Alexei Navalny në qeli. 2021

Cilët janë të burgosurit e tjerë rusë që mund të kenë fat të ngjashëm me Navalny-n?

3 Mars, 10:39| Përditesimi: 3 Mars, 10:45

  • Share

Kur autoritetet e burgjeve në Arktikun rus njoftuan për vdekjen e papritur të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, më 16 shkurt, ata thanë se të dhënat preliminare thoshin se shkaku i vdekjes ishte “sindromi i vdekjes së papritur”. Një ditë më vonë, televizioni shtetëror RT citoi një burim anonim i cili thoshte se Navalny, 47 vjeç, vdiq nga tromboza.

Për personelin mjekësor në burgjet ruse, tromboza është “një diagnozë universale që përdoret për të shpjeguar gjithçka”, shkroi në Telegram Anna Karetnikova, aktiviste për të drejtat e njeriut, e cila më herët ka qenë analiste në Shërbimin Ndëshkues Federal.

Vdekja e Navalnyt ndodhi pasi ai kaloi vite të tëra në burg, nga të cilat, ai i kaloi mbi 300 ditë në qeli izoluese. Gjatë qëndrimit në burg, atij i ishte mohuar kujdesi shëndetësor, ishte ankuar se kishte qenë subjekt i privimit nga gjumi e shumë gjërave të tjera. Gjykatat ruse kishin hedhur poshtë mbi 40 ankesa që ai kishte ngritur lidhur me keqtrajtimin e pretenduar.

Përderisa po rritet numri i rusëve që mbahen në burgje për shkak të qëndrimeve të tyre politike apo bindjeve fetare, analistët thanë se shteti rus gjithnjë e më shumë po i nënshtron ata ndaj një game të gjerë të trajtimeve abuzive.

“Praktika e disiplinës ndëshkuese është jashtëzakonisht e shumëllojshme”, tha për Radion Evropa e Lirë më 18 shkurt, Sergei Babinets, kreu i Ekipit kundër torturës, një grup për të drejtat e njeriut. “Falë vëmendjes së vazhdueshme nga mediat ne kemi paguar rastin e Viktor Filinkov”, një burrë që u dënua më 2020 me shtatë vjet burgim, nën pretendimet se i përkiste një grupi “terrorist”. “Ne kemi mësuar se nëse autoritetet duan, ata mund të të dënojnë edhe nëse qesh kur je duke punuar”.

Edhe pse raportimet për dhunë fizike ndaj të burgosurve disidentë është rritur, tha Babinets, përdorimi i rregullave të tilla disiplinore për të dëmtuar shëndetin dhe mirëqenien e tyre është shumë më e zakonshme. “Pse duhet t’i rrahin kur munden vetëm të ndjekin në mënyrë të ashpër ligjin dhe të burgosurit të vuajnë?”, tha ai.

Qelitë ndëshkuese

Politikani opozitar, Vladimir Kara-Murza, që u dënua me 25 vjet burgim në prill nën akuza për tradhti dhe akuza të tjera, po mbahet izolim në një burg në Omsk, tha për Current Time më 22 shkurt bashkëshortja e tij, Yevgenia Kara-Murza. Në janar, Kara-Murza u fut në izolim për të paktën katër muaj pasi u cilësua si “recidivist”.

“Këto janë kushtet në të cilat mbahen të burgosurit e tjerë politikë nëse ata refuzojnë që të heshtin”, tha Yevgenia Kara-Murza. “Ai tani është në duart e atyre që tentuan dy herë që ta vrisnin”, vazhdoi ajo, duke iu referuar dy incidenteve të helmimit të dyshuar që Kara-Murza beson se ishin orkestruar nga Qeveria ruse. “Sigurisht, kam frikë për jetën e tij”.

Izolimi në qelitë ndëshkuese çnjerëzore (SHIZO) gjithnjë e më shumë po bëhet normë për të burgosurit disidentë, tha Karetnikova për Realitetet e Siberisë të REL-it.

“Sigurisht, nëse vazhdimisht mbahen në qeli ndëshkuese kjo nuk u bënë mirë shëndetit të tyre”, tha ajo, “sepse kushtet janë shumë të vështira. Është ftohtë. Në këto qeli, ju duhet të vishni rroba të posaçme ndëshkuese, iu lejohet të vishni vetëm një xhaketë gjatë kohës së ushtrimeve. Realisht, nuk ka mundësi për aktivitete fizike. Nuk mund të përdorni ushqimin apo çfarëdo që iu dërgohet me pako sepse nuk iu lejohet që të merrni asnjë kur jeni në SHIZO”.

Në një postim në Telegram në dhjetor të vitit 2023, një tjetër disidentë i njohur rus që është në burg – politikani opozitar Ilya Yashin, që po shërben një dënim prej tetë vjet e gjysmë burgim nën pretendimet se ka shpërndarë informacione të rreme për ushtrinë – përshkroi në detaje se si është SHIZO. Qelia 3 me 4 metra, shkroi ai, iu bën të ndiheni “sikurse iu kanë mbështetur në një thes me gurë”. I burgosuri qëndron në shtrat nga ora 5 e mëngjesit deri në 9 në mbrëmje dhe është e ndaluar që të shtrihet në tokë. Qelia është e ftohtë dhe nuk lejohet që i burgosuri të veshë ndonjë bluzë apo xhaketë. Aty gjithmonë vjen era kanalizim.

