COVID-19/ Gjermania mbështet Shqipërinë me aparatura, dhuron 10 respiratorë të rinj

23 Shtator 2020, 16:04| Përditesimi: 23 Shtator 2020, 16:22

  • Share

Gjermania mbështet Shqipërinë me aparatura duke i dhuruar 10 respiratorë të rinj. I pranishëm në dhurimin e respiratorëve të rinj ishte ambasadori gjerman Zingraf, i cili shprehu mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë nga vendet e Bashkimit Europian.

“Jam shumë i kënaqur për ndihmën e vazhdueshme nga vendet e Bashkimit Europian që treguan edhe një herë se janë aleatë të ngushtë të Shqipërisë. Edhe shtete të veçanta si Gjermania kanë ofruar akoma më shumë ndihmë, siç është kjo e sotmja me aparatura të teknologjisë së lartë për frontin e luftës kundër pandemisë, për të rritur nivelin e punës së stafit mjekësor”, tha Zingraf.

Duke e vlerësuar si një ndihmë në kohën e duhur, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se po përgatitemi për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, me disa skenarë.

“Falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, Bashkimit Europian dhe partnerëve të tjerë kemi arritur të dyfishojmë flotën e aparaturave në terapinë intensive. Jemi përpara një situate e cila është serioze. Kemi rreth 200 pacientë të shtruar në të dy spitalet Covid. Por falë angazhimit të qeverisë, për të fuqizuar kapacitetet spitalore, vetëm në skenarin e parë ne kemi të dedikuar më shumë se 500 shtretër në dispozicion të qytetarëve të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor. Në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi forcuar akoma më shumë kapacitetet e spitaleve rajonale, duke dyfishuar shtretërit në dispozicion të trajtimit të Covid19”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali “Shefqet Ndroqi” se do të intensifikohen inspektimet në terren, në shkolla, aktivitete biznesi etj, për respektimin e masave antiCOVID.

“Kjo nuk është një luftë që fitohet vetëm me rritjen e kapaciteteve, por ka shumë rëndësi sjellja e qytetarëve. Strukturat tona po vijojnë punën në terren për të monitoruar zbatimin e masave antiCOVID në aktivitete biznesi, në shkolla dhe në aktivitete të tjera, pasi është shumë i rëndësishëm zbatimi i masave, për të patur një ecuri të kontrolluar të epidemisë”, tha Manastirliu.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?