Cakaj: Fokusi në çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave me Republikën e Kosovës

27 Shkurt 2020, 14:13| Përditesimi: 27 Shkurt 2020, 14:18

  • Share

TIRANE- Ministri në Detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit (V4) dhe Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Pragë. 

Në takim edhe njëherë u përsërit mbështetja e vendeve të Vishegradit për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe u konfirmua mbështetja për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Cakaj theksoi se në mbledhje parashtroi dy çështje kryesore lidhur me rajonin. 

Së pari, Cakaj u ndal në rëndësinë e çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

“Shqipëria, ashtu siç e ka konfirmuar deri më tani edhe Komisioni Evropian, ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Miratimi i metodologjisë së re ka krijuar një momentum të ri politik brenda Bashkimit Evropian, i cili duhet shfrytëzuar gjithsesi”- u shpreh Cakaj. 

Së dyti, Cakaj theksoi domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave me Republikën e Kosovës, pasi Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për të siguruar lëvizjen e lirë. Kështu që çdo vonesë sipas tij, do të ishte e padrejtë. 

“Po ashtu, nënvizova se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të përfundojë me asgjë më pak se njohja e ndërsjellë.” - përfundoi Cakaj reagimin e tij.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?