Ina Zhupa

Deputetja e PD denoncon skemën e abuzimeve me grantet e Start-up-eve: Ministrja Bilali shpërndan miliona lekë të shtetit për shoqërinë

20 Dhjetor 2022, 14:20| Përditesimi: 20 Dhjetor 2022, 14:25

  • Share

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka denoncuar ministren e Sipërmarrjes Edona Bilali se kryen abuzime me grantet e Start-up-eve për inovacionin dhe shpërndarë paratë me shoqërinë. Zhupa thotë se Bilali ka dhënë 2 grantë me vlerë 88 milionë lekë për 2 organizata që janë pjesë e rrjetit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Pas debatit në seancën e shkuar plenare me Bilalin, Zhupa vijon akuzat për ministren e Sipërmnarrjes duke thënë se ka konflikt interesi me shefat e AADF pasi janë anëtarë të bordit të qendrës që përfiton grante. Po ashtu, deputetja e PD ngre pikëpyetjen nëse Butrinti po përdoret për interesa personale duke devijuar fonde.

“Edona Bilali dhe dy shefat e AADF, Mata e Sarapuli, nuk e kanë parë konfliktin e interesit në faktin se janë që të dy anëtarë të bordit të qendrës që përfiton grante dhe njëkohësisht kanë anëtarët e AADF ne komisionin qe i jep grantet. Ky konflikt i hapur interesi, që vetë i bëjnë organizatat dhe vetes ia japin paratë, ngjan si një darovitje tipike ballkanike.

Sa për kujtesë të publikut, Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim ka qenë në qendër të debatit kohët e fundit për koncensionin e Butrintit. Ky ka qenë shqetësimi i madh që, unë si deputete, dhe Partia Demokratike kanë ngritur vazhdimisht sa i takon këtij rasti. A mos, një aset kombëtar dhe ndërkombëtar si Butrinti, përdoret për interesat flagrante personale dhe private duke devijuar fonde dhe dëmtuar trashgiminë?! Një pjesë e përgjigjes jepet nga përfshirja e dy krerëve të AADF në një skemë të pastër përfitimi pavarësisht konflikti të hapur të interesit”, tha Zhupa.

Rasti i dytë që përmendi deputetja e PD është përfitimi i 40 milionë dollarëve nga djali i drejtorit të FSHZH Fladi i Agollit për start-upin e tij. Po ashtu Zhupa rendit të tjerë në listën e fituesve të start-up që pretendon se janë larg të qenit inovativ apo teknologjik. Sipas deeputetes, edhe Hasko që ka përfituar grant për start-up ka qenë bashkëpunëtore e ministres për një kompani konsulencash.

“Një rast tjetër i granteve për start upe është një emër tashmë i fort-lakuar në media për abuzime me fondet. Flladi Agolli, i biri i Dritan Agollit, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka përfituar 40 milionë lekë për Start-up-in e tij. Kohë më parë Dritan Agolli u denoncua për shpërblimin e të birit me 500 milionë lekë, duke e shpallur fitues për një libër gatimi, shefin e restorantit të tij. Ministrja e sipërmarrjes në keqperdorim të parave nga arka e shtetit, ka darovitur edhe një familje tjetër, me sa duket të afërt me të dhe partinë. Altin dhe Arbi Bamllari, babë e bir, kanë marrë 50 milionë lekë për kompanitë e tyre “Skytech” dhe “3DSKY”.

Gjithashtu, Bilali ka dhënë një grant prej 50 milionë lekësh për Kamela Haskon, auditore që e mesa duket ka qenë bashkëpunëtore e Edonës kur kjo drejtonte një kompani konsulencash. Hasko së bashku me bashkëshortin menaxhojnë zyrën e auditit “AKH consulting” që është larg te qënurit inovative, rinore, apo teknologjike. Prova të tilla nga ministria e Sipërmarrjes shohin të rinjtë shqiptarë, që marrin përsipër të braktisin Shqipërinë dhe te nisem me gomone deteve të Europës. Prova të tilla dalin e teprojnë për të kuptuar se Shqipëria është në rrezik dhe se ne duhet t’i dalim zot. Të gjithë bashkë!” – tha Zhupa.

Për këtë çështje ka reaguar më parë Sali Berisha, të cilit i ka kthyer përgjigje vetë ministrja duke thënë se janë shpifje pretendimet se ka përfshirë miqtë e saj në grante për start-up.

Start-up nënkupton kompani apo individë të cilët hedhin në treg ide të reja inovatore, kryesisht në teknologji.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?