COVID-19 në Shqipëri/ Qytetarët humbin vigjilencën, 80% e të shtruarve në reanimacion janë të rinj (VIDEO)

3 Shkurt 2021, 18:22| Përditesimi: 3 Shkurt 2021, 18:38

  • Share

Që masat anti-COVID nuk respektohen në Shqipëri, nuk e thonë vetëm shifrat ditore të gjobave për mosmbajtjen e maskës në rrugë apo të ndëshkimeve ndaj bizneseve që organizojnë ceremoni festive pas orës 22:00.

Mjafton që gjatë gjithë ditës të shohësh baret e restorantet, të tejmbushur nga qytetarë, shumica të rinj, pa distancë, pa maska e shumë herë në thyerje të asaj që në pandemi konsiderohet ligj: Me puthje e përqafime.

Një sjellje kjo, që është reflektuar edhe në situatën aktuale të koronavirusit në vendin tonë. Të rinjtë nuk janë më të paprekshëm. Fundi i dhjetorit ka njohur rritje të frikshme të infektimeve me COVID 19 tek moshat e reja.

Por rinia jo vetëm që po infektohet, por edhe po përjeton forma të rënduara të virusit. Report Tv mëson se vetëm në spitalin COVID 2, 80% e të shtruarve në reanimacion janë mosha të reja, konkretisht 6 të rinj 24-32 vjeç nga 8 që ndodhen aktualisht në këtë pavion.

Në raportet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë për rastet e reja, reflektohet vetëm numri total i të shtruarve në spitale, por Report Tv mëson se mes 200 pacientëve qe ndodhen aktualisht tek spitali “Shefqet Ndroqi” është rritur numri i të rinjve, duke e cuar Covid 2 drejt ezaurimit të kapaciteteve në shtretër.

Prej datës 15 janar urgjencat COVID të qytetarëve në Tiranë po dërgohen në këtë spital, por nisur nga fluksi i shtrimeve, pritet që të transferohen drejt Infektivit për të ulur ngarkesën spitalore.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?