Kosova & Rajoni

DASH inkurajon Kosovën e Serbinë të vazhdojnë moratoriumin mbi njohjet

3 Shtator 2021, 11:15| Përditesimi: 3 Shtator 2021, 11:18

  • Share

Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, tha një zëdhënës për Zërin e Amerikës duke u përgjigjur në pyetje lidhur me përvjetorin e parë të marrëveshjes së Uashingtonit.

"Shpresojmë që partnerët tanë të respektojnë detyrimet që ata pranuan vitin e kaluar në Uashington në mirëbesim. Elemente të shumta të marrëveshjes mbështesin prioritetet e vizionit tonë më të gjerë të rajonit - diversifikimin e energjisë, lidhjen rajonale, aplikimin e një moratoriumi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur ", u tha për Zërin e Amerikës nga Departamenti i Shtetit.

Gjithashtu u theksua se nevoja për normalizim të plotë nuk është e kufizuar në kohë, prandaj Kosova dhe Serbia inkurajohen të ndërtojnë besim politik.

"Kjo duhet të bëhet përmes pjesëmarrjes serioze dhe thelbësore në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne gjithashtu inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të shënojnë bashkëpunim në fushat e interesit të përbashkët, siç është rimëkëmbja nga pandemia dhe përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare", thuhet në përgjigje në të cilën theksohet mbështetja e SHBA-së.

Dy versione të dokumentit prej gjashtëmbëdhjetë pikash, për palët kosovare dhe serbe, u nënshkruan një vit më parë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, nga ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiç.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?