Degradon godina e maternitetit
“Mbretëresha Geraldinë”

12 Dhjetor 2013, 05:25| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Godina e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet po degradon dita ditës. E vetmja pjesë që i ka shpëtuar këtij degradimi dhe që është mirëmbajtur është ajo e pjesës ballore.

Sipërfaqet e tjera, ajo ansore dhe e pasme i ngjajnë një godine të vjetër e të harruar në të cilën nuk është vënë dorë ndër vite.

Që në hyrje, vështirësia e parë krijohet nga numri i madh i makinave që qarkullojnë brenda një hapsire të vogël, dhe që rrinë aty me orë të tëra duke vështirësuar lëvizjen e ambulancave dhe të pacientëve që i drejtohen maternitetit.

Përsa i përket godinës ajo është amortizuar, suvaja ka rënë në shumë vende dhe disa prej xhamave nga pjesa e mbrapme e godinës janë të thyer. Ky amortizim ka përfshirë pjesën më të madhe të godinës.

E njejta gjë nuk mund të thuhet për pjesën ballore e cila është mirëmbajtur dhe është në gjendje të mirë. Ndërsa sipërfaqet e padukshme janë lënë në harresë prej kohësh dhe këtë pak e vënë re pacientët që hyjnë dhe dalin çdo ditë aty. Me gjithë rëndësinë e saj, vazhdon të jetë me xhama të thyer duke e bërë akoma më urgjente nevojën për ndërhyrje. Kjo godinë tepër e rëndësishme që shërben për të sjellë në jëtë shumicën e të vegjëlve në kryeqytet është lënë në harresë dhe tashmë ka nevojë për rikonstruksion.
 
Shkrimi u publikua sot (12.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?