Lulzim Basha

'Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 gur themeli i Kosovës', Basha: Gjysma e familjes sime u largua

2 Korrik 2020, 18:46| Përditesimi: 2 Korrik 2020, 19:32

  • Share

Kryetari i PD-së Lulzim Basha thotë se deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 është gur themeli i shtetit të Kosovës. Ai tha se Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për Republikë dhe Pavarësi dhe kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008. Basha në postimin e tij ka theksuar se Kosova do të ecë e vendosur dhe e sigurtë drejt ndërtimit të një shteti të fortë demokratik, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është gurthemeli i shtetit të Kosovës. 2 korriku i 1990 shënoi forcimin dhe bashkimin e të gjjthë faktorëve shqiptarë në Kosovë, nën drejtimin e Ibrahim Rugoves, për një qëllim të madh, Kosovën e Pavarur. 30 vjet më parë, gratë dhe burrat e Kuvendit të Kosovës rindezën pishtarin e lirisë dhe shënuan kthesën e madhe në historinë e Kosovës. Një ditë e madhe, një ditë e bekuar për shqiptarët në të dyja anët e kufirit. Kurrë nuk kam për ta harruar me çfarë gëzimi dhe emocioni është pritur ai vendim në familjen time, gjysma e së cilës u detyrua të largohej nga Peja dhe Drenica para një shekulli si pasojë e dhunës dhe terrorit.

Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për Republikë dhe Pavarësi dhe kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008. Kosova ka ditur ndër shekuj të tregojë guxim, forcë e largpamësi përballë sfidave të shumta që ka kaluar në historinë e saj. Jam i bindur se me të njëjtën kurajo dhe maturi të bazuar në shembuj të jashtëzakonshëm burrash e grash që ia dedikuan jetën lirisë dhe pavarësisë, Kosova do të ecë e vendosur dhe e sigurtë drejt ndërtimit të një shteti të fortë demokratik, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Kujtojmë se sot është edhe 30 vjetori i hapjes së dyerve të ambasadës gjermane për shqiptarët, një ngjarje e rëndësishme e shpresës së tyre për liri.

Pamje nga Kosova

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?