Çfarë parashikon paketa fiskale 2024? Nga rritja e taksës së karbonit, kufizimi i akcizës deri tek gjobat e bizneseve që nuk lëshojnë faturë tatimore

7 Dhjetor 2023, 12:09| Përditesimi: 7 Dhjetor 2023, 16:36

  • Share

Tre ligje të paketës fiskale për vitin 2024 morën këtë të enjte dritën jeshile nga Kuvendi.

Ndryshime pësoi ligji për “Taksat Kombëtare”, që parashikon rritjen e taksës së karbonit për qymyrin nga 3 lekë/kg qymyr që është sot, në 15.3 lekë/kg në vitin 2030. Rritja e taksës pas ndryshimeve që u bënë në Komisionin e Ekonomisë hyn në fuqi në korrik të vitit 2026 dhe jo në janar 2024. Nga taksa preken industria e çimentos, ajo e çelikut, si dhe industria e prodhimit të ferro-kromit.

Po ashtu ndryshon ligji për akcizat, duke synuar të kufizojë rritjen e akcizës me normën e inflacionit, rregull i vendosur në vitin 2021. Pas ndryshime të bëra akciza për karburantin, për pijet alkoolike, për kafen apo për produktet energjetike nuk do të rritet bazuar në normën e inflacionit, por vetëm 1.5%. Kurse për produktet dhe nënproduktet e duhanit, akciza do të vazhdojë rritjen e parashikuar.

Ligji i tretë që ndryshon është ai i ‘Procedurave Tatimore’, që synon ashpërsimin e gjobave për bizneset që nuk plotësojnë në kohë detyrimet për të paguar këstet e tatim fitimit korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe shkon në 500 mijë lekë gjoba për bizneset e mëdha që nuk lëshojnë faturë tatimore. Po ashtu janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

Ndërsa Projektligji për ndryshimin e ligjit të TVSH-së nuk mbërriti në kuvend, pasi nuk u gjet dakordësi në Komisionin e Ekonomisë, dhe u shty vendimmarrja. Ky projektligj ishte pjesë e paketës fiskale dhe parashikonte përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e mëshqerrave mbarsë dhe insekteve me qëllim eliminimin e përdorimit të  hormoneve dhe praktikave të zakonshme, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.

Propozimi për të hequr TVSH-në në import për gjedhë, dhen, dhi, derra dhe njëthundrakë u bë nga deputeti i PS-së Erion Braçe që synon nxitjen e importit të mëshqerrave mbarsë që do të lindin në vend me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë.

Heqja e TVSH-së në import pritet të ndihmojë sektorin të rimëkëmbet pas një rënie të vazhdueshme të numrit të bagëtive në vitet e fundit. Vetëm në vitin e kaluar sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, gjedhë, dele dhe dhi pësoi rënie me 8.3% në krahasim me vitin 2021.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?