Claudio Fragasso: Do të ishte
mirë të zgjerohej festivali

6 Nëntor 2012, 15:14| Përditesimi:

  • Share
Në festivalin e 13-të të filmit shqiptar gjejmë mes anëtarëve të jurisë edhe regjisorin e shquar italian Claudio Fragasso. Ai është autor i mbi 24 filmave artistikë. Ka bërë shumë bujë me filmin e tij neorealist Teste Rasate (1993), i cili gjeneroi një debat të gjerë publik për trajtimin e neonazistëve në Italianë e vitit '90. Fragaso do të vlerësojë filmat më të mirë, por edhe jep këshilla se ç'duhet bërë më tej me traditën e festivalit. Në datën 9 Nëntor do të ndahen çmimet për realizimet më të mira. Ndërkohë, në datën 7 Nëntor pritet të vijë në Tiranë edhe i ftuari special i këtij edicioni, aktori i njohur italian Remo Girone, ndërsa për ardhjen e Raul Bovës as që bëhet fjalë. Po çfarë thotë Claudio Fragasso për këto vizita dhe ecurinë e festivalit.

Si ka qenë kontakti juaj i parë me filmat shqiptarë?
-Në '92-in, një regjisor shqiptar erdhi në Itali për të montuar një film dhe aty unë ishte njohja ime e parë me kinemanë shqiptare. Regjisori ishte Namik Ajazi. Në bazë të kësaj njohjeje, ai më bëri edhe ftesën për të qenë në jurinë e këtij festivali dhe unë pranova me kënaqësi. Për mua është hera e parë që vij në Shqipëri. Këtë herë, me Ajazin u takuam si miq në Romë. Biseduan për festivalin dhe unë pranova edhe ftesën e tij për të qenë në jurinë e filmit.

Sa e njihni realisht kinematografinë shqiptare?
-Tani po e njoh, sepse të them të drejtën kinemaja shqiptare ose filmat shqiptarë nuk mbërrijnë në Itali, ato janë prezentë vetëm në rastet kur janë bërë shumë të rëndësishme.

A jeni njohur me kinematografinë e periudhës së diktaturës komuniste, atë të realizmit socialist?
-Kam parë disa filma të asaj periudhe, të cilët kam mundur t'i shoh vetëm në disa qarqe kinematografike, por nuk jam në gjendje të theksoj as titujt, as subjektet e ngjarjeve, sepse kinemaja italiane ecën shumë pas modës. Nëse këtë vit kanë sukses filmat gjermanë, ajo jepet pas kinemasë gjermane, apo nëse kanë shënuar sukses këtë vit filmat francezë, tregon shumë interes për ta. Por nëse një ditë do të jenë në modë filmat shqiptarë, ata do të shpërndahen me siguri në kinemanë italiane.

Si mundeni t'i seleksiononi ju filmat e një kinemaje, siç është ajo shqiptare, me të cilën jeni shumë pak të njohur?
-Unë kam 40 vjet eksperiencë njohjeje me kinematografinë botërore dhe në pjesën më të madhe të kinemave të botës kam qenë edhe nëpër juri festivalesh. Në Itali ka një eksperiencë të zgjeruar, sepse të gjithë festivalet, përfshi edhe Giffonin zhvillohen në kuadrin e festivaleve ndërkombëtare, janë ndërkombëtare, përveç disa festivaleve që janë tipik dokumentarë ose disa filmave të shkurtër që janë më tepër komercialë në të gjithë Italinë. Sigurisht, kemi edhe ne festival nacional, siç është festivali i qershive, por unë mendoj se Tiranë duhet që organizatorët të përpiqen për të ndjekur një hap më tej për zhvillimin e festivalit të filmit, ku të përfshihen më shumë vende dhe më shumë njerëz.

Shqiptarët janë njohës të mirë të filmave italianë. Remo Girone që pritet të vijë në Shqipëri. Si e njihni ju Girone-n?
-Remo Girone e njoh prej shumë vitesh, sepse kemi qenë bashkë nëpër festivale. Por nuk kemi pasur mundësi të punojmë në filma asnjëherë bashkë dhe kjo thjesht për rastësi. S'kemi punuar bashkë, por jemi takuar shpesh. Atij i ka ardhur një ftesë edhe nga Giffoni që është partner në këtë festival. Pra, në këtë kuptim, unë i qëndroj mendimit që duhet të vijnë në këtë festival edhe filma italianë, dhe do të ishte më mirë që aktori Girone të vinte edhe me veprën këtu. Unë e di që ky festival filmi ka lindur si një festival kombëtar, kjo është struktura aktuale e tij, por meqë ka një marrëdhënie shumë të ngushtë të Shqipërisë me Italinë do të ishte interesante të zgjerohej bashkëpunimi, sepse në Itali prodhohen shumë filma, rreth 100-120 filma në vit.

Po Raul Bova-n e njihni. Pse nuk erdhi në Shqipëri?
-Raul Bova është një aktor shumë i angazhuar. Aktualisht po xhiron tre filma dhe e ka të vështirë të vijë këtu, por ai është një person shumë miqësor, shumë popullor. Nuk parapëlqen të bëjë vetëm personazhin VIP, të jetë prezentë vetëm se është i tillë. Pra, Bova nuk mund të shkojë në një festival filmi, ku nuk është i angazhuar.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?