Covid-19, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit jep gjysmën e pagës të muajit Prill

11 Prill 2020, 09:18| Përditesimi: 11 Prill 2020, 10:12

  • Share

TIRANË - Pas kërkesës së bërë nga Kuvendi i Shqipërisë, edhe anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i janë bashkuar nismës së shumë institucioneve shtetërore për të kontribuar përmes pagës së tyre në buxhetin e shtetit për përballimin e situatës së fatkeqësisë natyrore.  Në përgjigje të thirrjes për ndihmë, 8 komisionerë të KPK-së do të dhurojnë menjëherë 50% të pagës mujore neto, të muajit prill 2020.

Në një njoftim zyrtar KPK njofton se "rreshtohet përkrah strukturave të larta shtetërore, duke demonstruar shpirtin e vullnetarizmit dhe të sakrificës në këtë periudhë të vështirë për vendin dhe shoqërinë, ku problematika fokusohet tek shpëtimi i jetëve njerëzore dhe fatura financiare bëhet çështje jo vetëm e qeverisë, por e gjithë shoqërisë.

Po sipas këtij njoftimi dy anëtarë kanë vendosur ta përcaktojnë vetë shumën për të kontribuar dhe një prej anëtarëve e cila ndodhet në kushtet e trajtimit mjekësorë është në pamundësi për të kontribuar.

"Dy komisionerë të tjerë kanë përkrahur nismën, duke shprehur vullnetin të kontribuojnë nëpërmjet pagës sipas vlerësimit të tyre individual/ nëpërmjet llogarive në bankat  e nivelit të dytë. Nuk mund të kontribuojë një anëtar, i cili po trajtohet me pagesë të paaftësisë së përkohshme në punë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i angazhuar për të çuar përpara procesin me rëndësi kombëtare të vettingut në sistemin e drejtësisë, por njëkohësisht ndjen po të njëjtën përgjegjësi qytetare për situatën ku ndodhet vendi. Duam të falënderojmë të gjithë ata, që sot janë në vijën e parë të ndihmës, të cilët në mënyrë vetëmohuese vazhdojnë detyrat e tyre të përditshme jashtë shtëpisë, në mbështetje të të gjithëve në këtë situatë të pasigurive të mëdha", thuhet në njoftim.

Ditën e djeshme dhe KLP dhuroi gjysmën e pagës së muajit prill për shkak të COVID-19 në shenjë solidariteti.  

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?