Çfarë ndodhi në 2020-n?/ Kanabis, heroinë dhe kokainë, zonat e 'nxehta' në Tiranë ku shpërndahet drogë, 70 në pranga

25 Dhjetor 2020, 15:53| Përditesimi: 25 Dhjetor 2020, 16:17

  • Share

Shpërndarja e drogave me doza të vogla është kthyer në një problematikë jo të vogël për Policinë e Tiranës. Zonat ku kryesisht shpërndahen këto doza janë në periferi të kryeqytetit, duke filluar në Don Bosko, Laprakë, në afërsi të ish-parkut të autobusëve dhe më gjerë.

Zona të nxehta për shpërndarjen e drogave në sasi të vogla janë Sauku, Kombinati, Astiri, Qyteti i Studentit, ish-Stacioni i Trenit dhe jo më pak i rëndësishmi, parku i Liqenit Artificial të Tiranës. Kryesisht, ky aktivitet i paligjshëm kryhet në zonat periferike të Tiranës, por në raste sporadike nuk kanë munguar edhe pikasja e tyre më në thellësi të qendrës. Organizimi bëhet kryesisht mes grupeve, por burimet nga policia kujdesen të saktësojnë se ka edhe individë që operojnë si të pavarur.

Gjatë vitit 2020 policia në gjithë territorin ka arrestuar 76 persona që janë konstatuar duke shpërndarë kanabis, heroinë, apo dhe kokainë. Krahas tyre janë shpallur në kërkim shumë të tjerë si organizatorë të shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe janë proceduar më shumë se 20 të tjerë, të cilët janë kapur duke blerë lëndën e jashtëligjshme.

Pjesa më e madhe e arrestimeve janë kryer përmes kontrolleve rutinore dhe në jo pak raste krejt të rastësishme. Policia bënë me dije se ka edhe të mitur që përdoren për të shitur drogë me doza të vogla, por edhe përdorues. Në patrullimet që bëhen kryesisht në orët e vona dhe që pikasen nga policia, të rinjtë kryesisht i tradhton frika dhe reagimi i çuditshëm sapo shohin efektivë policie. Kjo bënë që këta të fundit të dyshojnë dhe të kryejnë kontrolle. Raste të pazakonta që janë evidentuar janë shpërndarës picash, nëpër kuti shahu apo edhe të fshehura nëpër atlete.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Fiton Trump, mendoni se do ndryshojë politika amerikane ndaj Shqipërisë?