Fiqrete Shehu, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Nexhmije Hoxha

Dëshmia e rrallë e profesorit të njohur: Enverin nuk po e zinte gjumi nga disa zhurma dhe kur e pyeti rojen, ai i tha se po punohet tek vila e shokut Mehmet, ‘Komandanti’ shpërtheu…

2 Dhjetor 2023, 12:19| Përditesimi: 2 Dhjetor 2023, 12:24

  • Share

Një përjetim personal, në përvjetorin e (vetë) vrasjes së Mehmet Shehut - nga Prof. Dr. Rami Memushaj për Memorie.al

Fillimi i viteve ’70 – të shekullit XX në Shqipëri, u shoqërua me zhvillime politike që tronditën thellë opinionin publik. Deri atëherë në njerëzit e thjeshtë, kishte njëfarë optimizmi, duke parë se gjendja ekonomike po vinte duke u përmirësuar dhe tregu nuk vuante për ushqimet bazë. Po ashtu, besohej se Partia në pushtet, ishte në udhë të drejtë dhe se brenda radhëve të saj, kishte një unitet të fortë. Por ngjarjet që pasuan festivalin XI të dhjetorit 1972, zbuluan se uniteti ishte vetëm në dukje, gjë që e provoi plenumi IV i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, i cili dënoi për liberalizëm një numër artistësh, po edhe figurash politike që mbulonin sektorin e artit, të cilët mbanin edhe funksione të larta partiake.

Në gusht të vitit 1974, isha me pushimet e verës në fshat, kur një ditë, aty nga ora e 10 e mëngjesit, dëgjova zërin e një kushëririt tim, që po merrej me lopët në stallën e kooperativës. Sa ishte kthyer nga Tirana, ku kishte qenë për vizitë tek vëllai i madh, që ishte oficer. U vesha shpejt dhe u nisa për nga stalla.

Si u përqafuam me të, u ulëm dhe nisëm të bisedonim për të rejat nga Tirana. “Lëre mos e nga, – më tha, – se ç’po bëhet andej. Beqir Balluku u përjashtua nga Komiteti Qendror dhe u shkarkua si ministër i Mbrojtjes. Keq e kanë dhe Hito Çakua e Petrit Dumia”. U ndava me tim kushëri dhe u ktheva në shtëpi, duke menduar se në Tiranë kishte filluar jo lufta e klasave kundër armiqve të Partisë e të Shtetit, por lufta e klaneve për pushtet.

Në faqet e gazetave, ajo paraqitej si luftë kundër liberalizmit e degjenerimit borgjez, po kosa e hakmarrjes tradicionale shqiptare, që shitej si “luftë klasash”, shtrinte përdhe liberal, si; Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Abdyl Këllezi (po jo Ramiz Alinë!) etj., por dhe njerëz të vijës së ashpër, si; Beqir Balluku, Hito Çakua, Petrit Dumia, e të tjerë. Pra, dukej sheshit që ishte luftë klanesh.

Shumë nga këta njerëz me vlera si ekonomistë apo si ushtarakë, i pamë të sillen të internuar në Llakatund, Lubonjë e Selenicë të Vlorës, ku i linin për pak kohë, para se t’u jepnin dënimin kapital. Nuk kuptonim për ç’qëllim bëheshin gjithë ato spastrime në të gjitha fushat, si: në art e kulturë, ushtri e në ekonomi?! Përse u mbushën burgjet me gjeneralë e figura të shquara, përse shkatërroheshin jetët e qindra familjeve, duke u burgosur kryefamiljarët e duke i internuar? Kujt i shërbenin të gjitha këto?

Në ato vite, ishim një grup i vogël djemsh labë që ndanim mendimin, se; në kokën e Partisë dhe të shtetit, po zhvillohej një luftë e ashpër klanesh dhe ngritjen në postet më të larta të njerëzve të paaftë, e gjykonim si degradim të shtetit dhe të partisë. Atëherë nuk dinim gjë për përplasjen e Mehmet Shehut dhe të tijve, me Ramiz Alinë, i cili mbështetej nga Nexhmije Hoxha.

