Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në Shijak, ku vijoi turin e qyteteve për ceremoninë e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet.
Sipas deklaratës për shtyp, kryebashkiaku tha se në nisjen e shekullit të dytë për Tiranën, na duhet më shumë bashkëpunim me njëri-tjetrin, për të çuar përpara projektet zhvilluese.
“Po të duhemi më shumë dhe të urrehemi më pak, po të punojmë më shumë dhe të pengojmë më pak, po të përqafohemi më shumë dhe të hedhim më pak thika pas shpine, kjo do të ishte mrekullia për qytetin tonë. Jemi populli dhe kryeqyteti më i ri sot në Evropë, ndaj vëmendja jonë më e madhe duhet të jetë arsimimi dhe punësimi i të rinjve”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se ky 100 vjetor është edhe një moment reflektimi për atë që është bërë deri më sot dhe për të punuar më shumë për gjeneratën e re.
“Teksa kalojnë 100 vjet, kthejmë kokën pas për të parë se çfarë kemi bërë me Shqipërinë në këto 100 vite. Kemi luftuar me njëri-tjetrin apo kemi bashkëpunuar? I kemi vënë stërkëmbësha njëri-tjetrit, apo kemi punuar?
Jemi marrë me llafe apo kemi ndërtuar Shqipërinë? Kemi humbur kohë duke u përçarë, ti je i kësaj partie, unë jam i kësaj partie, apo kemi lidhur duart bashkë për punë të mira?”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se çdo qytetar duhet të mendojë sesi mund të kontribuojë për të ardhmen e vendit të tij.
Për këtë, ai solli shembullin e komunitetit të Shijakut, i cili në ato vite të vështira për fatet e vendit, dha gjithçka kishte.
“Tirana e priti qeverinë me 10 mijë vetë, por në 100 vite u 100-fishua si popullsi për të kapur 1 milion, e me gjasë kjo rritje do të vazhdojë, por doja ta bënim këtë tur për të treguar se asnjë nuk ja del dot vetëm.
Tirana nuk do të ishte kryeqytet pa Shijakun, e ndoshta Shijaku sot nuk do të ketë mundësinë e zhvillimit ekonomik nëse nuk forcojmë bashkëpunimin me Tiranën, që është zemra dhe energjia ekonomike e vendit tonë”, shpjegoi ai.
Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen ndaj qytetit të Shijakut për kontributin që ka dhënë në historinë vendit tonë, ndërsa vlerësoi me certifikata mirënjohje disa prej familjeve të njohura të zonës.
Veliaj zhvilloi një tur 4 ditor në katër qytetet shqiptare, Lushnja, Rrogozhina, Kavaja dhe Shijaku, të cilat kanë mirëpritur qeverinë e vitit 1920, që ishte drejtuar për në Tiranën e shpallur Kryeqytet në Kongresin e Lushnjes.