Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias vizitë në Kosovë

Dendias vizitë zyrtare në Kosovë, Presidentja Osmani: Shpresojmë që së shpejti të formalizohet vendimi për njohjen

8 Qershor 2022, 18:10| Përditesimi: 8 Qershor 2022, 22:09

  • Share

Sikurse u njoftua ditën e djeshme, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Presidenca e  Kosovës, gjatë takimit me ministrin Dendias, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy shteteve duke shpresuar që së shpejti të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.

Në njoftimin e Presidencës thuhej se një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.

Gjithashtu Osmani gjatë takimit ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?