INSTAT: Çmimet e prodhimeve në vend u rritën me 5.2%! Energjia e nafta mbajtën të lartë inflacionin e importuar

13 Dhjetor 2023, 12:26| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 15:48

  • Share

Luhatjet e vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike dhe të naftës në tregjet e huaja, rritën inflacionin e importuar në tremujorin e tretë të këtij viti.

Sipas të dhënave të INSTAT, çmimet e importit nga korriku në shtator u rritën me 0.7% krahasuar me vitin e kaluar, ku kontributi më i madh u dha nga rritja me 1% e çmimit të energjisë, dhe shtrenjtimi i produkteve të industrisë përpunuese me 0.7%, ku përfshihen veshjet, materialet e shtypshkrimit, produktet e naftës, pijet, apo medikamentet.

Ndërsa në raport me vjet janë ulur çmimet për produktet e duhanit me 3.8%, dhe ato të furnizimit me ujë, trajtimit të mbetjeve me 1.8% pasuar nga seksioni “Industri nxjerrëse” me 0,7 %.

Kurse në raport me tremujorin e dytë të vitit, indeksi u ul me 0.3%, duke dhënë sinjale për ulje të çmimeve në tregjet e huaja, pasi përveç energjisë elektrike të gjitha grupet e tjera janë me pak të shtrenjta.

Nga ana tjetër janë shtrenjtuar me 5.2% në krahasim me vitin e kaluar produktet e prodhuara në vend. Mallrat e industrisë nxjerrëse kushtuan 8.5% më shumë se vjet, ndjekur nga energjia elektrike me 6.4%, Industri përpunuese me 4,4 % dhe “Furnizimi me ujë e trajtimi i mbetjeve me 2%.

Sipas INSTAT, brenda industrisë përpunuese rritja më e madhe u regjistrua në aktivitetin “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 19,8 %, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 11,7%.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?