Çiklizëm, garuesit e Partizanit dhe Tiranës fitojnë etapën e parë për Kupën e Shqipërisë! Prefekti i Korçës: Aktiviteti promovon qarkun

22 Gusht 2023, 11:50| Përditesimi: 22 Gusht 2023, 13:50

  • Share

Qarku i Korçës ka mirëpritur këtë të hënë dhe të martë Kupën e Shqipërisë në çiklizëm ku morën pjesë 55 sportistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët garuan në Kategoritë Elitë dhe Kadet. Olsian Velia kaloi i pari vijën e finishit në etapën e parë me terren fushor për kategorinë Elitë.

“Gara ishte tepër e fortë sepse kishim konkurent Nikolon, djalin nga Maqedonia e Veriut specialist në fushore, çiklist i vjetër dhe shumë i fortë. Stërvitja ime gjithsesi është e mirë sepse për katër ditë është kampionati ballkanik dhe ne do shkojmë për fitore,”-u shpreh Olsian Velia, fitues i garës Elitë.

Sakaq në kategoritë Kadet më i shpejti u tregua Jorid Gjoka, çiklist i ekipit të Partizanit.

“Bëmë një shkëputje në malore me dy çunat e Korçës dhe me atë shkëputje punuam bashkë që erdhëm në finish. 2-3 kilometra para finishit bëra një kolpo për shkëputje dhe mbajta ritëm fort që dola në vend të parë,”-tha Jorid Gjoka, fitues i garës Kadet.

Për qarkun e Korçës Kupa e Shqipërisë në çiklizëm nuk ka vetëm rëndësi në aspektin sportiv.

“Mendoj se aktivitet të tilla janë shumë pozitive sepse përcjellin simbolikën e rëndësishme për edukimin fizik dhe dashurinë për sportin. Shërbejnë gjithashtu edhe për promovimin e qarkut tonë,”-deklaroi Nertil Jole, prefekti i Korçës.

Megjithatë organizimi i Kupës së Shqipërisë në çiklizëm nuk kaloi pa pasoja, pasi krijoi trafik ndonëse policia më herët kishte lajmërua akset që do bllokoheshin.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?