Champions, City kërkon përmbysje ndaj Liverpool, Roma pret Barcelonën

10 Prill 2018, 09:52| Përditesimi: 10 Prill 2018, 10:00

  • Share

Manchester City do të provojë sonte në mbrëmje të bëjë përmbysjen e madhe ndaj Liverpool. Djemtë e Guardiolës e humbën ndeshjen e parë 3-0 dhe janë përballë një misioni thuajse të pamundur, por Guardiola dhe futbollistët besojnë. Ekipi është i plotë dhe trajnerit i mbetet vetëm të zgjedhë. City nuk dorëzohet ka thënë Guardiola në konferencën duke shtuar: 

"Nuk kemi nevojë për motivim special pasi kam një skuadër të mrekullueshme. Ne nuk dorëzohemi për kualifikimin por na duhet ndeshja perfekte dhe cinizëm para portës” e mbyll trajneri spanjoll. Edhe pse është me njërën këmbë në gjysmëfinale Jurgen Klopp kërkon që skuadra të kompletojë operan. Dilema e madhe është nëse do jetë apo jo Mohamed Salah në fushë.

Egjiptiani është stërvitur me skuadrën por do vendoset në momentet e fundit. Klopp nënvizon: “Kemi një avantazh të madh, por City është një skuadër e madhe dhe Guardiola një trajner fantastik. Mezi po pres të zbresim në fushë të kompletojmë atë që arritëm javën e kaluar”, e mbyll trajneri i Liverpool.

Po në 20:45 në “Olimpico” Roma pret Barcelonën në ndeshjen e kthimit çerekfinale. Barça e ka fituar 4-1 ndeshjen e parë, por verdhekuqtë besojnë. Romës do i mungojë Diego Perotti por është grumbulluar turku Under.

Trajneri Eusebio Di Francesco kërkon mbështetjen e tifozëve dhe thotë: “E dimë që është shumë e vështirë por ne besojmë tek përmbysja”. Në kampin e Barcelonës trajneri Ernesto Valverde kërkon përqendrim dhe nuk mendon që tani për gjysmëfinalet. Ai i ka të gjithë në dispozicion dhe kërkon kujdes ndaj Romës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?