Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç

Kërkesa e Listës Serbe për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës si organizatë terroriste, Daçiç: Shteti serb të reagojë

3 Korrik 2023, 18:28| Përditesimi: 3 Korrik 2023, 18:37

  • Share

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka vlerësuar se kërkesa e Listës Serbe drejt Qeverisë së Serbisë për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës si organizatë terroriste është një mesazh politik që kërkon një reagimi nga shteti i Serbisë.

Daçiç tha për televizionin B92 më 3 korrik se qëllimi i Prishtinës është që disa organizata të caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe shpërngulje të serbëve nga ajo zonë.

“Kjo hap gjuetinë për serbët, ata mund të shpallin terroristë të gjithë njerëzit tanë në veri të Kosovës”, tha Daçiç.

Kërkesa e Listës Serbe vjen disa ditë pasi Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”  dy organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Duke komentuar deklaratën e Kurtit se në veri të Kosovës janë identifikuar 45 persona të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, Daçiç pyeti nëse Beogradi duhet të publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve, që sipas tij, kanë “demonstruar kundër Serbisë me vite”.

“A është kjo rruga drejt normalizimit? Mendoj se serbët kanë të drejtë t’i shprehin pikëpamjet e tyre politike”, tha Daçiç.

Policia e Kosovës ka rritur praninë në pjesën veriore – të banuar me shumicë serbe – teksa në këtë zonë janë rritur tensionet. Kurti deklaroi më 3 korrik se autoritetet kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës.

 

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?