Në Itali regjistrohen 5 viktima dhe 170 raste të reja Covid! 16.2 milionë të infektuar në të gjithë botën

27 Korrik 2020, 08:19| Përditesimi: 27 Korrik 2020, 17:23

  • Share

Në të gjithë botën numri i përgjithshëm i infeksioneve nga koronavirusi është rritur në 16.2 milionë kurse totali i vdekjeve prej Covid ka shkuar në rreth 650 mijë.

Grafikun e pandemisë përsa i përket të prekurve dhe viktimave e udhëheqin Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga Brazili, India dhe Rusia

Amerika Latine dhe Karaibet janë tani zona e botës me numrin më të madh të njerëzve të infektuar nga koronavirusi.

Në këto zona janë më shumë se 4.3 milionë të identifikuar pozitiv me Covid, që përfaqësojnë rreth 27% në totalin e të prekurve në botë, një shifër pak mbi numrat e regjistruar në total në SHBA dhe Kanada.

 

Ora 17:19
Në Itali regjistrohen 5 viktima dhe 170 raste të reja Covid-19 në 24 orët e fundit

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë Italiane, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 5 viktima nga koronavirusi, (edhe dje ishin 5 viktima), për një total prej 35.112 që nga fillimi i emergjencës shëndetësore.

Autoritetet e shëndetësisë raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 170 raste të reja pozitiv, (dje ishin 225 raste) për një total prej 246.288 që prej fillimit të emergjencës shëndetësore.

Në vend sot pati edhe 147 të shëruar për një total prej 198 593 ish pacientë

Në Rajonin e Lombardisë sot, si edhe përgjatë 4 ditëve të kaluara, u regjistruan 0 viktima nga koronavirusi për një total të pandryshuar prej 16 801 vdekje, si edhe 34 raste të reja të pozitivitetit Covid, shifër që e rrit në 95 955 numrin e të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në Itali.

Në rajon sot pati edhe 80 të shëruar për një total prej  70 551.

Në repartet e terapisë intensive ndodhen të shtruar 14 pacientë dhe 132 në repartet e tjera Covid.

Në Rajonin e Kalabrisë sot nuk u raportua asnjë rast i ri infeksioni dhe asnjë vdekje nga Covid.

Në Rajonin e Veneto-s prej tre ditësh, duke përfshirë edhe ditën e sotme, nuk është raportuar asnjë viktimë nga infeksioni, kurse në Lacio sot pati vetëm një pacient që humbi jetën prej pandemisë.

Ora 16:32
Covid/ Gjermani, 340 raste të reja infeksioni në 24 orët e fundit! Belgjika numëron më shumë se 66 mijë të prekur nga koronavirusi

Në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 340 persona të identifikuar me koronavirus.

Sipas Institutit Robert Koch, numri i përgjithshëm I të prekurve është rritur në 206 709, për një total prej 9118 viktimash që prej fillimit të emergjencës shëndetësore.

Në Belgjikë, mesatarja ditore e infeksioneve u rrit në 2789 midis 17 dhe 23 korrik.

Agjensia belge e shëndetit publik njofton se kjo përfaqëson një rritje prej 71%.

Numri i përgjithshëm i infeksioneve në Belgjikë është tani 66.026.

Belgjika ndërkohë i është rikthyer masave shëndetësore për të frenuar rritjen e infeksioneve. Kryeministrja Sophie Wilmes, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, njoftoi se duke filluar nga nesër ndalohen grumbullimet e më shumë se 5 personave nga e njëjta familje dhe lejohen tubimet deri 100 persona në ambiente të hapura

Ora 12:36
Covid, në Rusi raportohen më shumë se 5000 raste të reja infeksioni dhe 85 viktima në 24 orë

Rusia ka raportuar se në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar mbi 5000 raste të reja infeksioni, saktësisht 5635 të identifikuar pozitiv me Covid.

Numri i përgjithshëm i infeksioneve të raportuara në vend që nga fillimi i epidemisë rritet kështu në 818.120.

Gjithashtu autoritetet shëndetësore u deklaruan edhe për 85 viktima, shifër kjo që e ka rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në Rusi, që prej fillimit të emergjencës shëndetësore në 13 354.

Gjatë 24 orëve të fundit pati edhe 3079 të shëruar, për një total prej 603 329 ish pacientë

Ora 12:35
Kina regjistron numrin më të madh të rasteve të reja që nga marsi

Kina raportoi për 61 raste të reja të Covid-19, 57 prej të cilave u transmetuan në vend dhe katër të importuara.

Kjo është shifra më e lartë e regjistruar në një ditë të vetme që prej 6 marsit.

Sipas të dhënave të lëshuara nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit, në Xinjiang, rajoni tani më në rrezik janë zbuluar 41 infeksione, 14 në provincën Liaoning dhe 2 në provincën Jilin.

Sa për rastet e importuara, dy kanë të bëjnë me Mongolinë, ndërsa nga një rast prej Fujian dhe Sichuan. Janë zbuluar 44 asimptomatikë të rinj.