Kisha dëgjuar nga dikush se, pasi Enveri botoi librin “Imperializmi dhe revolucioni” (1978) apo “Eurokomunizmi është antikomunizëm” (1980), kishte shkruar edhe Mehmet Shehu një libër të titulluar “Kapitalizmi” dhe se kjo gjë nuk i paskësh pëlqyer Enverit, i cili paskësh thënë: “Të gjitha do të shkruajmë libra”?! (Se sa e vërtetë është kjo, këtë mund ta dinë djemtë e Mehmetit.)

Rasti e solli që dy prej shokëve të viteve ’70, të takoheshim në Tiranë në shtator të vitit 1981: shkruesi i këtyre radhëve pedagog në universitetin e Tiranës, kurse B. B., student në shkollën e Partisë “Vladimir Iliç Lenin”. Si mora vesh se shoku im i ngushtë kishte ardhur në Shkollën e Partisë, u lidha me të, dhe filluam të dilnim bashkë çdo të shtunë.

Që në takimin e parë, B. më tregoi se në vilën e Mehmetit, ishin ndalur punimet. Kur e pyeta pse, më tregoi se një natë shumë të nxehtë vere të atij viti, shokun Enver nuk po e zinte gjumi, nga zhurmat e mëdha jashtë.

Thërret oficerin e rojës dhe e pyet, ç’ishin ato zhurma. Oficeri i thotë se; punohet në vilën e shokut Mehmet. “Po shoku Mehmet nuk është jashtë”, – i thotë Enveri oficerit. Kaq u desh që të ndërpriteshin punimet. Javën tjetër (java e dytë e shtatorit) ndërsa po shëtisnim përballë lulishtes në fund të së cilës ngrihej vila e Mehmetit, shoku im më thotë, se u prish fejesa e Skënderit (djalit të dytë të Mehmetit) me Silva Turdiun, volejbollisten e njohur. “E zgjidhën djemtë e Sigurimit atë punë”, më tha.

Tani vonë, nga leximi i ditarit të Enverit, që u botua në një të përditshme, mora vesh se informacionin për familjen e vajzës, ia kishte dhënë Ramizi! Kaluan ndoshta 2-3 javë, kur shoku im, që bënte pjesë në organizatën-bazë, ku ishte edhe Fiqretja, më tha se ishte mbajtur një mbledhje e kësaj organizate, ku kishte marrë pjesë edhe Simon Stefani, si i dërguar i Byrosë Politike.

Në atë mbledhje Fiqretes i ishte kërkuar t’i hapej Partisë: të tregonte ku kishte gabuar, pse kishte gabuar, çfarë e kishte shtyrë të shkelte vijën e Partisë, për luftën e klasave, etj.

Këto mbledhje qenë përsëritur disa herë derisa e detyruan Fiqreten “të hapej” me gojë, të tregonte të gjitha gabimet që kishte bërë në jetën e saj. Pasi u rrëfye me gojë, e detyruan që të bënte autokritikë edhe me shkrim. (Do të jenë ruajtur, vallë, proces-verbalet e atyre mbledhjeve dhe autokritika me shkrim e Fiqretes?)

Bashkë me B. B. dhe me kolegun Fatmir Agalliu, i cili ishte i vetmi në katedër me të cilin bënim biseda të tilla të rrezikshme, e kuptuam se Mehmet Shehu, ishte vënë në plan të zhdukej.

Më 18 dhjetor 1981, u ndodha në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të U.SH.T. (Universitetit Shtetëror të Tiranës). Ishte ora 9.30 e mëngjesit; sapo kishte mbaruar ora e parë e mësimit dhe bashkë me kolegun Agalliu, që kishte pasur edhe ai mësim orën e parë, ishim ulur në karrige pranë e pranë e, po u frynim duarve për t’u ngrohur. Pas pak hyri në katedër një koleg që jepte mësim në gjuhët e huaja dhe na thotë se; erdhi Bashkimi (Shehu) dhe nxori nga mësimi të shoqen.

