Deda, 'Zelensky shqiptar' ironizon Bashën: Nuk shkoj në Bashki për ta mjelë si lopë e nesër të jem kreu i PD! Veliaj e ka luftën me Ramën

28 Nëntor 2022, 22:49| Përditesimi: 29 Nëntor 2022, 10:41

  • Share

Julian Deda, i cili mund të cilësohet ‘Zelensky shqiptar’ duke qenë se si aktor komedie është futur në politikë dhe do të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. I ftuar në ‘5 pyetje nga Babaramo’ në Report Tv, Deda e quan veten ‘gati mjek’ duke qenë se është aktor komedie dhe shprehet se fjala është ajo që përdor herë në mënyrë satire, e herë në formë humori për të treguar çfarë nuk shkon me vendin.

Deda, pjesë e primareve të Sali Berishës për bashkinë e Tiranës shprehet se ka një vizion për kryeqytetin që do e shpalosë bashkë me stafin. Për këta të fundit premtoi se do i ketë gjithmonë pas për t’u konsultuar dhe nuk do të marrë vendime i vetëm. Teksa është në garën e primareve për bashkinë Tiranë, nuk kursen ironitë për Lulzim Bashën duke thënë se nuk ka qëllim që të marrë postin e kreut të PD.

“PD i jam bashkuar që kur doli në opozitë. Ky që kemi është marrë me mediat, bandat, shpifjen e çdo gjë tjetër veçse me punët e qytetit. Unë nuk kam vendosur ta bëj vetëm në këtë punë, nëse do jem kandidati i zgjedhur, s’jam gjithçka ditës e nuk flas për gjithçka, por do të mundohem të kem staf të shkëlqyer me të cilët do konsultohem për çdo fushë e më pas do marr vendimin. Unë nga profesioni që vij, është tepër human, jemi gati si mjekë pavarësisht se nuk përdorim bisturi e stetoskop. Unë mendoj se jam një format tjetër, nuk nisem të shkoj në Bashki për ta zhvatur e ta mjel si lopë që nesër të jem kryetar i PD. Është një garë e pastër. Nuk ka garë në këtë vend pa gëc-mëc se dhe me gruan në çift, nuk të shkon vaj. Nuk ka gara të tipit Lul-Eduard dhe e gjithë partia punonte për Lulin. Është garë ndaj 7 personave me botëkuptime të ndryshme që i ofrohen si altenartivë demokratëve për ta çuar përballë socialistit që do të jetë ose jo Erion Veliajt”, tha Deda.

I pyetur për 6 rivalët që ka përballë në garën e primareve, Deda u tregua diplomat duke thënë se të gjithë kanë dashamirësit e vet dhe kanë nevojë për njëri-tjetrin.

“Nëse fitoj unë, të gjithë do i kem në krah të djathtë dhe vetë do qëndroj i fundit”, tha Deda.

Ndërsa për PD zyrtare flet me ironi duke ngritur pikëpyetje se kush janë dhe kush i mbështet ndërsa thotë se demokratët njohin Sali Berishën si kryetar.

“Kush janë këta? Ku e kanë selinë? Ku është selia e tyre? Në statut ka një seli, ku e kanë? Ish godina e SHQUP-it është selia e PD me kryetar Sali Berishën. Kush janë mbështetësit e këtyre të Alibeajt? Demokratët janë me Sali Berishën dhe kanë votuar në shumicë për Berishën. E kam thënë dhe diku tjetër, se quaj fare përçarje, s’mund të ketë demokrat e të dalësh në një betejë t’i prishësh punë partisë që përfaqëson. Nuk ka demokrat që del në betejë dhe i çon pikë kundërshtarit. PD është e bashkuar, ka një kryetar e kryesi. Thonë nuk mund të pranojmë që një ‘non grata’”, tha Deda.

Për fjalën e kryeministrit se “Erioni do ta shkrijë çfarëdolloj pjelle që do të dalë nga primaret e Berishës”, Deda u shpreh se Veliaj e ka luftën me Edi Ramën.

“Erioni s’ka çfarë shkrin se do merret me Ramën. E ka luftën me atë. Thonë nganjëherë e keni personale me Erionin por jo. Këtu nuk ka ku të lozin fëmijët. Ka baltë. Në këtë lagjen ku jeton nuk ka një gjimnaz”, tha Deda.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?