Lulzim Basha, Edi Rama dhe Sali Berisha

Çelësi i Edi Ramës dhe brava e prishur e PD

12 Mars, 13:48| Përditesimi: 12 Mars, 13:50

  • Share

Në 30 vite demokraci në Shqipëri ka patur ndryshime pushteti politik dhe kjo ka ndodhur herë me zgjedhje të pranuara e herë me zgjedhje të papranuara. Është dialektikë normale që humbja dhemb e është e zorshme të pranohet, ashtu sikurse është i papranueshëm tjetërsimi i vullnetit të popullit në zgjedhje. Po pse shkojnë qytetarët në zgjedhë çdo 2 dhe 4 vjet? Përgjigjja është e thjeshtë për të caktuar me vullnetin e tyre administratorët e qeverisjes qëndrore e lokale. Nuk e bëra këtë parantezë per t’u marrë me zgjedhjet, me mënyrën sesi zhvillohen apo nëse ato pranohen apo nuk pranohen nga palët.

Qëllimi është tjetër kund. Përtej të gjithave çfarë ndodh në ditën e zgjedhjeve kundërshtive etj etj, në këta 30 vjet është kuptuar kush do dhe di të ndërtojë dhe mirëmbajë shtet. Shteti fillon që te roja e institucionit, koka e një shkrese zyrtare, madje edhe te teksti i shkruar i një dokumenti pa shkronjën ë, por me shkronjën e në vend të saj. Po, duket si banale dhe qesharake, por shteti në fakt fillon te shkronja.

Diskutohet shpesh mbrëmjeve në programe televizive me karakter politik, jo kodi zgjedhor, jo reforma zgjedhore, jo komisioni bipartizan, jo vëzhguesit, jo numëruesit, jo komisioni hetimor, jo ne kishim kaq vota e ju kaq vota, ne fituam, por ju manipuluat e shumë e shumë të tjera. Në fakt të gjitha këto në fund shfaqin një kontraksion të madh që lidhet me faktin se opozita nuk po gjen çelësin të çelë derën e korracuar të pushtetit të Edi Ramës. Shumë kush thotë se opozita nuk prodhon frymë, nuk ka njerëzit që të përçojnë besim dhe nuk sjellë asnjë qasje që t’i intrigojë shqiptarë për të bërë ndryshimin. Po kjo është njëra pjesë e të vërtetës. Por ka edhe një pjesë tjetër që lidhet me sjelljen dhe qasjen filozofike të trajtimit dhe menaxhimit të pushtetit nga Rama dhe PS. Ai po mbaron mandatin e tretë politik në qeverisje dhe me gjasë ka të siguruar të katërtin. Si dhe përse? E thjeshtë fare.

Jo vetëm se opozita është e shpartalluar në luftën për pushtet brenda vetes, mes klanesh e interesash, jo se opozita nuk ka ide sesi t’i bindë shqiptarët dhe është tërësisht e vjetër në mendësi dhe personazhe. Çështja është më e thjeshtë se kaq. Ndoshta profecia e Pjetër Arbnorit të ndjerë duhet rikujtuar herë pas here, se këta nuk janë thjeshtë socialista, por specialista. Sigurisht Arbnori kishte parasysh marifetet politike të Nanos, kur përdorte këtë shprehje, marifete që nuk i kishte e si linte mangët as Sali Berisha. Por tjetër kund dua ta ngas idenë. Kjo shprehje e Arbnorit gjen vend sot te Edi Rama dhe PS për tjetër gjë. Dallimi i madh dhe ajo që nuk kuptojnë dhe për më tepër nuk pranojnë demokratët dhe opozita e sotme ne tërësi e PD si parti e pushtetit para një dekade në qeveri, është bindja e njerëzve se socialistët e konsolidojnë formën dhe prezencën e shtetit, ndërsa demokratët e shpërbëjnë ose e degradojnë atë. Pra është thjeshtë, një rafiniturë e hollë bën dallimin. E di që shumë vetë ndërsa lexojnë këto rreshta do mendojnë për korrupsion për afera për regjim etj. Por ato as nuk nisën dje as sot dhe s’do mbarojnë as nesër. Gara kush bën më shumë a më pak korrupsion është pa kuptim. Nëse bën korrupsion bën dhe sasia nuk tregon se njëra parti është më e mirë dhe më e ndershme nga tjetra. Legjenda se Berisha nuk i lëshon ata që bëjnë zullume dhe Rama i lëshon është treguesi më i fortë i qasjes ndaj ligjit dhe shtetit, korrupsionit gjithashtu. Por kjo është një histori që ha debat të gjatë. Gjërat janë edhe më të thjeshta.

