton apo shëtit lirshëm përmes këngës së zogjve krahëshkruar. Por edhe përmes cicërimave gëzimplote të vogëlushëve në kopshte e shkolla. Mëngjesi, mesdita dhe mbrëmja mund të përcillen edhe me ca tufëza pëllumbash që gugasin nën rrezet e diellit të stinës. Dhe nuk janë thjesht “etyde poetike” a “fluturime djaloshare”.

Ndjesi të tilla njerëzore nëpër Kryeqytetin tonë të dashur, po provojnë çdo vit e më tepër qindra turistë të huaj. Pse jo edhe liderë të Evropës e Perëndimit, artistë, gazetarë e sportistë, shkrimtarë e biznesmenë të vjetër e të rinj. Shumicën i ftojnë për te “Bunkart”, Muzeu Historik, Kalaja apo ish Piramida…Ciceronët shoqërues dhe tabelat farfuritëse jo në gjuhën shqipe, fare pak (për të mos thënë hiç) i flasin njerëzisë për biografinë e këtyre rrugëve me emra të ndritur. Vetë emri i Bulevardit kryesor është dhe do të mbetet një thesar i pashtershëm ligjërimi nga brezi në brez. “Dëshmorët e Shqipërisë/ Të mirë ishin të gjithë !”. Vetë populli i ka gdhendur bukur. Përjetësisht kështu ! Më thoni një qytet tjetër si Tirana jonë, ku për çlirimin e saj nga pushtuesit  dhe sahanlëpirësit e tyre, derdhën gjakun e dhanë jetën mbi 220 djem e vajza në lule të jetës. Vetëm në Nëntor 1944 ! Gati nga e tërë Shqipëria. Nga Jugu në Veri. Jo më kot populli i Kryeqytetit e ngriti menjëherë Monumentin e Partizanit të Panjohur, kushtuar çlirimtarëve të paharruar. Një mirënjohje legjitime, shpirtërore e atdhetare. Mjeshtri përmetar Fite Nasi me shokë gdhendën çdo milimetër guri, plot mirësi e dashuri. Dhe kishin të drejtë që krenoheshin…

Mbi 60 vite më parë, kur po hyja për herë të parë në Kryeqytet, shtëpia e vetme ku trokitëm ishte ajo e poetit të pushkatuar, Trifon Xhagjika. Shtëpi përdhese me një portë të vjetërsuar, por me dhomat e thjeshta plot e përplot me libra. Njëra i kishte stivë, nga dyshemeja në tavan. Diku kam shkruar më gjatë…Më vonë, kur do kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Komisari ynë Dalan Memushi(Kallarati), më ka treguar episode gjurmëndezura sot e kësaj dite. Qe i vetmi ish partizan i Brigadës së Parë Sulmuese që punoi e drejtoi Brigadën me emrin e saj të lavdishëm në kohë paqeje. Vërtet pata fat përballë atij dëshmitari jo dosido. Kam parë nga afër lotët e tij mbi dëborë, te lapidari i shokëve të rënë pabesisht në Qarrishtë të Librazhdit. Ndoshta kaloi për herë të fundit atje, në fillim vitet ’70, gjatë një marshimi stërvitor… Kur po ktheheshim, në kryqëzimin e rrugës së Sanatoriumit me atë nacionale, ngadalësoi hapat dhe qëndroi vetullngrysur e syrrëmbushur. Kujtonte datën 16 Nëntor 1944. Në kulmin e moshës së rinisë. Partizan që nga fillimi. Më deshi dhe e doja shumë. Atje më tregoi për trimin Medi Taka që hodhi xhaketën mbi telat me gjemba të armikut dhe u sul si vetëtimë me granata dore. Duhej carë rrethimi djallëzor nazist. Por…dha shpirt atje, që të merrte frymë Tirana ! Ndërsa kur zbritëm te Rruga e Kavajës, pak më poshtë Lidhjes së Shkrimtarëve, përsëri qëndroi dhe më rrëfente me gojë e me duar. Tani vonë gjeta edhe Ditarin e tij të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ditar që të duket sikur në çdo faqe bie ende erë barot. Duhej marrë me çdo kusht Radio Tirana ! Ndërtesë që nazistët po e ruanin me mitraloza e tanke. ”Në mëngjes herët, pa zbardhur dita, iu afruam ndërtesës. Kur pashë trupin e një partizani të vrarë, më hipi të qarët. Një predhë nga tanku nazist i kish copëtuar kokën. Ç’të shihja ?! Vura duart në kokë. Ishte Avniu, shoku im i Spitalit Partizan. Edhe sot më ther zemra…” (Dje po lexoja 220 emrat e Dëshmorëve dhe nuk e di saktë cili Avni ishte, me mbiemrin Kondi apo Muca ?).

-Ju flet Tiraanaaa !...

