Dështojnë përgatitjet e
100-vjetorit të Pavarësisë

13 Tetor 2012, 11:46| Përditesimi:

  • Share
Edhe një muaj na ndan nga festa e madhe e Pavarësisë. Por a janë mbajtur premtimet e qeverisë sipas programit të parashikuar për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së vendit dhe ngritjen e flamurit shqiptar më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. 

Është folur e shkruar nga shumica e mediave televizive e të shkruara që në fillim të këtij viti për dështime konkursesh të shtatoreve e busteve të personaliteteve që sollën pavarësinë e vendit e veçanërisht për dështimet në realizimin artistik të Monumentit të Pavarësisë. E së fundi dështoi edhe vetë shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit. 

Është folur për dështime restaurimesh të objekteve dhe relikeve që përfaqësojnë pavarësisë. Është folur, debatuar e shkruar për aktivitetet e pabëra dhe për fonde të harxhuara pa kriter, shumica e të cilave as nuk janë bërë ndonjëherë transparente, pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve. 

Edhe ato shpenzime që janë bërë të ditura nuk përkojnë me destinacionin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të themelimit të shtetit shqiptar nga Ismail Qemali, siç është rasti i 20 milionë lekëve të dhëna për ekspozitën e Ibrahim Kodrës "Shqipëria fantastike", e cila ishte në përfitim të koleksionistëve të veprave të artit. Një konkluzion më i plotë për dështimet e 100-vjetorit të Pavarësisë është publikuar dje në një konferencë për shtyp nga Qendra Shqiptare e Trashëgimisë në Tiranë. 

Në këtë konferencë u morën në shqyrtim përgatitjet e 100-vjetorit të Pavarësisë sipas premtimeve dhe deklaratave të kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha. "Dje pasdite Kryeministri mblodhi Komitetin Qeveritar për 100-Vjetorin. Siç e dëgjuat të gjithë, i mblodhi, foli e foli dhe nuk tha asgjë dhe pastaj i shpërndau. 

Ka muaj e muaj që mblidhet ky Komitet dhe nuk kemi dëgjuar të flitet asnjëherë për investime për restaurimin e domosdoshëm të disa prej simboleve më thelbësore të Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare", tha Artan Lame në konferencën për shtyp. 

Por në kontrast me premtimet e kryeministrit të vendit, anëtarët e Qendrës Shqiptare të Trashëgimisë kanë verifikuar se "megjithëse u fol kohë më parë për restaurime të domosdoshme në qytetin e Shkodrës, ato nuk janë bërë ende". 

Sipas vëzhgimeve të bëra nga kjo qendër, premtimet nuk janë mbajtur as për restaurimet urgjente në parkun e vendbanimit të Skënderbeut në Lezhë", tha dje në konferencën për shtyp Artan Lame. Ai përmendi që nuk janë bërë restaurimet e premtuara në Kalanë e Krujës dhe nuk është marrë asnjë masë "për frenimin e ndërtimeve që po e mbysin simbolin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut".

GËNJESHTRAT E KRYEMINISTRIT
Nga rezultatet dhe vëzhgimet e bëra nga Qendra Shqiptare e Trashëgimisë në Tiranë, del se nuk janë realizuar as premtimet e Kryeministrit Berisha për rivlerësimin e figurave të rilindësve dhe patriotëve të mohuar nga regjimi komunist. 

Komiteti për trashëgiminë ka verifikuar se nuk është mbajtur premtimi "për restaurimin e shtëpisë së Gjergj Fishtës në fshatin e tij të lindjes". 

Një fakt tjetër në listën e mosrealizimeve është edhe mungesa e restaurimit të Kompleksit të Ndre Mjedës. A do të mjaftojë vetëm një muaj që të arrihet restaurimi i Muzeut Etnografik, shtëpisë së Aleksandër Moisiut në Durrës, e shumë të tjerave për një muaj kohë. 

Ndërkohë dje Artan Lame theksoi se "restaurimi i ndërtesës së parlamentit të parë shqiptar nuk është bërë". E dimë që i gjithë ky 100-vjetor, ka simbol vetë themelimin e shtetit të pavarur shqiptar, dhe dihet që Parlamenti i parë Shqiptar në Tiranë është mbledhur në ndërtesën që sot gjendet Teatri i Kukullave. Ndërkohë Lame ka theksuar të tjera mosrealizime të cilat janë propaganduar me bujë dhe shtuar fonde nga qeveria, siç është rindërtimi i Mauzoleut të Familjes Mbretërore në Tiranë. 

Gjithashtu nuk është mbajtur premtimi për restaurimin emergjent të shtëpisë së Kongresit të Lushnjës, së cilës po i bie dyshemeja përtokë. Shtëpia e patriotit dijetar Hasan Tahsini në Ninat të Gjirokastrës është gati duke u rrënuar, ashtu si edhe shtëpia e vëllezërve Frashëri në Frashër, e kështu me radhë, të gjitha të përfshira në listën e premtimeve për 100-vjetorin. 

Pas një renditjeje të disa prej objektivave të dështuara, të propaganduara vazhdimisht nga qeveria dhe vetë kryeministri i vendit për 100-vjetorin e Pavarësisë Artan Lame tha se: "Në fund, tani kur po vjen koha të bëjmë llogaritë dhe gjendemi vetëm një muaj përpara 100-vjetorit, na mbeten në mendje vetëm gënjeshtrat e pafundme te kryeministrit dhe absolutisht asnjë investim real.
Për fatin tonë të keq dhe të brezave që do vijnë, ne e humbëm shansin që ky 100-vjetor të kthehej në mundësi për të rinovuar dhe shpëtuar fytyrën e kujtesës sonë kombëtare". 

(Lajmi u publikua në gazetën shqiptarja.com/ 13.10.2012/ foto nga shtëpia e Gjergj Fishtës)

(s.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?