Çelja e negociatave me BE, Rama ndan meritat me Bashën për plotësimin e kritereve   

8 Prill 2018, 08:00| Përditesimi: 8 Prill 2018, 11:42

  • Share

Teksa opozita bën thirrje për mosbindje civile dhe anarki, qeveria ‘Rama’ ka paraqitur në Kuvend një raport mbi zbatimin e detyrimeve në kuadër të objektivit për çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në raportin e zbardhur nga Shqiptarja.com, Këshilli i Ministrave liston të gjitha arritjet e shënuara gjatë vitit 2017. Në krye të listës së arritjeve referohet marrëveshja Rama-Basha e 17 Majit 2017, e cila kontribuoi në zhvillimin e qetë të zgjedhjeve parlamentare, duke përmbushur kësisoj kriterin politik. “Shumica qeverisëse është e përkushtuar për të bërë çdo përpjekje për të siguruar një dialog politik konstruktiv dhe për të ecur më tej mbi bazat e konsensusit politik që ekziston sa i përket integrimit evropian, në mënyrë që të vijojë ndjekjen e axhendës së reformave në një frymë kompromisi dhe bashkëpunimi. Shprehje e qartë e këtij përkushtimi ishte marrëveshja e 18 majit 2017, e cila i dha fund bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe përmirësoi klimën politike.

Marrëveshja kontribuoi në zhvillimin e qetë të zgjedhjeve parlamentare në qershor 2017, me një proces elektoral gjithëpërfshirës dhe një fushatë më pak të polarizuar”, thuhet në raport. Në këtë frymë, qeveria raporton se Parlamenti miratoi me konsensus edhe tre ligjet e paketës së reformës në drejtësi. “Parlamenti miratoi me konsensus mes forcave politike tri ligje të paketës së reformës në drejtësi. Si rezultat i klimës së përmirësuar politike, Parlamenti zgjodhi me konsensus (100 vota pro) anëtarët e tre institucioneve për rivlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, hap thelbësor ky i reformës në drejtësi. Shqipëria u bë pjesë e projektit të BE - OSBE/ODIHR mbi reformën zgjedhore në vendet e Ballkanit Perëndimor. U miratua me konsensus në Parlament ligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, vijon raporti. 

Vetingu 

Zbatimi i ligjit të Vetingut është pika më e fortë e qeverisë ‘Rama 2’, për t’i kërkuar institucioneve të Brukselit çeljen e negociatave. “Ka filluar zbatimi i elementit kyç të reformës në drejtësi - rivlerësimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve (Veting). Institucionet e rivlerësimit u themeluan përmes një procedure përzgjedhjeje e cila mori në konsideratë rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Parlamenti zgjodhi me konsensus mes palëve 12 komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe 2 anëtarë zëvendësues; 2 Komisionerë Publikë dhe 2 zëvendësues, si edhe 7 gjyqtarë dhe 2 anëtarë zëvendësues të Dhomës së Apelit. Parlamenti ka miratuar strukturën organizative dhe pagat për stafin e institucioneve të Vetingut, ndërkohë që rekrutimet janë drejt përfundimit”, thuhet në raport. 

Korrupsioni 

Qeveria nuk ka një bilanc për vitin 2017 sa i takon luftës kundër korrupsionit, sidomos në nivele të larta. Në raport, qeveria flet vetëm për rritjen e numrit të referimeve nga policia në prokurori për korrupsion, por nuk thotë asgjë për dënime. “Zhvillimet legjislative në luftën kundër korrupsionit përfshijnë miratimin e amendamenteve në Kodin e Procedurës Penale, si dhe të ligjit për institucionet që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, përmes së cilave vendoset krijimi i: një Prokurorie të specializuar, një Njësie Hetimi të pavarur, një Gjykate të specializuar. Ka vijuar trendi pozitiv drejt një bilanci të qëndrueshëm rezultatesh hetimi, ndjekjeje penale dhe dënimi të rasteve të korrupsionit, siç dëshmohet ndër të tjera nga rritja me 8.2% në numrin e rasteve të referuara në Prokurori nga policia në 6 mujorin e parë të 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës”, thuhet në raportin e qeverisë. 

