Deputetja e PS, Klotilda Bushka:
Basha s'flet për Agron Kapllanaj

8 Nëntor 2017, 13:13| Përditesimi:

  • Share
Deputetja e Partisë Socialiste ka reaguar, duke thënë se Basha ka 6 ditë që nuk reagon për Agron Kapllanaj, Kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës.

Bushka tha se, Lulzim Basha vazhdon të bëjë hetuesin, prokurorin, gazetarin, dhe të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e tij “të dashur” të dekriminalizimit për të dytën herë.

Deklarata e plotë:

Si ka mundësi që Partia Demokratike vazhdon të mbrojë një njeri të dënuar për vjedhje makinash, vjedhje banesash?

Si ka mundësi që ky njeri vazhdon të mbajë i pashqetësuar detyrën e kryetarit të Bashkisë Mallakastër; apo vetëm e vetëm sepse është përfaqësues i Partisë Demokratike?

A ndikoi Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri të arkivonte dosjen e Agron Kapllanaj?

KQZ, në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë, shkeli hapur ligjin dhe afatin e parashikuar prej ligjit për marrjen në shqyrtim të çështjes.

Lulzim Basha vazhdon të bëjë hetuesin, prokurorin, gazetarin, dhe të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e tij “të dashur” të dekriminalizimit për të dytën herë!

Është hera e dytë që Lulzim Basha merr në mbrojtje njerëzit e tij të kapur me presh në duar dhe është e hera e dytë që refuzon të marrë përgjegjësinë si kryetar në detyrë i PD.

Basha kujton se do të mashtrojë përsëri demokratët, duke u kapur si i mbyturi pas fijes së barit me një histori që i takon drejtësisë, aspak Lulit, që ta zbardhë deri në fund.

Shpifjet e tij për Policinë e Shtetit janë përpjekjet e dëshpëruara të një njeriu të dëshpëruar, ndërkohë që Policia e Shtetit ka bërë detyrën duke dhënë një tjetër shembull të qartë: se për ne e për qeverinë tonë nuk ka dy standarde, siç ka për Lulzimin kur vjen puna për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit!

Deklaratat e Partisë Demokratike se ne socialistët kërkesën për pavlefshmërinë e mandatit të Agron Kapllanajt e kemi për shoë mediatik janë qesharake dhe janë përpjekje për të hequr vëmendjen e publikut nga kjo çështje.

Kjo sepse ne socialistët, respektimin e ligjit dhe barazinë e të gjithëve para ligjit e kemi treguar me fakte, me veprime dhe jo me fjalë ashtu siç po veprojmë dhe këtë herë me kërkesën që i kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Agron Kapllanaj.

Kryeministri Edi Rama dhe kjo mazhorancë kanë dhënë shembullin e përjashtimit dhe të nënshtrimit ndaj organeve të drejtësisë të të gjithë individëve të akuzuar për kundërligjshmëri.

Ju kujtoj këtu rastin e ish kryebashkiakut të Kavajës, të cilin kryeministri Rama e shkarkoi nga detyra.

Ndërsa Lulzim Basha jo vetëm që nuk ka marrë asnjë vendim për përjashtimin e Agron Kapllanajt nga forumet partiake, por nuk guxon as të shprehet publikisht për rastin, ashtu siç i takon kryetarit të partisë që e  kandidoi dhe u dha fatin e keq mallakastriotëve të drejtohen nga një person i dënuar për vjedhje.


Redaksia Online
Xh.F /Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?