Shoqëria civile në protestë te 'Ura e Zogut'

Degradimi i urës së Zogut, shoqëria civile në protestë: Nëse Rama s'do të mbahet mend si kryeministri që la të shembej monumenti i kulturës, të reagojë

7 Shkurt 2021, 12:22| Përditesimi: 7 Shkurt 2021, 12:46

  • Share

MILOT- Degradimi i Urës së Zogut mbi Lumin Mat dhe mungesa e reagimit nga institucionet shtetërore, ka ngritur në protestë një grup të rinjsh dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile të zonës së Kurbinit. Me pankarta në duar, 'ku është shteti', 'të mbrojmë urën', ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e këtij monumenti kulture i cili rrezikon shembjen e plotë, ndërsa u prezantua dhe peticioni i nënshkruar nga më shumë se 1500 qytetarë që do t'iu dërgohet institucioneve vendore dhe qendrore përmes të cilit kërkohet ndërhyrje e menjëhershme.

"Nëse Rama nuk do të mbahet mend si kryeministri që la të shemben monumentet e kulturës, le të marrë masa dhe të mbrojë këtë urë nga shembja. Ky monument nuk po shembet si pasojë e pasojave atmosferike, por nga kompanitë që gërryejnë lumin përditë për 30 vite me radhë", tha Elton Laska, Aktivist i Shoqërisë Civile.

Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore  që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.

Për vite me radhë, ekspertë të mjedisit dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore u ranë kambanave të alarmit se eskavatorët që nxjerrin zhavorr nga lumi Mat, po rrezikonin seriozisht “Urën e Zogut”,  e shpallur monument kulture në vitin 1999. Megjithatë shqetësimi ra në vesh të shurdhër, ndërsa reshjet e muajit të fundit e fundosën njërën prej këmbëve të urës me 2 metra e 40 centimetra, duke rrezikuar shembjen e saj.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?