Gjëmoi zëri në tërë Shqipërinë. Rrugë më rrugë. Shtëpi më shtëpi. Zëri i aktorit të shquar Birce Hasko te fillimi i mirënjohur, nuk është thjesht trill artistik. Realitet që të rrënqeth. 19 ditë e natë të mbarsura me krisma e gjak. Çdo rrugë e rrugicë flet shumë. Por më tepër duhet të flasin emrat e atyre që mbetën yje të pashuar në qiellin e Kryeqytetit e të Shqipërisë. Nuk e di saktë se sa prej tyre janë emërtuar gjatë Pluralizmit rrumpallë. Po 12 Dëshmorët e Betejës vendimtare të Mushqetasë ? Sepse, siç tha me të drejtë historiani i nderuar, Paskal Milo, pas viteve ’90 “ka emërtesa abuzive e qoka private”. Po kush e dëgjoi vallë ? Veçse ka ende ca kalemxhinj namusqarë e buzëlarë që edhe Dëshmorët duan t’i karfosin te “nostalgjia komuniste”. Ç’të jepnin më tepër ata kapedanë të Lirisë ! Dhanë jetën për këtë kryeqytet që gëzojmë. Dhe larg imoralitetit të sotëm politik e partiak, ku ca liderë kalanderë kanë 3 dekada që nuk shkojnë te Partizani Fitimtar (?). Te ai simbol i rrallë atdhedashurie . Madje arritën të ndërrojnë edhe emra rrugësh e shkollash. Por populli vazhdon t’i thërrasë me emrat që meritojnë. Nderojnë ata që mposhtën deri trup me trup e bajonetë më bajonetë gati 3 mijë forca naziste, 25 topa, 4 tanke, 100 mitraloza, 200 automjete etj. Pa llogaritur gati 500 kuislingët dhe tradhtaret me damkë ! Dhe pastaj u nisën drejt Veriut të Shqipërisë… Mbi 200 beteja zhvilloi vetëm Brigada e Parë Sulmuese, me në krye trimin Mehmet Shehu. Të paktën, shikoni foton origjinale me 4 partizanë mbi një bunker hitlerian që sharronte jetë njerëzish me mitraloza. Ja, para Monumentit të Skënderbeut. Dikur këtu nuk bëhej xhiro e as mbaheshin fjalime, por villej zjarr nga frëngjitë prej betoni e çeliku. Por bijtë e gjalmëzezave triumfuan. Ato ditë e natë heroizmi, ra edhe një vajzë përmetare, 18-vjeçarja Agllai Tako. Mirëpo ku ta gjej emrin e saj në ndonjë rrugë a rrugicë ku derdhi gjakun ? Po dhjetëra të tjerë ?...

Pyes kështu sepse në Pluralizën na kanë parë sytë e na kanë dëgjuar veshët edhe përçapje të “nostalgjisë neofashiste”! Pinjollët e çakërdisur kujtuan se u bë deti kos dhe sulmuan me barut të lagur emra Komandantësh, Komisarësh e Partizanë trima që mbajtën në zemra deri në fund Shqipërinë, Lirinë e saj të shenjtë e të shtrenjtë. Madje, mbaj mend që vitet e fundit botuan edhe një faksimile të “Këshillit Ministruer” të 21 prillit 1939 (?!). Gjithnjë “në shenjë respekti e mirënjohjeje”, vendosi emra të rinj nëpër rrugë e sheshe : Viktor Emanueli; Gabazzo e Costanzo Ciano; Princi Umberto Savoia etj.Historia nuk harron dhe nuk përsëritet si tragjikomedi aventureske. Aq më shumë në të ashtuquajturën Demokraci. Theksojmë: vetëm për Çlirimin e Tiranës dhanë jetën 220 bij e bija nga e gjithë Shqipëria ! Nderim i përjetshëm. E meritojnë një Përmendore të lartë apeli mu në zemër të Kryeqytetit. Ata janë e do të jenë përjetësisht “kullat” më të larta të kësaj bote të trazuar. Atje të gdhenden emrat e secilit. Atje të përkulet pasaniku e kripaniku, qytetari i thjeshtë dhe politikani dinjitoz, fshatari e zyrtari shtetëror a privat, çdo banor e turist. Siç përkulet tërë bota e përparuar përballë Antifashizmit, kësaj vlere të pashuar historike. Deri sa të ketë frymë Njeriu mbi dhe ! “Moj Luftë e Dytë Botërore/ Të bukur trima që more/ Një nga një me dorë i zgjodhe”!...

-Ju flet Tiraanaaa ! 17 Nëntor 1944.

U çlirua me forcat e veta. Një kolegu ynë i vjetër kishte parakaluar me rrobat e partizanit në trup. Ashtu hyri në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, atje ku do të derdhte djersë shumë, po edhe lot shumë. Kostumin e parë të dhëndërisë do e vishte pas gati një viti në Lukovë të Sarandës. Ia kish ruajtur nëna në sepete…Një shkarrashkrues qullavec i akshamit, vjet propozonte të hiqeshin emrat Myslym Shyri e Sabaudin Gabrani. Guxim budallai ?! Shërbëtorët e fëlliqur nuk u qasen as te maja e këmbës Dëshmorëve të Atdheut. Mbase ëndërrojnë e kërkojnë të fshihen prapë nën kapotat e robërisë nazifashiste. Se tradhtia nuk ka brirë. Dhe njerëzia nuk ha bar. E tha Sami Frashëri i pavdekshëm: Dëshira për liri dyfishon shpirtin e një kombi !

