Çmimet e larta mbushin arkën e buxhetit të shtetit! ‘Financat’: Të ardhurat në 7-muaj janë rritur me 44.9 mld lekë

17 Gusht 2022, 20:52| Përditesimi: 17 Gusht 2022, 21:58

  • Share

Çmimet e larta të produkteve ushqimore, të hidrokarbureve, por edhe të shërbimeve të tjera kanë sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit në 7 muajit e këtij viti. Ministria e Financave thotë se nga janari në korrik janë mbledhur 326.7 miliardë lekë, duke u rritur me 44.9 miliardë lekë në krahasim me një vit më parë.

Rritja më e madhe e të ardhurave është regjistruar tek ato doganore me 20.8 miliardë lekë në raport me vitin që shkoi dhe në total arritën në 122.6 miliardë lekë.         

TVSH-ja në import ka pasur kontributin më të madh në shtimin e të ardhurave pasi nga janari në korrik janë mbledhur 17.8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë vjet. Kjo vjen si rezultat i shtrenjtimit të produkteve në import, dhe për pasojë për produktet që vendi ka blerë nga jashtë ka paguar më shumë TVSH në momentin e zhdoganimit. Ndërkohë janë rritur me 1.1 miliardë lekë edhe të ardhurat nga akciza, krahasuar me vjet, por janë më të ulta se pritshmëritë e këtij viti.

Nga ana tjetër të ardhurat tatimore, janë rritur me 17.9% më shumë se 7 mujori i vitit 2021. Në total nga TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e janë mbledhur 166.9 miliardë lekë.

Edhe këtu TVSH-ja ka pasur performancën më të mirë në këtë periudhë për shkak se qytetarët kanë paguar më shumë, për produktet që kanë blerë e për pasojë edhe arka e shtetit ka fituar më shumë taksa.

Ndërsa shpenzimet në këtë periudhë rezultuan 311 miliard lekë, ose 567 milion lekë më pak se vjet. Si pasojë e çmimeve të larta të materialeve të ndërtimit, më herët qeveria tha se janë ngadalësuar investimet, dhe sipas të dhënave shpenzimet kapitale në këtë periudhë kanë qenë 30.2% më të ulta se vjet dhe në total arritën 37.5 miliardë lekë.

TOTALI I TË ARDHURAVE

Janar-Korrik 2022                   326,733 mld lekë

Janar-Korrik 2021                   281,805 mld lekë

Diferenca                                +44,928 mld lekë

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?