Daniel Guçe/ Ja sa mund të
përfitojë një individ i vetëpunësuar?

31 Mars 2016, 07:52| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Flet Daniel Guçe, drejtor i Departamentit të SME-ve dhe Zhvillimit të Eksportit, AIDA

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme janë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, çfarë projektesh zbaton aktualisht AIDA dhe si ka qenë kërkesa e biznesit për përfshirjen në to?
Agjencia e Zhvillimit të Investimeve po zbaton aktualisht gjashtë skema financimi për mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Një nga fondet më të reja është ai “Start up” për ndërmarrjet që janë nga 1-2 vjet si biznese aktive. Për përfitimet nga ky fond, biznesi sjell pranë AIDA-s një plan biznesi dhe ndihmohen në shumën 300 mijë lekë. Produktet që mund të përfitojnë nga skema financiare, janë: materiale promovuese, konsulencë, apo edhe nevoja të tjera, qofshin këto edhe logjistike.

Aktualisht pranë Agjencisë numërohen 6 aplikime, ndërsa janë 5 subjekte të disbursuara. Kohëzgjatja e këtij programi është katër vite. Biznesi brenda tre muajve duhet të kenë përfunduar të gjitha procedurat sipas planit që ka paraqitur dhe menjëherë më pas nis disbursimi i grantit. Granti është i ndarë në dy këste që në total kapin shifrën 300 mijë lekë. Në fillim disbursohet 50% e shumës që ne mbulojmë dhe pjesa tjetër kur paraqiten faturat, që tregojnë veprimtarinë e kryer. Në një projekt rreth 70% e kostove mbulohen nga AIDA dhe pjesa tjetër nga vetë subjekti që ka aplikuar. Për të gjitha projektet bëhet një shpërndarje gjeografike dhe sipas sektorëve.

Ne, prej dy vjetësh, realizojmë takime edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë si GIZ, PNUD apo dhomat e tregtisë për të promovuar këto skema financiare te biznesi. Pikërisht këto kanë ndikuar në ngritjen e disa programeve, pasi ne gjenim se një pjesë e bizneseve ishin pa NIPT (kryesisht ato të artizanatit) dhe kërkonin mbështetje për të ngritur kapacitete e tyre (marrja e kasave etj).

Një tjetër Fond i ri është ai i Grave Sipërmarrëse, që ka qenë aktiv, por që deri tani nuk ka pasur aplikime. Është një fond që ka në fokus gra, të cilat janë ose administratore ose pronare të një biznesi dhe që bazohet në financime me bazë kredie. Skema parashikon kredi nëpërmjet institucioneve mikro jobankare. Çdo e interesuar mund të marrë një kredi, por jo më shumë se 1 milion lekë dhe 50% të normës së interesit e mbulon agjencia dhe 50% e mbulon klienti. Kjo kredi duhet të shlyhet brenda periudhës 4-vjeçare, kohë në të cilën shtrihet edhe programi.
 
Çfarë është menduar për ta bërë këtë program që të funksionojë, duke qenë se nuk ka pasur aplikime?
Ne kemi menduar që ta rishikojmë Fondin e Grave Sipërmarrëse, duke parë mundësinë për ta lidhur edhe me institucionet bankare në mënyrë që të bëjmë të mundur uljen normës së interesit, duke qenë se është konsideruar disi e lartë. Është vendosur një normë interesi limit që është 16%, ku 8% paguhen nga AIDA dhe 8% nga vetë sipërmarrja. Avantazhi në rastin e financimit nga institucionet e mikrokredisë është se nuk është e nevojshme që të vendoset kolateral, ndryshe nga bankat. Ne kemi parë të udhës rishikimin e kësaj skeme për të parë sesi mund të bëhet funksionale dhe jemi duke parë mundësitë.
 