M.T/ReportTv.al
Komento

Komente

  • E.v.: 17/11/2023 07:33

    Him kolli sebashku me vellain hetuesa torturuesa shko se emrin e ka tek nje degezim i rruges se kavajes. 2.Gjermanet e perdoren shqiperine per tu terhequr kurse ju shkonit dhe i hidhnit bomba ambulancave me te plagosur dhe flamur te bardhe qe terhiqeshin.Ju kristo nuk njihnit rregulla lufte.Kjo coi qe ku eshte sot rruga him kolli gjermanet te kapin burrat e tiranes qe jetonin perreth kesaj rruge per ti pushkatuar si shkeles te ligjeve nderkombetare te luftes,kurse ju kristo ku ishit ju per ti dale perballe si "burra " maskarallekut tuaj.Ka qene nderhyrja e nje ZONJE e cila vinte nga ato vende ,bashkeshorte e nje njeriu te njohur te nje shtepie botuese e cila per ore me rradhe ka folur me oficerin e ushtrise gjermane per ti shpetuar jeten,nga maskaralleqet e juaja.Ajo rruge duhet te mbante emrin e asaj ZONJE dhe jo te hetuesve me opinga qe nuk lane njeri pa vrare e ekzekutuar nga familjet e tiranrs qe ne vjeshten e 1944 pa ikur gjermanet. 3.ju nuk luftonit me gjermanet per kunder anglo amerikaneve qe bombardonin nga qielli e ju vritnit nga toka. 4.krusto po shulet e korces hetuesit e koci xoxes clirimtare ishin?Duart e tyre jane lare me gjakun dhe mbajne mekatin e varreve te pagjetura te njerezve te zhdukur,kurse rruget mbajne emrin e krimineleve,viktimave si gjenden trupat

    Përgjigju
  • Arian: 16/11/2023 19:04

    Si shkrim është i saktë. Është detyrim një përmendore me emrat e të rënëve për çlirimin e Tiranës. Ajo që më "prish" është gjuha e komunistit, e enveristit. Mendoj se përveç që nuk duhet harruar lufta dhe të rënët, çlirimi kombëtar nga pushtuesi, nuk duhet parë vetëm si vepër komuniste. Sa njerëz, pa ide komuniste, të çdo lloj moshe, dhanë gjithçka deri edhe jetën kundër pushtuesve? Ndaj kujdes! Lufta për çlirim, është çështje kombëtare dhe jo ide e majtë apo e djathtë. Met Hasa nuk ishte komunist, ishte vetëm 15 vjeç por ra mbi mitraloz gjerman të cilin e mbuloi me trup dhe gjermanët, e përsëris, gjermanët, e varrosën me nderime dhe i vunë mbi varr kryqin e hekurt! Tjetër gjë baruti i shkrimit dhe tjetër gjë baruti i tërë luftës. E fundit, llogaritë e mia thonë që pinjollët, janë më së shumti bij të atyre që na qeverisin deri në 1990 se sa të antikomunistëve të vërtetë. Rasti konkret, ai që u pranua në Parti në dt 8 nëntor, ishte kryetar i celulës së partisë së spitalit dhe më vonë shërbente edhe si mjek në bllok, ai e hodhi i pari idenë e ndërrimit të datës së festës së çlirimit. Ai që të çvarrosi komandantin nga varrezat e dëshmorëve dhe sot akoma bërtet kundër "të kuqve" si edhe shumë të tjerë që e ndjekin, nuk më ngjan shumë si pinjoll...

    Përgjigju
    • Maksi: 17/11/2023 03:16

      Si rralle here nje koment qe ska nevoje per koment! Fryma enveriste si tipar reflektiv i trashegimise neokomuniste qe si kancer korruptiv ka kapur vendin e Tiranen e nuk e leshon me qamet. Aq hipokrit sa e mbyll traktin bolshevik me te madhin Frashelli, Samine dhe tradhetar te nipne, Mitat!!! Sic dhe Noli na meson, oborr i pykave.

  • Thoma Vaso: 16/11/2023 18:27

    I nderuari Kristo, e ke qarë si ajo gërneta që këndonte tek Gjenerali gramafon! Ju flet Tirana- më tingëllon sikur dëgjoj zërin e fuqishëm Ju flet Moska,govorit Moskva! Sa herë që të lexoj më mbush plot mendime nga çdo rrjesht,ke shumë të drejtë! Të uroj veç shëndet, të tjerat i di vetë! Me shumë respekt!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?