'Tërbohet' deti/ Humbin jetën dy pushues, shpëtohen 26 të tjerë, mes tyre 9 çekë(FOTO)

28 Korrik 2019, 12:38| Përditesimi: 28 Korrik 2019, 20:54

  • Share

Dy pushues të mbytur dhe 26 të tjerë të shpëtuar nga policia dhe rojet bregdetare është bilanci i ndryshimit të papritur të kushteve atmosferike në vendin tonë. Pavarësisht se moti ka bërë që deti të jetë i trazuar dhe me dallgë të mëdha shumë pushues i janë drejtuar plazheve duke neglizhuar sinjalistikën e flamujve të kuq që ndalon hyrjen në ujë.

Konkretisht ditën e sotme një 33-vjeçar i quajtur, Besmir Margjekaj  ka ndërruar jetë tek Gjiri i Lalëzit. Ai ka qenë duke udhëtuar me motor uji dhe pasi është rrëzuar, është mbytur. Mësohet se në momentin e ngjarjes në këtë zonë plazhi nuk ka pasur roje bregdetare, ndërsa ai është dërguar në spital nga disa pushues të tjerë por nuk ka arritur të mbijetojë. Ndërsa në plazhin e Durrësit një pushuese 50-vjeçare ka ndërruar jetë pasi ajo është futur në det për t'u larë, por nuk është ndjerë mirë. 50-vjeçarja është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës, ku ka ndërruar jetë.

Ndërkohë po sot, në plazhin e Velipojës janë arritur të shpëtohen 22 persona në disa aksione të ndërmarra nga policia dhe nga rojet bregdetare. Fillimisht janë shpëtuar një grup prej 5 personash nga Shkodra dhe nga Kosova të cilët rrezikuan të mbyteshin në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit. Në po të njëjtin vend janë shpëtuar edhe 9 turistë çek. Po kështu rojet bregdetare në plazhin e Velipojës kanë shpëtuar një grup prej 7 personash të cilët rrezikuan të merreshin nga dallgët dhe u rrezikua seriozisht jeta e tyre.

Më parë gjatë ditës së sotme po në Velipojë u shpëtua një 28-vjeçar nga Kosova. Vrojtuesi Eldi Hasani, ish portier i ekipeve zinxhir te akademise Vllaznia, ka shpëtuar turistin 28-vjeçar i cili e ka transportuar në breg duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore deri sa më pas në vendngjarje ka mbërritur ndihma e specializuar mjekësore.

Ndërsa një vajzë 9-vjeçare është shpëtuar nga rojet bregdetare në zonën afër Rrapit tek Uji i Ftohtë në Vlorë. Si pasojë e dallgëve edhe në plazhin e Sarandës është shpëtuar një person tjetër që rrezikoi mbytjen. Ndërkohë, po në Vlorë janë shpëtuar babë e bir.

Po për shkak të dallgëve të forta, ditën e sotme në portin e Vlorës, është pezulluar lundrimi i mjeteve me mbi 12 pasagjerë.
Eldi Hasani, ish-portieri i Vllaznisë i cili shpëtoi një turist



 

 
 

Ora 18:23
Dallgë të fuqishme e palma që tunden nga era/ VIDEO-LIVE moti i keq në Durrës

Kjo e dielë supozohet të ishte një ditë normale pushimi, ku turistë të shumtë do ishin duke pushuar në plazh duke shijuar rrezet e diellit në këto ditë korrikut. Por moti, papritmas mori një kthesë të fuqishme. Nga një javë e karakterizuar me temperatura të larta, kjo e dielë solli erëra të fuqishme. Kjo VIDEO-LIVE nga Skyline webcams na ndihmon për të kuptuar qartë atë se çfarë po ndodh në Durrës. Shazllonet janë të boshatisura, e ndërsa deti duket i "tërbuar" me dallgë të fuqishme.

Ora 17:49
Moti i keq/ Shpëtohen babë e bir në Vlorë, vrojtuesi: Djali mezi po qëndronte në sipërfaqe (FOTO)

1564329253_1111111001.jpg

Shkon në 26 numri i pushuesve të shpëtuar në det. Ndonëse deti ditën e sotme, ka qenë i "tërbuar" kjo nuk i ka penguar pushuesit të futen në det, duke rrezikuar jetën e tyre.  Siç raporton gazetari i Report Tv, në një prononcim për të, roja bregdetare u shpreh se babë e bir kishin shumë minuta që po qëndronin larg bregut.

"Kishin shumë minuta që po qëndronin larg bregut. Djali mezi po qëndronte në sipërfaqe, babai ishte shumë i lodhur",u shpreh roja bregdetare.

Ora 16:34
Rrezikuan të mbyteshin në det nga dallgët, shpëtohen 7 pushues të tjerë në Velipojë


7 persona të tjerë janë shpëtuar sërish në plazhin e Velipojës në zonën e Vilunit. Ata kanë rrezikuar të mbyten si pasoje e dallgëve të mëdha në det, por kanë qenë vrojtuesit e plazhit si dhe policia që kanë bërë të mundur shpëtimin e tyre, duke i nxjerrë nga uji.

 Ndryshimi i papritur i kushteve atmosferike, ka sjellë një det të trazuar dhe me dallgë të mëdha. Pavarësisht tyre, shumë pushues i janë drejtuar detit si çdo ditë. Madje në kullat e vrojtimit në  bregdetet shqiptare janë ngritur flamujt e kuq që tregon se nuk duhet të hyhet në det, pushuesit nuk e kanë zbatuar këtë sinjal.

Ora 16:25
Të izoluar në grykëderdhjen e Vilunit, FNSH shpëton 14 turistë shqiptarë e çekë, shpëtohet edhe një në Sarandë


Policia Kufitare dhe FNSH kanë mundur të shpëtojnë 14 pushues në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen. Sipas policisë për shpëtimin e këtyre pushuesve janë bërë tre ndërhyrje. Fillimisht janë ndihmuar 5 persona nga Shkodra e Kosova të cilët më pas janë transportuar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Po në grykën e Vilunit janë shpëtuar edhe 9 persona Çekë të cilët kishin ngelur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit,  jeta e tyre u vu në rrezik.  Falë ndërhyrjes së Policisë  të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën.

Njëkohësisht edhe  në Sarandë,  Policia Kufitare ka shpëtuar një pushues i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit. Kujtojmë se ditën e sotme për shkak të motit të keq në det ka patur dallgë të mëdha. Një 33-vjeçar i cili po bënte xhiro me një motor uji ka humbur jetën në Gjirin e Lalëzit për shkak se ka rënë në det. Po kështu një pushuese në plazhin e Durrësit ka ndërruar jetë për shkak të problemeve me zemrën.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?