Denald Prifti: Arkivat mbi propagandën
antihebraike në Gjermani

5 Maj 2013, 07:02| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Denald Prifti sapo ka nxjerrë në dritën e botimit librin “Armiku Jude”, një histori e shkurtër e propagandës antijudaike në Gjermani. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Plejad”. Në studimin e tij historik Denald Prifti i është rikthyer historisë së vuajtjeve të komunitetit hebre që nga lashtësia deri në ditët e sotme, duke vërtetuar se ky komunitet gjatë gjithë këtyre shekujve ka provuar nga të gjitha poshtërimet, për të vetmin fakt se ishin një komunitet që besonin në një Zot.

Përmes këtij studimi Prifti argumenton sesi çuditërisht, hebrenjtë apo judenjtë fillojnë dhe persekutohen në masë me daljen në skenë të doktrinës së monoteizmit dhe të spikatjes së veçantisë së besimit të tyre në një Zot. Sipas tij, zanafilla e persekutimit të kësaj race zbulohet që nga Historitë e Dhiatës së Vjetër, të cilat përbëjnë një narracion kulmor për shumë besime të tjera, të cilat kanë marrë substrate dhe filozofi të jetës e veprimeve hebraike.

“Është kënaqësi e veçantë për mua që të paraqes këtë studim mbi një subjekt të parrahur më parë nga historianet e rinj shqiptar gjate kërkimeve të tyre universitare. Ky studim më ka dhënë sa gëzime në punën e përfunduar, dhe sa lodhje në tregun e vështirë kërkimor mbi problematikën e një komuniteti si ai Hebre, duke mos pasur asnjë studim në shqip, ku do të mbështeteshim, por as edhe libra alternativë mbi propagandën antijudaike apo antihebraike në Gjermani.

Me anë të këtij studimi jam munduar të jap një prekje shumë të vogël të problematikës në fjalë, pasi ajo përbën një subjekt mjaft të madh dhe kërkon hulumtime të mëtejshme e të zgjeruara në këtë fushë”, thotë Prifti. Libri i Priftit është mbështetur mbi punën studimore individuale pranë departamentit të Histori Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës si punim diplome në vitin 2007, por botimi pas disa vitesh në një libër, erdhi jo vetëm për vlerësimin maksimal që mori me temën, por edhe sepse fillesat dhe përfshirja në këtë temë i kanë ardhur shumë natyrshmëm.

Ndodh që ngjarje të thjeshta nga jeta, të kthehen në pika ndriçuese të për një studim shkencor. Denaldi tregon se “Për natyrën e kërkimeve në studimin tim jam nxitur nga nota humori të shkëputura nga një situatë disi komike që i kishte ndodhur filozofes Hannah Arendt. Në një debat qesharak me një gjerman pas Luftës së Parë Botërore, i cili po kërkonte gjithë mllef shkaktarin e fatit të keq gjerman, ai e akuzoi atë dhe të gjithë judenjtë për “plagët” që i sollën Gjermanisë së pasluftës. Ajo qetësisht i kthehet: “Po ke të drejtë, fajtor për këtë gjë janë judenjtë e biçikletaxhinjtë.” “Ç’ne biçikletaxhinjtë?”- i tha ai. “Po pse judenjtë?”- i përgjigjet ajo.

Pra, situata ishte pak një “black comedy”, e cila nën petkun e humorit fshihte paditurinë gjermane, por edhe forcën hipnotizuese që propaganda naziste kishte ushtruar ndaj tyre, duke i rikthyer gjermanët në kavie e duke i veshur judenjtë me një petk djallëzor dhe aktakuza ndaj tyre do të ngelej në nivelin e gojëdhënës, por shumë e efektshme,” që do të çonte për flijim një numër shumë të madh njerëzish në një luftë botërore pa fund, ku pjesa më e prekur do të ishin forca më e padobishme për kampet e përqendrimit, që ishin fëmijët.

Gjithashtu, në këtë studim, Denald Prfti ka shfrytëzuar informacione, edhe nga një sërë cikël leksionesh të profesorëve pranë Departamentit të Historisë Botërore të Universitetit të Tiranës. “Në realizimin e këtij studimi u nxita edhe nga leximi i veprave monumentale, si ajo e autorit Harvey Sarner apo shkrimeve të ndryshme që me aq zell i ka përgatitur z. Shaban Sinani dhe besoj se pa inkurajimin nga veprat e tyre nuk do të kisha nisur këtë studim që ju të dashur lexues e keni në dorë.”, thotë historiani i ri Denald Prifti.

Libri ka të reja interesante, të cilat vijnë në këtë studim me mbështjejen e udhëheqëses së temës, dr. Eva Tafili, si dhe me mbështetjen e z. Maks Husi, kryetarit të shoqatës së miqësisë Izrael-Shqipëri, z. Petrit Zorba, që për orientimin e epilogut të këtij studimi hedh dritë mbi strehimin ndër shekuj të judenjve në Shqipëri, duke evidentuar vërtet vlerat e bujarisë e mikpritjes shqiptare karshi popullit vëlla hebre. Prifti thotë se “Ky studim u kushtohet të gjithë fëmijëve të pambrojtur judenj, të cilët nuk i lanë të shijonin fëmijërinë e tyre.” Në këtë libër ka edhe një studim historik se ku dhe kur ka nisur zanafilla e përndjekjes së hebrenjve në botë.

ZANAFILLA E PËRNDJEKJES SË HEBRENJVE NË BOTË

Sipas studimit të bërë në librin e Denald Priftit, fryma e urrejtjes filloi që me ardhjen në fronin e Romës të perandorit Kaligula, i cili vendosi ligje të rrepta për adhurimin e tij si zot. Zoti i Izraelit duhej lënë mënjanë. “Tashmë në këto zona të pushtuara duhet të mbizotëronte ligji romak, e si pasojë e tij, i vetmi që duhet të adhurohej ishte perandori, sepse ai konsiderohej zot mbi tokë.

Një numër i madh judenjsh u shpërngulën që në shekullin e pare dhe më pas në Mesdhe, në Greqi apo Romë, ata që kryesisht merreshin me tregti ose vinin si skllevër të kapur nga trupat romake. Shumë komunitete judenjsh ishin zhvendosur edhe në Egjipt, Greqi si edhe në Azinë e Vogël apo Babiloni e Afrikë”. Këtë historian e vërteton me faktin që edhe sot në shumë vende do të shohim elemente të kulturës e traditës hebraike.

“Një element shume fisnik qe i dallonte hebrenjtë nga te tjerët ishte përkushtimi i tyre ndaj zotit të tyre monoteist”, shkruan Prifti, duke komentuar më tej se: “Vetë filozofi Senaka, i frikësuar për përhapjen e këtij komuniteti në brendësi të Romës, dhe i trembur se mos ky komunitet do ta zaptonte atë, me mllef ka thënë se: “ Praktika e këtij kombi batakçinjsh ka triumfuar aq sa janë përhapur kudo e të pushtuarit po bëjnë ligje për pushtuesin”.

Në një farë mënyre ai u frikësohej tendencave të disa romakëve që kishin filluar t’i pëlqenin ritet dhe besimin hebraik drejt një Zoti të vetëm. Romakët u frikësuan shumë edhe gjatë përhapjeve të ideve të krishterimit nga apostuj si Pali, i cili arriti që me fjalët e tij të rrokte zemrat e shumë besimtarëve paganë”

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print(05.05.2013)

Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?