Cani:Buxheti 2015, synojmë 3%
rritje, nisim shlyerjen e borxhit

30 Tetor 2014, 19:05| Përditesimi:

  • Share
Ministri i Financave ka prezantuar gjatë një konference me Shoqatat e investitorëve të huaj në Shqipëri, projekt-Buxhetin afat mesëm për vendin. Ndërsa ka theksuar se ende nuk është projekti përfundimtar Cani ka bërë të ditur se Buxheti 2015 parashikohet të ketë një rritje prej 3% ndërsa 2 vitet në vijim do kenë një rritje prej 4.5%, ndërsa borxhi synohet të reduktohet nga 70,9% që është aktualisht në 70 ,6% gjatë vitit 2015. Mes të tjerash ministri tha se do të hiqet dogana për miellin dhe grurin.


Një tjetër pikë të rëndësishme të cilën ministri Cani e theksoi ishte fillimi i shlyerjes së Borxhit, duke ulur kështu rriskun financiar.
 
“Pikë e rëndësishme ulja e rrezikut financiar. Si ulja e borxhit, në 2015 nis ulja e borxhit. Për ata që nuk janë specialist duket e lehtë, por ato që përfaqësojnë 2 grafikët është shumë e vështirë.”- tha Cani gjatë konferencës me Shoqatat e investitorëve të huaj në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave u shpreh se totali i të ardhurave do të jetë 412 miliardë lekë , ndërkohë totali i shpenzimeve do jetë 472 miliardë Lekë, duke parashikuar kështu një deficit prej 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 60 miliardë lekë. 

Cani: Ndërmarrim reforma që të tjerët s’kanë guxuar
Gjithashtu Ministri i Financave ka bërë të ditur se qeveria po ndërmerr dhe do të ndërmarrë një sërë reformash për të cilat qeveritë e kaluar nuk kanë guxuar, më tej ai ka theksuar se nuk do të ketë asnjë detyrim të pashlyer kundrejt bizneseve.
 
“Do ndërmarrim reforma të cilat qeveritë e tjera nuk i kanë prekur. Si Reforma e Pensionit, ajo e Energjisë. Do shlyejmë detyrimet e prapambetura dhe vlen për të përmendur që nuk do të ketë asnjë detyrim të pashlyer ndaj biznesit. Në 2015-tën edhe për reformën territoriale e cila ka problemet e veta me buxhetin.”- u shpreh Ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Cani: Bizneseve do u njihen firot dhe amortizimet, hiqet dogana për miellin 
Një kërkesë disavjeçare e bizneseve në vend, siç është njohja e firove, më në fund do të realizohet, kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Sipas tij brenda 6 muajsh qeveria do të imponohet që të nxjerrë ligjin për njohjen e firove.

“Kërkesë disa vjeçare e biznesit për të njohur firon. Brenda 6 muajve qeveria do imponohet për të nxjerrë ligjin për njohjen e firove, Si pasojë biznesmenëve do u rriten fitimet.”- tha Cani.

Ndërkohë një tjetër ligj do të ndryshohet ka bërë të ditur Cani, që ka të bëjë me amortizimin i kapitalit, i cili do të bëhet shpenzim i zbritshëm për bizneset. Gjithashtu ministri i Financave theksoi se do mbetet kriteri për kontrolle nga ana e tatimorëve, në rastet kur do të ketë rimbursim të TVSH, sipas tij nuk do ketë në të gjitha rastet, por kjo do të mbetet si kriter.

Më tej Cani prezantoi edhe disa ndryshime në taksa siç ishte heqja e saj për miellin, grurin dhe për rafineritë e vendit në dogana, ulje e taksave të gomave nga 15% në 10%. Gjithashtu ai bëri të ditur se për kromin renta minerare do të reduktohet në mënyrë që të nxitet kështu prodhimi në vend i nënprodukteve dhe si rrjedhojë duke ulur eksportet.

Cani: Pensionet vullnetare, do bëhet përcaktimi i kontributeve
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani gjatë konferencës me Shoqatat e investitorëve të huaj në Shqipëri, ka folur edhe për përcaktimin e pensioneve vullnetare.

“Lidhur me pensionet vullnetare, ka një zhvillim të ngadaltë dhe është fazat e para.  Për t’i dhënë nxitje këtij sektori, do bëhet përcaktimi te sigurimet në momentin e dhënies së kontributit.” – tha Cani.

Gjithashtu ai shtoi se tashmë po shkohet drejt një lidhjeje mes pensionit që do të përfitohet me masën e kontributit që jepet. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?