Çfarë përfaqëson dita e 4 nëntorit për Italinë?

4 Nëntor 2020, 10:34| Përditesimi: 4 Nëntor 2020, 10:46

  • Share

4 nëntori është dita kur, në vitin 1918, mori fund për Italinë Lufta e Parë Botërore; një konflikt i gjatë dhe i përgjakshëm që e ndryshoi thellësisht të ardhmen e shteteve europiane dhe ndikoi përfundimisht në të gjithë historinë e shekullit të XX.

Lufta e Madhe ishte përvoja e parë tragjike kolektive për popullin e ri italian, i cili 45 vite më parë, në 1870-n, ishte bashkuar më së fundi si një Komb.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, për herë të parë, të gjithë italianët u ndien më pranë njëri-tjetrit, duke luftuar të gjithë së bashku nën të njëjtin flamur; atë tringjyrësh që lindi gjatë lëvizjes për bashkim kombëtar dhe që, në të vërtetë, u përmbyll në mënyrë të natyrshme me fitoren përfundimtare kundër ushtrisë austriake dhe me rimarrjen e Trentos dhe Triestes.

Të gjithë ne e dimë sa të dhimbshme qenë vuajtjet që pasuan nga tragjedia e Luftës së Parë Botërore dhe, në veçanti, numrin e jetëve të këputura në moshë të re: më shumë se 600.000 ushtarë italianë humbën jetën, 8000 nga të cilët vdiqën pikërisht këtu në Shqipëri.

Nëse, vetëm për një çast, do të merrnim parasysh ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, numri i saktë i ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri është rreth 28.000 vetë.

U varrosën këtu, në vendin e shqiponjave, më së shumti në varrezat ushtarake dhe, vetëm pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, qeveria italiane vendosi t’i kthente në atdhe.

Ishte një operacion shumë i mundimshëm që u zhvillua nga viti 1959 deri në vitin 1963, i drejtuar nga Gjeneral Bandini, i cili, megjithë kushtet tejet të vështira si pasojë e gjendjes politiko-diplomatike të atyre viteve, ia doli të gjente dhe dërgonte në Itali eshtrat e rreth 27.000 ushtarëve të rënë.

Kjo ngjarje e jashtëzakonshme frymëzoi edhe shkrimtarin Ismail Kadare në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Ky angazhim vazhdoi më tej në vitet ‘90 dhe, faktikisht, mund të quhet ende në zhvillim e sipër.

Për këtë arsye, që nga viti 1919, në Itali, 4 nëntori kujtohet dhe kremtohet si dita e Forcave të Armatosura, kjo për t’i dhënë italianëve, dhe në veçanti më të rinjve, mundësinë që të reflektojnë dhe të njohin më mirë historinë dhe Forcat e tyre të Armatosura (Forcën Tokësore, Detare, Ajrore dhe Karabinierinë), përfshirë Trupën e Rojës Financiare.

Forcat e Armatosura italiane janë sot një instrument thelbësor qoftë për sigurinë kombëtare, qoftë për politikën e jashtme të vendit dhe konsiderohen ndër ato më të aftat dhe efikaset në panoramën e ndërlikuar ushtarake ndërkombëtare në evolucion të vazhdueshëm.

Forcat e Armatosura italiane veprojnë në të pestë sektorët operacionalë - tokë, det, ajër, hapësirë dhe cyber - duke pasur në dispozicion pajisje moderne të mirëmenduara për një personel me përvojë të gjerë dhe shumë të specializuar.

Më shumë se 15.000 ushtarë italianë janë të angazhuar aktualisht në 39 misione, ndër të cilat 36 ndërkombëtare në 24 vende të ndryshme, duke dhënë çdo ditë kontributin e tyre për një botë më të sigurt.

Një nga këto operacione jashtë Italisë po zhvillohet pikërisht në Afganistan, në provincën e Heratit, ku Forcat e Armatosura italiane në pesëmbëdhjetë vitet e fundit kanë humbur 54 ushtarakë; atje vazhdon bashkëpunimi, së bashku me shumë vende të tjera aleate, për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në një tokë të sfilitur nga lufta, mes të cilëve spikat edhe Shqipëria për angazhimin dhe kontributin e saj në krah të Forcave të Armatosura shqiptare.

Edhe kjo është historia e 4 nëntorit, e cila përtërihet vit pas viti me vlerat e patjetërsueshme të demokracive tona, ato të dy popujve që kanë qenë gjithmonë shumë afër, të cilat duhet të frymëzojnë ndërgjegjet e kujtdo që sot vazhdon të punojë në respektin dhe kujtimin e të gjithë atyre që kanë sakrifikuar jetën e shenjtë duke shërbyer në armë.

Vetëm kështu do të jemi të sigurt se i japim dy popujve tanë mundësinë për të jetuar të tashmen pa rënë në gabimet e të shkuarës dhe duke ndërtuar një të ardhme si njerëz të lirë dhe si vëllezër.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?