Çelja e ekspozitës 'Të prekësh të padukshmen', piktori Bujar Luca: Vite të tëra punë! Jam përpjekur të shpreh atë që shoh në Shqipëri

2 Nëntor 2023, 18:42| Përditesimi: 2 Nëntor 2023, 19:19

  • Share

Ditën e djeshme në kryeministri u çel ekspozita “Të Prekësh të padukshmen” e piktorit Bujar Luca. Për të folur lidhur me ekspozitën, piktori ka qenë i ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV.

Teksa foli për mesazhin e tij me këtë ekspozitë, piktori Bujar Luca tha se është përpjekur të shprehë në piktura atë që sheh në Shqipëri. Mes të tjerash, Luca foli edhe për kohën që kalon në Shqipëri, duke thënë se edhe pse nuk e viziton shpesh sa herë që kthehet sheh zhvillime interesante.

“Nuk kthehem shpesh në Shqipëri por kur kthehem konstatoj se ka një zhvillim mjaft interesant. Gjej një popull dinamik dhe më pëlqen dinamizmi i tij”- u shpreh Luca.

Sa i takon ndryshimeve në art, Luca nënvizoi se artistët e rinj shqiptarë kanë përparuar shumë, krahasuar me atë që mund të arrihej në vitet ’90.

“Nëpërmjet asaj që shfaqet në ekrane mund të konstatoj që të rinjtë kanë përparuar jo pak. Përpjekjet duhet të bëhen për emra të mëdhenj, por prapë është avancim kolosal me atë që mund të bënim ne dikur”- tha piktori.

Duke shpjeguar më shumë rreth punës së tij, ai u shpreh se ekspozitat që krijon, duan me vite të tëra punë dhe nuk realizohen brenda ditës ashtu siç mund të mendohet.

“Kur krijoj një ekspozitë, kjo nuk është punë ditësh, merr vite kohë. Vetëm salla kryesore, ka mbi 7-8 vite punë brenda saj. Kur krijoj një vepër, fabrikoj shumë tablo dhe i kompozoj në mënyrë që të krijohet ajo që quhet në pikturë “e zbrazëta dhe e mbushura”- shtoi ai.

Ndërsa Ena Bulku drejtorja e COD, tha se ekspozita e Lucës është e hapur për publikun.

“Jemi hapur cdo ditë nga e hëna në të shtunë nga ora 09:30 deri në 14:00 dhe më pas 17:30 dhe 20:30 e mbrëmjes. Ëahtë një hapësirë rekreative jo vetëm për të parë një ekspozitë”- u shpreh Bulku.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?