Tish Daija dhe Panajot Kanaçi, dy maestrot që vulosën “Halilin dhe Hajrien”, si të parën vepër shqiptare baleti, përkujtohen nga Teatri i Operas dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Pjesë të përzgjedhura të veprës së tyre do të vihen ne skenë në dy mbrëmje gala, më 8 dhe 9 shkurt në orën 19.00. Valltarja e njohur Liljana Cingu, një talent i zbuluar nga koregorafi Kanaçi, njëherazi pedagog i saj tregon se si vjen baletmestro në kujtesën e saj.
“Panajot Kanaçi është një legjendë e baletit shqiptar…Kur ai ‘motonte’ vallen në sallë ne na lotonin sytë! Na lotonin, sepse ai e bënte aq bukur dhe unë i thoja: Profesor unë nuk mund ta bëj aq bukur sa ju. Dhe ai ma kthente “Jo, moj çupë, se ty të kërcen dhe fija e flokut. I jam mirënjohëse që më bëri këtë që jam sot”, shprehet Cingu.
Pasardhësi në skenë i Kanaçit, valltari Genc Kastrati tregon përgjegjësinë për të risjellë këto motive, tanimë që Ansambli i të Rinjve është rinovuar.
“Përgjegjësia më e madhe e jona është që ne të mos i transformojmë motivet, dhe ky është thelbi. Pasi motivet popullore që kanë qënë të përpunuara nga maestro Kanaçi duhet t’i mbajmë në të njëjtën formë”, shprehet Kastrati, nxënës i baletmaestros Kanaçi.
Ndërsa “Kompozitori që ndezi flakët në borë” Tish Daija përkujtohet jo vetëm si kompozitor i operave dhe baleteve, por edhe për simfonitë, këngët popullore e të lehta si dhe veprat instrumentale e vokale. Folku, sipas dirigjentes Deniola Kuraja, është magjia përbashkuese e 2 kolosëve, dhe kjo është reflektuar më së miri tek “Halili dhe Hajria”.
“Ajo që vlen për tu theksuar tek Halili dhe Hajria mbart një vlerë për faktin se si kompozitori ashtu edhe koreografi kanë kombinuar elementët folklorikë me elementët muzikorë profesional”, thotë Kuraja, dirigjente dhe njëherazi drejtore artistike në TKOB.
Ndërsa Venera Lumani, e ftuar në mbrëmjen gala të 9 shkurtit së bashku me Kamela Islamajn dhe Aleksandër Gjokan, rrëfen përjetimet si artiste e re për skenën e Operas, por edhe muzikën e traditës.
“Kënaqësi e madhe që të kthehesh dhe të këndosh në skenën e madhe të Teatrit të Operas dhe Baletit. Mund të këndosh gjithandej, por të kthehesh këtu ka një ndjesi të veçantë. Po aq edhe veçantë është t’i kthehesh këngëve të bukura, perlave të muzikës së lehtë shqiptare”, thotë Lumani.