Ivica Daçiç

Daçiç në fushatë elektorale: I besoj Vuçiç, s’ka njohje të Kosovës e as pranim në OKB

13 Dhjetor 2023, 13:21| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 13:23

  • Share

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, e ka hedhur poshtë mundësinë e pranimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nga Serbia, derisa e ka theksuar se shteti i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as “nuk do ta lejojë” që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Unë i besoj presidentit Vuçiç. Ai tha se e ka përjashtuar pëlqimin e tij nga këto dy gjëra, çdo njohje de facto apo de jure e Kosovës dhe pranimin e saj në Kombet e Bashkuara. Kjo është diçka për të cilën Serbia nuk është pajtuar. Kjo do të thotë që ne nuk e pranojmë atë pjesë me të cilën nuk ishim dakord. Do të punojmë në zbatimin e pjesës tjetër, por vetëm kur të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai në një intervistë për Euronews.rs.

Daçiç duke folur për dakortësimin e Brukselit/Ohrit, theksoi se nuk do të pajtohet asnjëherë “me humbjen e vazhdueshme të territorit”.

“Patriotizmi nuk shpjegohet me asnjë plan. Patriotizmi është dashuri për atdheun. Patriotizëm është se ne do të udhëheqim një politikë të bashkuar të pavarur dhe sovrane. Dhe politika e jashtme duhet të jetë në funksion të politikës së brendshme. Nga ana tjetër, vetë plani nuk është i rëndësishëm. Është e rëndësishme që ne të mos e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ky është thelbi i gjithë kësaj”, tha ai.

Po ashtu Daçiç gjatë kësaj interviste ka kritikuar ashpër qëndrimet e opozitës në lidhje me Kosovën. Kryediplomati serb ka potencuar se opozita serbe nuk e marrin parasysh interesin kombëtar dhe shtetëror serb.

“Të jesh evropian nuk do të thotë të jesh anti-serb. Nuk dua t’i bëj lajka askujt, dua të them se cili është interesi ynë. Interesi ynë në këtë moment është të udhëheqim një politikë të pavarur të bazuar vetëm në interesat e Serbisë”, tha ai.

 

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?