Jozefina Topalli një nga njerëzit e afërt të Berishës ndër vite tani e rikthyer pasi Berisha dhe Basha i bënë daljen nga PD kur ishin në vitet e tyre ye dashurisë at e bir, në një intervistë të fundit dhënë koleges Mirela Milori, kur u pyet për Edi Ramën tha se bën shumë mirë reklamën politike, sikurse quhet në gjuhën moderne PR politik. Po dhe në fakt i ka rënë në kokë. Rama është nje mjeshtër i promovimit dhe këtë filozofi ka injektuar edhe në parti. Por çështja është që të jesh mjeshtër, duhet të kesh edhe çfarë të promovosh. Dhe Edi Rama promovon edhe ato që krijon edhe ato që kundërshtarët e tij ose nuk ditën t’i bëjnë ose nga neglizhenca i lanë të zhbëhen. Mbi këtë bazë Rama ka krijuar dhe materializuar filozofinë që socialistët ndërtojnë dhe demokratët shkatërrojnë. Vizita e tij e fundit në Shkodër tregoi pikërisht këtë gjë. Stadiumi Loro Boriçi u rikonstruktua disa vite më parë me standarde të certifikuara nga UEFA dhe iu dorëzua Bashkisë së drejtuar prej demokratëve. Sot ai stadium është si një objekt i lënë në mëshirë te fatit. Por sikurse ka ndodhur me stadiumin, ka ndodhur në tërësi me shtetin dhe institucionet kur demokratët kanë patur pushtetin. Të paktën në perceptimin publik, është krijuar kjo bindje të cilën sigurisht që Edi Rama nuk do ta linte pa e shfrytëzuar se ata janë shkatërrimtarë.

Ardhja në pushtet e demokratëve shoqërohet nga sindroma e braktisjes së njerëzve ose ata nuk dinë të nxjerrin në pah se janë pranë njerëzve. Ndërsa nga krahu tjetër Rama iu thotë të vetëve, njerëzve hallin ndoshta nuk u zgjidhim dot, por dorën t’ua zgjasim dhe dëgjesën ta kemi gjithnjë për ta me përulje. Ja kaq e thjeshtë është pse njerëzit vendosin të zgjedhin kë të mbajnë në pushtet. Ata kërkojnë t’i përfillësh, t’i dëgjosh dhe t’iu servirësh kushtet bazë. Shqiptarët nuk kanë pretendime të shumta. Janë modestë. Kërkojnë gjëra bazike, rregull, sistemim dhe estetikë. Te tjerat i bëjnë vetë ndaj dhe qytetet, lagjet e vendi pëson ndryshim. Këtë ndryshim e ndjejnë ata që jetojnë këtu dhe ata qe vijnë nga jashtë. Ndoshta ndryshimi është produkt dhe forcë e kohës, por edhe kjo përsëri nuk është rastësi. Duhet të krijosh një sinergji mes fatit, kohës dhe mendësisë që të prodhosh një rezultat pozitiv.

Rama e ka gjetur këtë ekuilibër të cilin zor se e humb e kundërshtarët e tij zor se gjejnë e jo më ta përkthejnë. Ai shtyn përpara me nevojën për ndryshim dhe pranon natyrshëm se në këtë proces mund të ketë edhe veprime apo vendime që janë marrë gabim. E rëndësishme është gjenerimi për të bërë përparim. Pra Rama ka gjetur çelësin që hap edhe bravën e prishur të demokratëve!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?