Deputetët që dolën kundër dënimit me 10 vjet të burrave që rrahin gratë, kundër edhe gjyqtarët dhe Avokatja e Popullit  

16 Prill 2020, 14:52| Përditesimi: 16 Prill 2020, 15:50

  • Share

Disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor kanë kundërshtuar propozimin e dy deputetëve të Partisë Socialiste Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, për ndryshimin e Kodit Penal, konkretisht të nenit 130/a, për dënimin deri në 10 vite burg për burrat që rrahin gratë. Report Tv ka zbardhur edhe diskutimet në Komisionin e Ligjeve për projektligjin. Deputetja dhe relatorja Vasilika Hysi ka mbështetur kriminalizimin e dhunës psikologjike, por jo ashpërsimin e dënimit. Zonja Hysi ka deklaruar se “Nuk është politika penale dhe ashpërsimi i dënimit ajo që mund të parandalojë dhunën në familje. Më vjen keq që e them. Politika penale, duke ashpërsuar dënimin, nuk do të ishte mjeti më i mirë... Të shohim për një zbatim më të mirë të Kodit Penal dhe masa alternative”. 

Deputeti i PS, Fatmir Xhafa, ka pohuar se “nuk bie plotësisht dakord për mënyrën se si janë shkruar amendamentet dhe me masat e dënimit. Propozohet një rritje e ndjeshme e dënimit. Besoj se kjo është në kundërshtim me parimin e propocionalitetit, parimin e ligjshmërisë dhe me çdo parim tjetër të së drejtës penale. Në paragrafin e katër masa e dënimit është tepër e rëndë. Le të imagjinojnë dy raste, një baba apo një nënë, gjatë një muaji, godet dy herë fëmijën me pëllëmbë. A meriton deri në 10 vjet dënim me burg se është e përsëritur? Nëse kjo ndodh vetëm një herë të vetme, por ndodh në sy të vëllait apo të motrës, a meriton prindëri deri në 10 vjet burg? Problemi nuk duhet parë vetëm në ashpërsimin e dënimit, por në gjetjen e mekanizmave që rrisin efikasitetin e zbatimit të ligjit. Ndoshta duhet të shtyhen për një kohë të dytë, por masat e dënimit duhen parë domosdoshmërisht”. 

Deputetët e opozitës Alban Zeneli, Ralf Gjoni dhe Korab Lita janë pozicionuar kundër, jo për shkak të dënimit, por më shumë për amendamentin në lidhje me thyerjen e karantinës. 
Ndërkaq, sipas raportit që Komisioni i Ligjeve ka përgatitur për këtë projektligj, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka theksuar se dënimet e propozuara për burrat që rrahin gratë janë shumë të ashpra. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka sugjeruar rishikimin e dënimeve të propozuara. Të njëjtën gjë ka sugjeruar edhe Avokatja e Popullit, duke kërkuar që dënimet për dhunën në familje të jenë proporcionale. Prokuroria e Përgjithshme ka pohuar se këto ndryshme janë të panevojshme. 

Misioni EURALIUS ka rekomanduar vetëm rishikimin e përfshirjes së kategorisë së ¨personave në lidhje intime¨, duke mos kundërshtuar masën e dënimit. UNDP Albani ka kërkuar ndryshimet e propozuara të shtrihen edhe tek dhuna e ushtruar ndaj personit në kujdestari, ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerësoi ashpërsimin e dënimit për rastet e dhunës në familje. Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale e kanë mbështetur dënimin maksimal deri në 10 vite burg për dhunuesit përsëritur dhe kur dhuna ushtrohet në sytë e fëmijëve.

Varianti i Komisionit të Ligjeve

Neni 130/a i Kodit Penal 

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, psikologjike, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim deri në katër vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet burgim.

Propozimi i dy deputeteve të PS
Neni 130/a
Dhuna në familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish- bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish -bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish -lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim një deri ne pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga dy deri në 10 vjet burgim.

Varianti në Kodin aktual në fuqi

Neni 130/a

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kafsha: 16/04/2020 16:29

    O Zota o Perendira c fare individë qelbesira drejtojne Shqiperine......po si more mos denohen 10 vjet qoftë shendet dy pellembe femijes? O funderrina fëmija nuk goditet me fjale jo me me shpulla. Ku jetoni o te veremosur? Si ore te mos denohen plerat me 10 vjet kur rrahin grate? Shoqeri e eger patriarkale, turp!

    Përgjigju
    • Turi: 16/04/2020 17:52

      O zonje. Por kur gruaja flet ma shume se burri, dhe nuk I pushon goja. Ti e din se familja ka nje kryefamiljar, jo dy. Dhe kryefamiljari eshte burri. Duhet të ketë diskutime në shtëpi, por duhet të vendosin burri. Kjo është familja. Familje që u shkatërrua në të gjithë botën nga ligje koti. Jam kundër goditjes së gruas, por duhet pasur kujdes. Në shumicën e rasteve është gruaja që e tepron. Në rast se vërtetohet se burri e ka trotuar, siç ka raste, atëherë edhe 20 vite burg. Kanë marr zemergratedhe po e shkatërrojnë familjen. Ose beni gratë, kryefamiljare

  • Iliria e bashkuar: 16/04/2020 16:22

    Shume dobet. Ska kuptim te coni burrin ne burg. Duhet pergjithesur ndarja e cifteve. Jeta vazhdon si te vi dhe mund te jete edhe me mire.

    Përgjigju
  • Niku: 16/04/2020 15:53

    Ne fakt problemi duhet pare ne prizmin qe jemi shoqeri e dhunshme dhe duhen shtruar njerezit. Nese rrahin grate apo femijet, futini ne biruce per 72 ore dhe bejuni trajtim special me hunj e litare dhe nese eshte e perseritur, mbajini nje jave ne trajtim special. Ne fund bejuni dhe nje masazh nga shputat e kembeve me bisht lopate.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?