“Nga vrimat prapa guacës së tualetit shpesh dalin minj në madhësi të një mace mesatare”, vazhdoi Yashin. Të burgosurve u lejohet që të lexojnë apo të shkruajnë çdo ditë nga gjysmë ore dhe pas kësaj, të gjithë librat, letrat dhe mjetet për shkrim, largohen. Radioja lëshohet gjatë orarit të zgjimit. Vendi ku bëhen “stërvitjet në oborr” është edhe më i vogël se qelia: 2.5 me 3 metra. Vetëm një person mund të dalë në këtë vend të bëjë stërvitje nga ora 6 e mëngjesit deri në 7 të mëngjesit. E vetmja gjë e mirë e qelisë ndëshkuese, shkroi Yashin, është se nuk duhet të brengoseni do t’iu dërgojnë në një qeli ndëshkuese.

“Është e qartë, SHIZO de facto është torturë e legalizuar”, shkroi ai. “Qëllimi i këtij izolimi është të torturojnë njerëzit deri në pikën sa ata të marrin çfarë të duan nga ta. Prandaj, pothuajse të gjithë të burgosurit politikë kalojnë nëpër këto qeli të torturës”.

Aleksei Gorinov, ish-ligjvënës i qarkut në Moskë që po vuan një dënim prej shtatë vjetësh burgim nën pretendimet se ka bërë deklarata të rreme për ushtrinë, i është nënshkruar një ndërhyrje kirurgjikale ku i është hequr një pjesë e mushkërive pasi u diagnostikua me tuberkulozë më 2016. Pavarësisht kësaj, 62-vjeçari vazhdimisht është dërguar në SHIZO, që ai e përshkroi si një “vend të lagësht e të ftohtë sikurse një varr”.

Privimi nga kujdesi shëndetësor

Edhe një formë tjetër e keqtrajtimit të burgosurve, që gjithnjë e më shumë po bëhet e zakonshme, është privimi nga kujdesi i nevojshëm shëndetësor. Artistes Aleksandra Skochilenko, e cila është dënuar me shtatë vjet burgim në nëntor të vitit të kaluar sipas ligjit për shpërndarje të informacioneve të rreme për ushtrinë, iu mohua kujdesi shëndetësor kur qëndroi për pothuajse 20 muaj në paraburgim. Nga lindja ajo vuan nga një sëmundje e zemrës, sëmundja celiake, dhe sëmundje të tjera serioze. Një anëtare e trupit këshillues për të drejtat e njeriut e presidentit Vladimir Putin, Eva Merkacheva, e quajti burgosjen e Skochilenkos “vdekjeprurëse”. Gjatë gjykimit të saj, ajo u ankua se po “vdiste urie” pasi ajo vazhdimisht nuk kishte qenë në burg në kohën kur shërbeheshin vaktet ushqimore për shkak të transportit për në gjykatë dhe anasjelltas.

Igor Baryshnikov, pacienti 64-vjeçar me kancer, që po shërben një dënim prej shtatë vjetësh e gjysmë burgim në një burg në rajonin e Kaliningradit pas dënimit në bazë të ligjit të njëjtë për shpërndarje të informacioneve të rreme për ushtrinë, i është refuzuar kërkesa që të lirohet para kohe për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Refuzimi për lirim është bërë pavarësisht se ai është në dhimbje të vazhdueshme që shpesh ia pamundëson të qëndrojë i ulur apo të shtrihet. Ai nuk mund ta mbajë sterile katedrën e tij dhe vazhdimisht rrezikon infeksione.

“Të jemi i sinqertë, ne nisëm të qanim pasi takimit me të”, tha për REL-in një prej avokatëve të tij në dhjetor të vitit 2023, duke shtuar se Baryshnikov ka nevojë që t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrje kirurgjikale. “Në fakt, klienti ynë është dënuar me një vdekje të ngadaltë dhe torturuese”.

Grupi për të drejtat e njeriut, Memorial, që është i ndaluar në Rusi, aktualisht ka të listuar 255 persona si të burgosur politikë në Rusi dhe 424 të burgosur të ndërgjegjes, që janë të dënuar për çështje fetare.

“Lista jonë e të burgosurve politikë sigurisht që nuk është e plotë”, thuhet në ueb-faqen e organizatës. “Mbledhja e materialeve të një rasti merr një kohë të konsiderueshme, veçmas në rastet kur hetimi dhe gjykimi janë të klasifikuara”.

Aktivistja Karetnikova theksoi se disidentët politikë në Rusi janë bërë pjesë e vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar, të opozitarëve rusë në mërgim dhe “pjesës së mbetur të shoqërisë civile në Rusi”.

“Dhe autoritetet ruse, duke përdorur [Shërbimin Ndëshkues Federal] vendosën të përgjigjeshin në mënyrë asimetrike duke trajtuar këta të burgosur në mënyrë brutale”, tha ajo. “Ata nisën t’i ndëshkonin të burgosurit me dënime të pafundme dhe me raste të reja penale”.

Në postimin e parë në rrjetet sociale pasi mësoi për vdekjen e Navalnyt, Yashin tha se ai ndjeu “një boshllëk të zi brenda”.

“Sigurisht, e kuptoj se edhe unë jam në rrezik”, shkroi ai më 20 shkurt. “Jam prapa grilave dhe jeta ime është në duart e Putinit. Është rrezik. Por, unë do të vazhdoj rrugën time”. REL

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?