Megjithatë, asnjë rast i ri nuk është raportuar nga Hubei, ku filloi pandemia Covid-19

Ora 09:13
SHBA/ Florida tejkalon Nju Jorkun për nga numri i infeksioneve me COVID-19

Të dielën Florida u bë shteti i dytë pas Kalifornisë që tejkalon për nga numri i të infektuarve Nju Jorkun shtetin që u godit më rëndë nga pandemia në fillimin e shpërthimit të koronavirusit.

Sipas agjencisë “Reuters” rastet me COVID-19 në Florida u rritën të dielën me 9,300 të infektuar duke e çuar totalin e përgjithshëm në 423,855 vetë duke u renditur pas Kalifornisë që udhëheq tashmë përsa i takon numrit të infeksioneve me 448.497 raste. Nju Jorkut renditet i treti me 415.827 raste.

Megjithatë Nju Jorku vazhdon të ketë numrin më të madh të vdekjeve në rang vendi me më shumë se 32 mijë që prej fillimit të pandemisë ndërsa Florida renditet në vendin e tetë me rreth 6 mijë vdekje.

Infeksionet në Florida janë rritur mesatarisht çdo ditë me më shumë se 10 mijë raste të reja gjatë muajit korrik ndërsa Kalifornia me 8,300 raste në ditë dhe Nju Jorku me 700 raste. Rritja e e infektuarve në Florida vazhdon, por guvernatori i shtetit Ron DeSantis ka thënë se nuk ka në plan të lëshojë një urdhër për vendosjen e maskave me detyrim në publik ndërsa ka folur për rihapjen e shkollave në muajin gusht.

Në ndryshim shteti i Nju Jorkut ka arritur ta vendosë nën kontroll virusin, duke mbajtur dyqat e restorantet e mbyllur si dhe duke e bërë të detyrueshëm vendosjen e maskave në publik.

Teksasi është një tjetër shtet që ka shënuar një rritje të numrit të rasteve të reja me koronavirus. Prej fillimit të pandemisë ky shtet ka konfirmuar 391 mijë persona të infektuar. Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se stuhia tropikale Hanna, e cila goditi tokë të shtunën si një stuhi e kategorisë 1 krijoi një situatë ishte tejet sfiduese pasi përshkroi një zonë të shtetit që ka qenë më e goditura nga koronavirusi.

Që ka fillimi i pandemisë më shumë se 146 mijë amerikanë kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19, ose rreth një e katërta e totalit botëror ndërsa rreth 4.2 milionë persona janë infektuar nga koronavirusi.

Ora 08:26
Covid-19/ Vietnami evakuon 80 mijë turistë

Vietnami ka evakuuar 80,000 turistë për shkak të zbulimit të një rasti të vetëm infeksioni në qytetin Danang.

Teksa në Hong Kong infeksionet po përhapen me shpejtësi, autoritetet po rikthejnë disa prej masave kufizuese që përfshijnë mbylljen e të gjitha restoranteve dhe detyrimin për të mbajtur maskë sapo të dilet nga shtëpia.

Media lokale e raporton atë. Që nga janari, në ish koloninë britanike ka patur më shumë se 2.600 njerëz të infektuar dhe 19 të vdekur.

Koreja e Jugut, 25 raste të reja, 16 të importuara

Në Korenë e Jugut janë identifikuar 25 raste të reja infeksioni, 16 prej të cilave, sipas autoriteteve, janë të importuara.

Me shifrat e reja, në vend totali i të prekurve është rritur në mbi 14 mijë kurse viktimat janë 299.

Ora 08:24
Meksikë, regjistrohen 5480 raste të tjera të Covid-19 në një ditë të vetme



Ministria e Shëndetësisë në Meksikë ka raportuar për 5.480 raste të reja të koronavirusit dhe 306 viktima në 24 orët e fundit, që i atribuohen Covid-19.

Me këto shifra të reja, totali i të prekurve në vend është rritur në më shumë se 390 500 dhe rreth 43 700 vdekje që prej fillimit të pandemisë.

Vendi i dytë më i prekur në botë, Brazili ka regjistruar në total mbi 2.4 milion raste dhe ka kapërxyer pragun e 87,000 vdekjeve.

Venezuela me 30 milion banorë, deri më tani ka regjistruar 15,463 infeksione dhe 142 vdekje.

Prej ritmeve të perhapjes së pandemisë në vend, Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ka zgjeruar kufizimet në 6 nga qytetet më të mëdha në vend.

Ora 08:22
SHBA, ngadalësohet rritja e infeksioneve të reja nga Covid, 55 mijë në 24 orët e fundit

SHBA-ja vazhdon të jetë vendi i vetëm me numrin më të madh të vdekjeve dhe infeksioneve në botë, me mbi 4.2 milion raste dhe rreth 147 mijë vdekje, edhe pse në 24 orët e fundit ka pasur një rënie të vogël të raste të reja të identifikuar pozitiv(55 mijë përkundrejt mbi 65 mijë të ditëve të mëparshme).

Në SHBA është raportuar një ngadalësim i lehtë i rasteve të reja të koronavirusit. Në 24 orët e fundit janë raportuar 55,187 infeksione të reja, rreth 10 mijë më pak nga sa janë regjistruar në ditët e kaluara të javës së fundit.

Gjithashtu në vend pati edhe 518 viktima Covid.

Autoritetet janë deklaruar se numri i përgjithshëm i viktimavë të raportuara që nga fillimi i pandemisë është rritur në afro 147 mijë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?