Denoncimi për delegatin e FSHF-së Bujar Pregja, drejtori i Flamurtarit: Provokoi tifozërinë tonë, nuk i druhemi hakmarrjes së federatës

19 Shkurt, 11:29| Përditesimi: 19 Shkurt, 12:18

  • Share

Të dielën Flamurtari u rikthye te fitoret në Kategorinë e Parë, pasi mposhti pastër 2-0 Korabin, por më shumë se tre pikët pas ndeshjes bëri përshtypje kallëzimi në polici i delegatit të ndeshjes nga FSHF Bujar Pregja.

“Çuditërisht mbas mbarimit të ndeshjes Z.Pregja ka provokuar tifozët vlonjatë në një mënyrë që s’po e kuptojmë pse. Çfarë qëlimi ka? Klubi i Flamurtarit s’mund të rrinte indiferent ndaj këtij reagimi të këtij personi që nuk është shumë dashamirës ndaj klubit tonë,”-u shpreh Alfred Ferko, drejtor i Flamurtarit.

Drejtori i klubit të Flamurtarit thotë se kishte një arsye madhore pas këtij denoncimi.

“Mund të ndodhë dhe ka ndodhur që mund të krijojë dhunë mes tifozëve,”-tha Alfred Ferko, drejtor i Flamurtarit.

Javët e fundit klubi i Flamurtarit ka reaguar fort dhe ashpër ndaj vendimeve të arbitrave, që sipas tyre janë orkestruar nga federata shqiptare e futbollit. Duke shtuar edhe këtë denoncim vihet re qartë se situata mes palëve është e tensionuar. Pyetjes nëse i tremben apo jo një hakmarrjeje të mundshme nga federata, kreu i klubit përgjigjet kështu:

“Ne jemi shumë të qetë sepse kemi të drejtë për atë që bëmë, për denoncimin. E drejta është në anën tonë,”-deklaroi Alfred Ferko, drejtor i Flamurtarit.

Më herët presidenti i Flamurtarit Sinan Idrizi ka njoftuar se do denoncojë në prokurori FSHF-në dhe kreun e saj Armand Dukën pasi po dënojnë qëllimisht nëpërmjet arbitrave klubin vlonjat.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?