Arritjet sipas qeverisë gjatë vitit 2017 në kuadër të procesit të integrimit 

1.    Shumica qeverisëse është e përkushtuar për të bërë çdo përpjekje për të siguruar një dialog politik. Shprehje e qartë e këtij përkushtimi ishte marrëveshja e 18 majit 2017, e cila i dha fund bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe përmirësoi klimën politike. 

2.    Parlamenti miratoi me konsensus mes forcave politike tri ligje të paketës së reformës në drejtësi..

3.    Shqipëria ka fuqizuar angazhimin e saj proaktiv në bashkëpunimin rajonal dhe në marrëdhëniet e mira të fqinjësisë, të cilët janë elementë themelorë të procesit të Stabilizim-Asociimit. 

4.    Ka filluar zbatimi i elementit kyç të reformës në drejtësi - rivlerësimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting). 

5.    Zhvillimet legjislative në luftën kundër korrupsionit përfshijnë miratimin e amendamenteve në Kodin e Procedurës Penale, si dhe të ligjit për institucionet që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, përmes së cilave vendoset krijimi i: një Prokurorie të specializuar, një Njësie Hetimi të pavarur, një Gjykate të specializuar. 

6.    Ka vijuar trendi pozitiv drejt një bilanci të qëndrueshëm rezultatesh hetimi, ndjekjeje penale dhe dënimi të rasteve të korrupsionit, siç dëshmohet ndër të tjera nga rritja me 8.2% në numrin e rasteve të referuara në Prokurori nga policia në 6 mujorin e parë të 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. 

7.    Në luftën kundër kultivimit të narkotikëve, në periudhën Shtator 2016 – Shtator 2017, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, u shënua një rritje masive prej 73.459 kg në sasinë e marijuanës/kanabisit të sekuestruar. 

8.    Lufta kundër kultivimit të kanabisit vijoi me një ritëm të qëndrueshëm, me asgjësimin e 933.014 bimëve narkotike në 2754 parcela, në periudhën Shtator 2016 – Shtator 2017. 
9.    Shqipëria përmirësoi ndjeshëm kuadrin e politikave dhe atë ligjor për mbrojtjen e minoriteteve, duke miratuar në tetor 2017 një ligj të veçantë mbi minoritetet. 

10.    Ka një trend të vijueshëm pozitiv në numrin e vendimeve të gjykatave të zbatuara sa i përket largimeve të padrejta nga puna: 24 vendime u zbatuan në 2015, 32 vendime në 2016, dhe 36 vendime në nëntëmujorin e parë të vitit 2017.

11.    Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto u intensifikua në vitin 2016 dhe gjysmën e parë të vitit 2017, në respektivisht 3.4% dhe 4%. 

12.    Në fushën e sigurisë, u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 248, datë 29.3.2017 “Për miratimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017 – 2020”.

13.    Në fushën e tregtisë u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.954, datë 30.12.2016 “Për miratimin dhe publikimin zyrtar të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave 2017”, që përafron pjesërisht Rregulloren e Këshillit 2658/87/KEE, datë 23 korrik 1987. 

14.    Në sektorin e energjisë, u miratua Ligji Nr. 7/2017, datë 2.02.2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.

15.    Në sektorin e transportit, u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 13, datë 11.1.2017, “Për miratimin e Rregullores ‘Për kontrollin shtetëror portual në Republikën e Shqipërisë”.

16.    Në fushën e pronësisë intelektuale u miratua Ligji Nr. 17/2017, datë 16.02.2017, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9947, datë 7.07.2008, “Për Pronësinë Industriale”.

17.    Në fushën e arsimit u miratuan Ligji Nr. 15/2017 “Për Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën e Shqipërisë”.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Porda: 08/04/2018 16:46

    ARRESTO TAHIRIN DHE negociata t Jane ne TAVOLINE .PERNDRYSHE NE Nik e DUAM BE- NE PER PORDHE PER TE PAGUAR TAKSAT .JO ...

    Përgjigju
  • Vicidoli: 08/04/2018 14:50

    Rrnofte piromani Shqipnis Skanderbegu Birish fanar ndricues ne bote.

    Përgjigju
  • Suri: 08/04/2018 14:28

    Mashtrime politike te ed Rames eshte I pa besueshem ose mashtrues I pa precident

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?