Çmimet ulin kërkesën për mallra, ngadalësohet tregtia! Në gusht eksportet ranë me 10% krahasuar me korrikun

19 Shtator 2022, 16:42| Përditesimi: 19 Shtator 2022, 16:47

  • Share

Kjo rënie e tregtisë dëshmon edhe për një reduktim të konsumit në kushtet e pasigurisë ekonomike që ka përfshirë gjithë Evropën për shkak të luftës që po zhvillohet mes Rusisë e Ukrainës, e cilat ka tronditur tregjet, ndërkohë që inflacioni ka arritur shifra rekord të dy dekadave të fundit.

“Në Gusht 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u rritur me 48,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 10,8 %, në krahasim me Korrik 2022. Importet e mallrave arritën vlerën 80 mld lekë, duke u rritur me 30,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 2,6 %, në krahasim me Korrik 2022. Deficiti tregtar i këtij muaji është 44 mld lekë, duke u rritur me 19,6 %, krahasuar me Gusht 2021 dhe me 5,2 %, në krahasim me Korrik 2022”, thuhet në raportin e INSTAT.

Rritja e tregtisë në vlerë monetare në raport me vitin e kaluar, dëshmon në fakt rritjen e çmimeve, pasi tregtarët për të njëjtat produkte po paguajnë më shumë për ti blerë nga jashtë. E njëjta gjë ndodh edhe me produktet shqiptare që shiten në tregjet e huaja, pasi edhe vlera e tyre është rritur.

Energjia elektrike ka kontributin më të madh në rritjen e importeve në vlerë monetare thotë INSTAT, kjo ka ardhur për shkak se në muajin gusht importet e energjisë arritën vlera stratosferike, ku një megavat kalojë vlerën 1000 euro.

“Gjatë muajit Gusht 2022, në rritjen e importeve prej 30,8 %, krahasuar me Gusht 2021, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +20,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +2,6 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +2,1 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.

Edhe si 8-mujorin energjia ka pasur kontributin më të madh në shtimin e vlerës së importeve.

“Si tetë-mujor, importet janë rritur me 24,8 %, krahasuar me tetë-mujorin e parë 2021. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,2 pikë përqindje dhe “ Ushqime, pije, duhan” me +3,5 pikë përqindje”, vijon më tej raporti.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?