Darien Levani: Një zë
i ri i letërsisë shqipe

25 Tetor 2012, 10:57| Përditesimi:

  • Share
Darien Levani është cilësuar si një zë i ri në letërsinë shqipe. Romani i tij "Poetët bëjnë dashuri ndryshe" u promovua dy ditë më parë në mjediset e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës në Tiranë. Me librin e tij të ri "Kritika e ka cilësuar si autorin që "i jep zë frikës, shpresës e përpjekjeve të një brezi, ku historia e personazhit bëhet këndvështrim për Shqipërinë e sotme. E përfaqëson atë pa mëshirë, pa lajka e lustra, por me një ndjeshmëri të re për letërsinë shqiptare". Në promovimin e librit publicisti Fatos Lubonja dha vlerësimet më të mira.

Në thelb Lubonja foli për mënyrën sesi në këtë vend është krijuar një "distancë midis artit dhe jetës së vërtetë", dhe u shpreh se "Darien Levani këtë roman e ka sjellë tek lexuesit, duke i zbritur ata tek jeta e vërtetë". Shkrimtari Visar Zhiti e vlerësoi si "ardhjen e një zëri të ri në letërsinë shqipe" dhe u shpreh se Darien Levani ka një mënyrë të rrallë për të treguar realitetin. "Bota reale sundon me realizmin e vet tepran. Kjo duket se është fryma që përçon ky roman, që teprinë e shndërron në tjetër realitet me alkiminë e fjalës metaforike, të cilën autori e përdor në mënyrë të re", tha Zhiti.

Përkthyesi Edmond Tupja lavdëroi përdorimin e zhargonit të ditës në roman, që sipas tij "pasuron gjuhën me fjalët që vijnë nga jeta e përditshme në veprën letrare". Libri i Darien Levanit vjen me një stil krejt të ri e të palexuar në letërsinë shqiptare, vjen si një libër që reflekton mbi ëndrrat, dëshirat, dhuntitë dhe dëshpërimin e shqiptarëve të sapopjekur në dallgët e një kohe të re. Darien Levani pohon për Shqiptarja.com se "Kam trajtuar një histori personale, por duke e trajtuar në gjuhën universale të artit, përpiqem ta bëjë të vlefshme për të gjithë".
I pyetur sesi erdhi në rrugën e letërsisë Darien Levani thotë se "Ëndrra ime për letërsinë nisi herët, para se të shkruaja, kur isha i vogël. Më bënin përshtypje shprehjet e e parullave. Ky ka qenë kontakti i parë para se të nisja shkrimin. Edhe pse kishin shprehje të tilla si "kalitja" apo "të luftojmë imperializmin", për mua ishte një lloj ndikimi letrar". Guximi për t'u shprehur, ose ajo që ai quan "trimëria e rinisë" e çoi Levanin në rrugën e sigurt të Letërsisë. "Jam transferuar në Itali në moshën 18- vjeçare për studime dhe atje punoj aktualisht si avokat në një studio ligjore", tha dje për "Shqiptarja.com".

Në Itali Levani filloi të shkruante dhe botoi romanet e para në gjuhën italiane: "Solo andata, grazie", "Il Famoso Magico Qukapik". Për të nuk ka qenë e lehtë të ruajë ekuilibrin mes dy profesioneve, por përpiqet të qëndrojë ende mes letërsisë dhe drejtësisë humane. Ai thotë se "në një moment unë bëhem njerëzor, kam impulsin prej shkrimtari dhe kur përballem një çift për divorc, për shembull, unë bëhem i ndjeshëm, jam shkrimtari një çast dhe them çfarë nuk funksionon. Por menjëherë e marr situatën në dorë dhe gjykoj i papërfshirë në emocione çështjen, sipas ligjeve. Por thelbi është ai; që të dy profesionet kanë histori njerëzore dhe duhet të dalë dikush që t'i mbledh,t'u dalë zot", thotë shkrimtari dhe avokati Darien Levani.

marrë nga Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?