Damian Gjiknuri në takimin me sekretarët e rinj

PS nis punën për zgjedhjet në degë, Gjiknuri mbledh sekretarët e rinj, fokus riorganizimi i partisë

13 Prill 2022, 21:13| Përditesimi: 13 Prill 2022, 22:21

  • Share

TIRANË- Socialistët nuk humbin kohë, por nisin menjëherë punën për organizimin e zgjedhjeve në çdo degë. Sekretari i përgjithshëm Damian Gjiknuri ka mbledhur sot në selinë rozë sekretarët e rinj të PS të miratuar në Kongresin e 9 prillit.

Mbledhja kishte në fokus procesin zgjedhor brenda partisë, ku nga 1 maji deri në 15 qershor do të zgjidhen 61 krerët e rinj të PS.

“Diskutuam mbi procesin zgjedhor që do të zhvillohet në të gjitha strukturat e Partisë Socialiste i cili do konkludojë me zgjedhjen e 61 kryetarëve të Partisë në të gjithë vendin me qëllim ri-organizimin dhe energjizimin e çdo strukture të forcës sonë politike. Partia Socialiste e Shqipërisë gjithmonë ka reflektuar eksperiencën e duhur për të përballuar me sukses sfidat që sjell koha”, thekson Gjiknuri.

Kongresin e 9 prillit, Partia Socialiste miratoi edhe disa ndryshime në statut, ku theksojmë ndërprerjen e mandatit të 61 kryetarëve të PS në rang bashkie për të vijuar me procesin e riorganizimit të partisë dhe zgjedhjen e kryetarëve të rinj. 

Kongresi ngriti për herë të parë sekretarin ekzekutiv në 61 bashkitë, ndërsa u ngritën edhe 3 sekretariate, ai i emigracionit, i koordinimit dhe sekretariati për çështjet ligjore dhe zgjedhore. Damian Gjiknuri u votëbesua për të vijuar detyrën e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. Ai mori 277 vota pro.

Sekretarët e zgjedhur në Kongresin e 9 prillit 

Sekretari për Organizimin, Blendi Klosi

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji

Sekretare për Burimet Njerëzore Anila Denaj

Sekretare për Koordinimin, Blerina Gjylameti

Sekretari Dixhital, Etjen Xhafaj

Sekretare për Gruan, Etilda Gjonaj

Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko

Sekretari për Migracionin, Laert Duraj

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?