PS kërkesë për ngritjen e komisionit kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje! Rama: E rëndësishme të ecim përpara me shpejtësi

28 Mars, 18:47| Përditesimi: 28 Mars, 22:19

  • Share

Partia Socialiste i ka paraqitur një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë për krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Përmes një deklarate për mediet, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, bën të ditur se Komisioni i Posaçëm do të zbatojë një qasje holistike dhe afatgjatë për adresimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike.

"Duke u bazuar në angazhimet e Shqipërisë që rrjedhin nga: Memorandumi i Mirëkuptimit i datës 15 shkurt 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së për të adresuar manipulimin e informacionit nga aktorët e shteteve të huaja; Deklarata e Tiranës e 28 shkurtit 2024 e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore; dhe rekomandimet e BE-së për “vazhdimin e përpjekjeve për mbylljen e hapësirës për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit”, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vendosi t'i paraqesë një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Komisioni i Posaçëm do të zbatojë një qasje holistike dhe afatgjatë për adresimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike, që mund të përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile", tha Çuçi.

Kreu i qeverisë, njëherazi dhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama përmes një statusi në rrjetet sociale, u shpreh se ngritja e këtij Komisioni është shumë e rëndësishme.

"Shumë e rëndësishme për të ecur përpara me shpejtësi të plotë", shkruan Rama teksa ka ndarë reagimin e Çuçit.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?