Unë, duke i shkelur këmbën Fatmirit, i thashë kolegut: “Do të kenë vajzën sëmurë”! Qëndruam në heshtje, derisa ra zilja për fillimin e orës së dytë të mësimit dhe, kur kolegu doli, i thashë Fatmirit: “Do t’i ketë ndodhur diçka Mehmet Shehut”.

Meqë atë ditë kisha vetëm një orë mësim, dola nga Fakulteti dhe mora rrugën për te sheshi “Avni Rustemi”. Në një pallat aty pranë banonte një kushëri i parë imi, i cili kishte qenë partizan në Brigadën e Parë Sulmuese dhe kuadër i lartë ushtarak, që ishte nxjerrë në lirim pa mbushur moshën. Ngjita shkallët me një frymë dhe, sa arrita para derës së apartamentit të tij, i rashë ziles. Ma hapi derën vetë. Si u përshëndetëm, e pyeta: “Mos i ka ndodhur gjë Mehmet Shehut”?! “Po, – më tha, – ka vrarë veten”!

Mbetëm pa folur disa çaste. U vesh dhe dolëm nga shtëpia e arritëm te Ministritë, pastaj morëm drejtimin për nga godina e Komitetit Qendror. Ishte një ditë shumë e ftohtë dhe me një shi të dendur, që nuk e mbajtën as këpucët ushtarake 1.300-lekëshe! Shëtitorja “Dëshmorët e Kombit”, ishte e zbrazur, rrallë shihej ndonjë kalimtar apo ndonjë veturë. Ecëm kështu deri afër godinës së Kryeministrisë, pastaj, duke e parë që asgjë nuk po lëvizte, u ndamë, secili për në shtëpinë e tij.

Vetëm të nesërmen u dha njoftimi për vdekjen e Mehmet Shehut. Na mblodhën në sallën e madhe të Fakultetit dhe sekretari byrosë së Partisë për Fakultetin na lexoi letrën e Enver Hoxhës, në të cilën Mehmet Shehu nga njëra anë quhej poliagjent, kurse nga ana tjetër thuhej se me vrasjen e tij i bëri një dëm të madh Partisë dhe shtetit.

Shumë është shkruar për këtë vrasje enigmatike. Ishte luftë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve të Nexhmijes? Apo ka qenë dora e shërbimeve sekrete?! Enigmën e saj, vetëm dy njerëz mund ta zgjidhnin: Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Por i pari iku duke e marrë me vete sekretin, kurse e dyta, duke u munduar ta fshehë të vërtetën, arrin të deklarojë me cinizëm: “Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.(!) Memorie.al

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Elili: 02/12/2023 19:07

    Realizmi neo-socialist tash eshte realitet. Mesojme, psh, nga i intervistuari "kuader" i mehmet-enverizmit, se "Partia" kishte radikale dhe liberale, keta te fundit i hante kosa. Hmmmm. Pra, rrjedhimisht, me radikali dhe ekstremisti nga te gjithe, vrases me dore te vet, ose ish i rekrutuari i Fulc, shoku Mehmet, rreshqiti ne liberalizem dhe... e kapi kosa. Ndaj, si duket, eterit e formesuan Edvinin neper "radikalizem" ekstrem, psh "byroistet ne litar", "spaten ne dore", "bunullima e grushta" para hetimit parlamentar, e deri ne minat e tritolin si me kapter, mender, president Irfanin... Keshtu eshte kur edhe pse ne pune tende, pa dashje je ne mosperputhje me "vijen" imagjinare ne mendjen e partise...kupto, Enver, apo Ramiz, apo Sali, apo tehu Edvin!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord të falen gjobat për ndërtimet pa leje në fshat e 'Covid19'?