Fotoja e postuar nga Bledi Mane

Coronavirus ku je, pse nuk po vjen?

29 Shkurt 2020, 16:17| Përditesimi: 29 Shkurt 2020, 16:19

  • Share

1./ Pardje djali u zgjua me temperaturë dhe i djersitur. Kollitej shpesh, ndihej i drobitur por gjithësesi donte të shkonte në shkollë. Nuk i ndahet shpirti nga shokët e klasës së parë dhe mësuesen e do tmerrësisht. Ne, u trembëm disi dhe vendosëm që ta lemë në shtëpi me gjyshen.

Hëngrën mëngjesin të dy, luajtën pak bashkë dhe si gjithmonë gjyshja ndezi televizorin të ndiqte lajmet e ditës ndërsa djali u lëshua më kokë mbi laptop.

-Qyqja, klithi gjyshja ndërsa djali zgjati kokën nga ekrani i kompjuterit drejt ekranit të televizorit. Titrat e kuqe të lajmit të fundit pulsonin si zemra e një atleti:

Vrasje e dyfishtë në Mirditë/ Fatmir Koleca vret gruan dhe kunatin...

U drodh gjyshja, u drodh djali, u drodh edhe zëri i spikerit kur lexonte lajmin.

Djali kapërdiu pështymën në fytin e hollë, nisi të luante përsëri në kompjuter kur gjyshja para televizorit bërtiti përsëri. Djali zgjati kokën nga ekrani i kompjuterit drejt ekranit të televizorit. Titrat e kuqe të lajmit të fundit rrihnin si zemra e një trumcaku të trembur:

Gjakoset Vlora/ 77 vjeçari Muço Malaj plagoset me thikë nga një tjetër pensionit 68 vjeçar...

Dridhja e zërit të spikerit të lajmit drodhi televizorin, gjyshen, djalin.

Djali kaploi qepallat e syve, qëndroi para kompjuterit si i mpirë dhe tashmë shikonte vetëm gjyshen.

-Fike televizorin, fike, të lutem fike o nënaaaa! Përgjërimi i djalit ishte i kotë, ndërkohë që gjyshja rrëmbeu pultin, lajmi tjetër erdhi i freskët nga qyteti bregdetar:

Horror në Durrës/ Ruzhdi Tasuni vret gruan e tij me mjete të forta...

-Fikeeee, fikeeee bërtiste djali dhe sapo gjyshja bëhej gati të shtypte butonin e kuq të pultit, lajme të tjera të skuqura me gjak pulsonin në ekranin e televizorit:

Aksident në Mamurras, makina shtyp 41 vjeçarin!

Vdes 30 vjeçarja, hidhet nga kati i gjashtë i një pallati në Fier!

Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit vdes në moshën 99 vjeçare!

Pllakos zija në shtëpinë e gazetarit Andi Bushati, i vdes gjyshja 98 vjeçare.

2./

Unë u ktheva para gruas në shtëpi rreth orës pesë pasdite. Asnjë zhurmë, asnjë lodër nëpër këmbë, asnjë frymë njeriu. I thirra djalit, i thirra edhe gjyshes së djalit por nuk morra përgjigje. Kontrollova çdo qoshe të shtëpisë i shqetësuar për familjarët e mi dhe ashtu i shokuar i gjeta të dy të zverdhur fshehur poshtë tavolinës së ngrënies. Nuk flisnin, sytë e shqyer të tyre tregonin panik. Qëndronin të përqafuar të dy dhe nuk më shikonin mua, por shikonin nga ku ishin fshehur, ekranin pa zë të televizorit. Titrat e skuqura nga fraktura e lajmit pulsonin haberin e fundit:

Pasi vrau gruan dhe kunatin, Fatmir Koleca vret veten në një fshat të Mirditës...

3./

Pse po vonon, ku je, ku mbete, ku humbe?

Eja, eja i dashur Coronavirus në këtë vend dhe mbylli këta njerëz brenda nga frika jote. Boshatisi rrugët dhe lagjet, mejhanet dhe katundet. Mbylli dhe tmerroi për pak kohë që të marrin veten e ti thërrasin mendjes. Mbylli dhe kaploi nga frika kolektive që të mos kenë shans as të shtypin njerëz nëpër rrugë dhe as të mos vrasin gratë apo veten e tyre.

Eja Coronavirus, mos vono!

Komento

Komente

  • Andia: 29/02/2020 16:46

    E bukur kjo! Dhe sa me shume shohim raste horror, aq me indiferente jemi si shoqeri. Vrasesi i asaj gruas me amrin Dije, pas vrasjes qe kreu shkoi te blinte nje oakete cigare.A nuk do ishte me mire qe fytyrat e grave te pajeta nga dhuna te shfaqeshin ne keto kuti. Po ne stacione autobuzi,,brenda ne autobuze, ne faqe gazetash, ne supermarkete, ne bulevard, kudo te ekspozoheshin fytyrat e viktimave te dhunes ne familje. Ekspozimi duhet bere me tepri. Me mire keshtu se sa fenomeni te injorohet dhe anashkalohet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?