Ilirjan Celibashi

Politikë

Debatet për fletën e votimit më 25 prill, mblidhet KQZ! Diskutohet propozimi i Celibashit dhe variantet e tjera

1 Prill 2021, 12:15| Përditesimi: 1 Prill 2021, 18:00

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar sot në mbledhje të posaçme mbi konfigurimin e fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit. Mbledhja është duke u shoqëruar me debate mes palëve dhe komisionerit Celibashi.

Celibashi ka thënë se fleta që ka propozuar është në përputhje me Kodin Zgjedhor. Përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji tha se fleta e Tiranës gati me 500 emra, e ndërlikon votimin.

"Fleta me numra është e thjesht, votohet subjekti e pastaj numri i kandidatit, numri është ai që bën orientimin e zgjedhësit direkt në fletën e votimit. Duhet që të votohet Qartë dhe thjeshtë dhe  një proces i rëndësishme është edhe numërimi që duhet të jetë i shpejtë dhe korrekt. Informacioni në fletën e votimit nuk duhet të jetë i ngarkuar. Konfigurimi i fletës të jetë i qartë, i zbatueshëm dhe zgjedhësit ta kenë të thjeshtë", tha ai. 

Përfaqësuesi i PD-AN hodhi akuza ndaj socialistëve duke theksuar se ata që më herët ishin “dashnorë” të listave të hapura, sot kërkojnë të fshehin kandidatët pas numrave.

 “Është çudi e madhe që subjektet që deri dje ishin dashnor të listave të hapura sot kërkojnë të fshehin kandidatët pas numrave. I hapët listat? Ndërhytë në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme se jua desh qejfi. Lista të hapura ka kur kandidatët identifikohen me emër dhe mbiemër. Nuk ka asnjë shans që fleta e votimit të mos ketë lehtësinë në identifikimin e kandidatit. Kjo është një pikë e patolerueshme nga ana jonë dhe e pakonceptueshme që se si një subjekt që kërkoi hapjen e listave tani thotë t’i mbyllim. Propozimi juaj që fleta e votimit duhet të ketë emrin dhe mbiemrin e kandidatëve për ne është i pranueshëm. Edhe në sondazhin e KQZ, ky model ka prevaluar me shumicë votash në krahasim me modelet e tjera. Kemi paraqitur një shqetësim që logo e Bindjes Demokratike ka një ngjashmëri me logon tonë. Duam që modelet që kanë ardhur në këtë sallë të miratohen me një rezervë sa i përket kësaj pike”, tha Ivi Kaso.

Mbledhja është shtyrë për në orën 16:00. 

Kujtojmë se dje Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka propozuar si fletë votimi për zgjedhjet e 25 prillit fletën ku paraqiten partitë me logo dhe kandidatët me emra,dhe jo fletën me numra. Sipas propozimit të Celibashit, fleta e votimit parashikon që krahas subjekteve zgjedhore te përfshiheshin edhe emrat e kandidatëve.

Ora 14:38
Debate në KQZ/ Sekretari ligjor i PD, Kaso: BD të ndryshojë logon, krijon konfuzion, Topollaj: Kërkesë e palogjikshme por e kryem që procesi të vazhdojë

Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, në mbledhjen e KQZ-së për konfigurimin e fletës së votimit, ka shprehur shqetësimin për logon e Bindjes Demokratike, duke thënë se është e ngjashme me atë të PD-së dhe se do të krijojë konfuzion tek votuesit.

Logoja e cila përfaqëson Bindjen Demokratike përdoret prej dy vitesh, dhe pavarësisht se na ndajnë vetëm 24 ditë nga zgjedhjet parlamentarë më 25 prill, PD kërkon që logoja të ndryshojë.

Përfaqësuesi i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj tha se ndryshimi tashmë është bërë dhe se do të dërgohet logoja e re.

“E konsideroj të mbyllur pjesën e stilizimit të logos. Ne me kënaqësi e kemi ndryshuar logon, në kohë rekord, dhe me qëllim që fleta e votimit të miratohet, të bëhet sa më shpejt dhe të vazhdojë procesi”, tha Topollaj.

Ai shtoi së megjithëse kjo kërkesë e Partisë Demokratike është e palogjikshme pasi harku kohor është shumë i shkurtër, ndryshimi është bërë për të mos sjellë vonesë të procesit.

Sipas shpjegimit të tij bëhet fjalë për një ndryshim të vogël, ku poshtë është shtuar “Bindja Demokratike”.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?