Një tjetër fond…?
Po, është ai i Konkurrueshmërisë që zbatohet prej tre vjetësh dhe është më i madhi. Për çdo projekt që pranohet, fondi në dispozicion është 1.4 milionë lekë dhe agjencia mbulon deri në 70%. Ashtu si në rastin e fondit “Start-up”, 50% e fondit disbursohet në fillim dhe pjesa tjetër në fund. Mbulon një sërë aspektesh, duke filluar nga certifikimi ISO, konsulencën, materialet promovuese, pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare, trajnime të stafit dhe shërbime të tjera. Bizneset duhet të jenë për të paktën 2 vjet aktive dhe duhet të kenë bilanc pozitiv. Për periudhën 2014–2015 është disbursuar në masën 100%. Ka pasur 21 kompani që kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga ky fond në vitin e kaluar, po këto janë edhe shifrat për 2015-n. Bizneset që kanë përfituar nga ky fond i përkasin kryesisht sektorëve, si: fason, industria e agropërpunimit, riciklimi i plastikës, bimëve medicinale, përpunuesit e peshkut, etj.
 
A duhet të bëhet më “agresive” fushata e ndërgjegjësimit te bizneset për t’i bërë më të prekshme këto fonde?
Ne kemi shfrytëzuar çdo aktivitet të organizuar nga dhomat e tregtisë, shoqatat e ndryshme, donatorët, partnerët ndërkombëtarë për të promovuar te biznesi këto fonde. Shpeshherë dalim në terren për të bërë promovime. Po kështu, gjatë vitit realizojmë anketime me biznesin, ku prezantojmë edhe skemat tona financiare. Jemi përpjekur që të jemi pjesë e të gjitha panaireve kombëtare ku bëjmë edhe informimin. Më duhet të kujtoj që dy vjet më parë, pranë AIDA-s zbatohej vetëm një Fond, ai i Konkurrueshmërisë.

Në lidhje me kompanitë jemi bërë më shumë fleksibël dhe rregulloret janë hartuar për të qenë në funksion të biznesit dhe nuk kanë qenë shumë të ngurta. Në rastin e Fondit të Konkurrueshmërisë, në fillim ai ka qenë 1 milion lekë dhe disbursimi bëhej në masën 50%, ndërsa sot ka arritur në 1.4 milionë lekë dhe masa e mbulimit 70%.
 
Po për sa i përket Fondit të Inovacionit dhe atij të Artizanatit?
Ky fond u ka shërbyer bizneseve që të identifikojnë përmes audituesve/ekspertëve nevojat teknologjike. Për vitin 2014 ishin rreth 28 kompani përfituese. Fondi në dispozicion për çdo sipërmarrje është 500 mijë lekë në formë granti. Këto shuma mund të përdoren edhe për pjesëmarrje në panaire. Një kompani e cila në momentin kur identifikon nevojën e saj, ajo mund të gjejë te një panair.

Ndërsa Fondi i Artizanatit ose i Ekonomisë Kreative nisi të jetë aktiv vitin e kaluar. Çdo projekt financohet në masën 500 mijë lekë dhe mbulohet në masën nga 60-80% dhe mund të përdoret për certifikim produktesh, për pjesëmarrje në panaire kombëtare, materiale promovuese, konsulencë etj. Vitin e kaluar kanë fituar 13 sipërmarrje, ndërsa deri tani janë 9 kompani që kanë përfituar nga kjo skemë.
 
Vetëm pak kohë më parë, qeveria miratoi skemën “Voucher” për t’i ardhur në ndihmë biznesit, çfarë është ajo?
Në total do të akordohen rreth 9 milionë lekë, për një periudhë trevjeçare, duke nisur që nga ky vit. Deri tani nuk kemi pasur aplikime. AIDA parashikon që për këtë program të ndërmarrë fushata ndërgjegjësuese, duke qenë se është në fazën e pilotimit për të parë sesi do të funksionojë në Shqipëri. Ne na është ofruar për zbatim modeli i BE-së.

Biznesi identifikon një nevojë dhe për të pasur konsulencën e duhur mund të aplikojë për këto fonde. Qeveria ka menduar që gjatë këtij viti të parë të vihet në dispozicion një fond i ulët rreth 1 milion lekë për të parë sesi do të zbatohet. Ne synojmë që të fusim te biznesi kulturën e konkurrueshmërisë, për ta bërë atë të gatshëm për eksport.

Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?